'Ne, deputetët e komunizimit flisnim ‘në emër të popullit’, si privilegj, kishim sediljen e parë në autobus dhe…'/ Dëshmia e rrallë e ish-funksionarit të rrethit të Krujës

'Ne, deputetët e komunizimit flisnim ‘në emër të popullit’, si privilegj, kishim sediljen e parë në autobus dhe…'/ Dëshmia e rrallë e ish-funksionarit të rrethit të Krujës

Memorie.al publikon dëshmitë e rralla të Pjetër Gjonit, ish – Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Laçit dhe deputetit të Kuvendit Popullor në disa legjislatura, i cili kujtonte periudhën e “zgjedhjeve” për në Kuvendin Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, duke folur për rrethin e Krujës ku ai shërbeu për vite me radhë në detyra dhe funksione të ndryshme. Rrëfimi i tij lidhur me anën e panjohur të votimeve në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke filluar nga përzgjedhja dhe caktimi i kandidatëve të Frontit Demokratik për në Kuvendin Popullor, kushtet dhe kriteret që duhet të plotësonte kandidati, orientimet nga “lart”,  grupet e punës me agjitatorët e propagandistët, fushatat elektorale, marrja e masave për të shkruar parullat dhe sloganet që do përdoreshin, apo për të freskuar të vjetrat, objektivat në fushën ekonomike, përmirësimin e dekoreve të qyteteve, pjesëmarrjen në votime, “puna bindëse” me ata që s’donin të merrnin pjesë në votime, plotësimi i kërkesave apo premtimet për ata që rrezikonin të mos shkonin para kutisë së votimit ditën e zgjedhjeve, “puna me të deklasuarit”, detyrat dhe privilegjet e deputetit, etj.

“Pjesëmarrja 100 % në votime, përbënte dhe objektivin e problemin më kryesor të punës sonë gjatë fushatave elektorale. Por rrethi i Krujës ku kam punuar unë për vite me radhë, ka qenë shumë problem dhe dilte vazhdimisht i fundit. Të parët që i përfundonin votimet ishin: Tepelena, Puka, Skrapari, Mirdita etj. Më kujtohet një rast diku aty nga fillimi i viteve ’70-të kur unë isha i deleguar i Frontit në qytezën e Mamurrasit. Aty nuk po mbyllej votimi 100 %, pasi mungonte një grua e moshuar, e cila ishte larguar nga shtëpia e saj pa i thënë njeriu. U bë problem dhe alarm i madh jo vetëm në Krujë, por dhe në Tiranë, aq sa binin telefonat nga “lart” çdo 10 minuta. Pas shumë përpjekjesh, u tha se ajo e moshuar ishte parë në Krujë, duke shkuar për në fshatin Nojë. Pas këtij sinjalizimi, Kryetari i Gjykatës së Krujës, Qazim Mani, që ishte i deleguar në zonën ku banonte ajo grua, u nis menjëherë me makinë për në fshatin Nojë, që ndodhet në malësinë e Krujës. Kur e takuan plakën e shkretë atje në fshat, ajo u tha se: kishte parë një ëndërr….”!

Kështu shprehej mes të tjerash Pjetër Gjoni, ish-deputet i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për disa legjislatura, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Laçit të Kurbinit dhe i Bashkimeve Profesionale të rrethit të Krujës për më shumë se 30 vjet me radhë, duke sjellë në kujtesë historitë e votimeve për në Kuvendin Popullor në periudhën e para viteve ’90-të, ngjarje dhe histori të cilat, Memorie.al publikohen për herë të parë.

Zoti Pjetër, në fillim a mund të na thoni se: cili ishte organi që kishte atributet për të caktuar datën e zgjedhjeve të deputetëve për në Kuvendin Popullor?

Data e zgjedhjeve caktohej me vendim të Byrosë Politike të Komitetin Qendror të PPSH-së në bashkëpunim me Kryesinë e Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Pas kësaj këto dy forume të larta të Partisë dhe të Frontit, caktonin dhe të deleguarit përkatës të cilët shpërndaheshin nëpër të gjitha rrethet e vendit, për të organizuar e kontrolluar të gjitha problemet që lidheshin me zgjedhjet, duke filluar që nga fushata, propaganda elektorale, e deri tek procesi i mbylljes së kutive të votimit. Për të gjitha këto, të deleguarve të cilët mund të ishin dhe antarë të Byrosë Politike, si p.sh., në Krujë ku vinin Manush Myftiu, Spiro Koleka, Simon Stefani etj., u jepeshin të gjitha udhëzimet e porositë e duhura.

Po caktimi i një kandidati për deputet në Kuvendin Popullor nga kush bëhej?

Caktimi i kandidatëve për deputet bëhej nga Byroja e Partisë e rrethit (që ishte dhe organi më i lartë në periudhën midis dy konferencave të Komitetit të Partisë) e cila gjithmonë fliste në emër të Kryesisë së Frontit Demokratik, pasi Partia e udhëhiqte Frontin. Në bazë të numrit të zgjedhësve, caktoheshin dhe zonat e deputetëve. Ne në rrethin e Krujës fillimisht kemi pasur 4 zona, pastaj u bënë 6, 8, dhe 10 zona.

Po nga lart nuk jepeshin udhëzime për ndonjë kandidat të veçantë?

Patjetër që jepeshin. Byroja Politike dhe Kryesia e Frontit Demokratik të Shqipërisë, u sugjeronin Byrove të Partisë së rretheve për të kandiduar ‘x’ apo ‘y’ person të cilët më së shumti ishin antarë të Byrosë Politike. Ishte nder shumë i madh për rrethet të veçanta të cilave u jepej mundësia të kishin ndonjë anëtar të Byrosë Politike si kandidat për zgjedhjet e Kuvendit Popullor.

Në atë kohë të gjitha gjërat bëheshin në emër të popullit, por populli nuk pyetej për zgjedhjen e kandidatëve?

Pyeteshin si nuk pyeteshin! Pasi Byroja e Partisë miratonte emrat e kandidatëve për deputetë, një i deleguar i saj shkonte në zonën ku ishte caktuar ‘x’ deputet dhe bënte shpalljen e prezantimin e tij para të gjithë zgjedhësve në mbledhjet e popullit duke u thënë: “Kryesia e Frontit Demokratik ka vendosur t’ju propozojë si kandidat për deputet filan person”. Në rast se kishte vërejtje, ai i mbante shënim dhe ato analizoheshin sipas specifikës ose nga Kryesia e Frontit ose në rrugë partie nga Byroja e Partisë së rrethit.

Zakonisht kishte vërejtje…?

Vërejtje kishte gjithmonë dhe në rast se ato ishin shumë të rëndësishme, i deleguari kishte të drejtë ta tërhiqte atë kandidaturë. Por kjo nuk ndodhte kurrë pasi kandidaturat përzgjidheshin më parë nëpër një filtër të hollë.

Çfarë kriteresh duhet të kishte një kandidat?

Ata duhej të kishin biografinë e mirë, të ishin të shkolluar, të ndershëm dhe të kishin një figurë të pastër morale. Ata nuk duhej të manifestonin shfaqje të huaja, si: imoraliteti, akraballëku, ryshfetmarrësve, etj., vese të këqija për moralin e komunistit. Tendenca kryesore ishte që ata të ishin sa më afër bazës, pra me origjinë ose punëtorë. Por punëtorët ishin të pakët për të mos thënë se nuk kishte fare. Që t’ua vërtetoj se tendenca e zgjedhjes së kandidatëve ishte sa më afër bazës, po u marr si shembull disa nga sekretarët e parë të Komitetit të Partisë së Krujës, si: Bim Sina, Pirro Kono, Tahir Minxhozi, Xhemal Dymylja e Qemal Bregasi, të cilët nuk kanë qenë asnjëherë deputetë.

Kush e organizonte fushatën e zgjedhjeve?

Si fillim desha t’ju them se fushata e zgjedhjeve për kandidatët për deputetë të Kuvendit Popullor, konsiderohej si aksioni më i madh politik që kishim asokohe. Fushata e zgjedhjeve në rrethe organizohej e drejtohej nga shtabi qendror i cili kryesohej nga kryetari i Frontit i rrethit, (si p.sh. në Krujë ku ishin Hamit Taga, Sefer Tali, Ismail Seseri etj.) të cilët i merrnin udhëzimet nga shtabi qendror i Kryesisë së Përgjithshme të Frontit Demokratik të Shqipërisë, të cilin për shumë vite me radhë e ka kryesuar Xhorxhi Robo. Por siç thashë dhe më lart, faktikisht gjithçka drejtohej, organizohej e udhëhiqej nga Partia, e cila fliste në emër të Frontit.

Si organizohej fushata e zgjedhjeve?

Pasi bëhej mbledhja e Byrosë së Partisë në rreth, shpërndaheshin nëpër zonat përkatëse të gjithë të deleguarit së bashku me grupet e agjitatorëve dhe propagandistëve. Grupi i agjitatorëve kishte një rol shumë të rëndësishëm, pasi ai kishte kontakte direkte me bazën duke shkuar në çdo fshat, në çdo qendër pune, në çdo lagje dhe i duhej të përgjigjej për çfarëdolloj problemi që mund të dilte. Ato grupe zakonisht shkonin në zona që mendohej të ishin problematike, të cilat ne i quanim zona të nxehta dhe aty përqendrohej e gjithë vëmendja jonë. Ndërsa i deleguari, (ku kam pasur rastin shpesh herë të jem edhe unë), dy herë në ditë raportonte me telefon shtabin qendror të rrethit dhe ai njoftonte qendrën në Tiranë. Fushata e zgjedhjeve fillonte zakonisht 3 muaj përpara dhe asaj i jepej një rëndësi mjaft e madhe nga Partia, duke i vënë në dispozicion të gjitha mjetet propagandistike të saj, si: radion, televizionin e gazetat. Po kështu 3 muaj përpara ndryshonte i gjithë dekori i qytetit dhe merreshin masat për të shkruar sa më bukur parullat e reja, apo për të freskuar ato të vjetrat.

Cilat ishin parullat kryesore që përdoreshin asokohe në fushatat zgjedhore?

Në parantezë desha të them se të gjitha objektivat në fushën ideologjike, ushtarake dhe ekonomike, merreshin në kuadrin e zgjedhjeve. P.sh.: për objektivat ekonomike, në rast se ishte verë, thuhej: “Të shkojmë në zgjedhjet e Kuvendit Popullor, duke e kryer në kohë dhe pa humbje fushatën e korrjeve-shirjeve”. Kur ishte vjeshtë apo dimër, thuhej: “Të shkojmë në fushatën e zgjedhjeve të reja të Kuvendit Popullor, duke realizuar 100% hapjen e tokave të reja”. Ndërsa për objektivat në fushën ushtarake, thuhej: “Të shkojmë në zgjedhjet e reja, duke realizuar 100 % objektivin për goditjen e armikut me predhën e parë” etj., etj. Në këtë kontekst ishin dhe tre parullat kryesore për fushatën e zgjedhjeve: “Të forcojmë unitetin Parti-Popull”, “Të shkojmë 100 % në votime dhe t’u japim 100 % të votave kandidatëve të Frontit Demokratik”, “Votat tona plumb për armikun”.

Pak më lart u shprehët se grupet e agjitatorëve i dërgonit në zonat problematike që ju i quanit të nxehta. Përse i konsideronit të tilla?

Nga informacionet që na vinin në kanale të ndryshme, në ato zona pritej të kishte problem, pasi persona të ndryshëm kishin shfaqur shenja pakënaqësie, si p.sh., për shkaqe strehimi, mosdhënie bursash, papunësie etj. Grupet që çonim ne, pasi ishin të bindur se ata kishin të drejtë në kërkesat e tyre, u’a zgjidhnin ato menjëherë, ose u premtonin duke u dhënë garancitë e nevojshme. E gjitha kjo bëhej pasi duhej siguruar pjesëmarrja 100 % në votime, që ishte dhe porosia e parë që vinte nga lart. Po të mos sigurohej kjo pjesëmarrje, ne hanim dajak të forte, duke u marrë në analizë në organet dhe strukturat përkatëse të Partisë.

Po për personat që konsideroheshin me biografi të keqe, kishte udhëzime të veçanta në raste zgjedhjesh?

Në kuadrin e udhëzimeve dhe porosive që jepeshin për fushatën, disa pika të veçanta ishin dhe për atë kontigjent zgjedhësish që ne i konsideronim si “elementi i deklasuar”. Përveç udhëzimeve që i jepeshin Degëve të Punëve të Brendshme, (për të cilat unë nuk mund të flas se nuk di gjë), pak ditë para zgjedhjeve intensifikohej puna me elementin e deklasuar dhe parandalimin e veprimtarisë armiqësore të këtij kontigjenti. Porosia e parë që jepej ishte: “Të mos u lëmë shteg”, që do të thoshte, se në bazë të mundësive që kishte zona ku ata jetonin, t’u krijohej mundësia dhe t’u plotësoheshin menjëherë të gjitha kërkesat që ata kishin. Dhe kjo gjë mundësisht të bëhej para komunistëve dhe kuadrove, me qëllim që elementit të deklasuar, të mos u lihej shteg për të thënë se ata nuk i vlersonte njeri, pasi ishin të deklasuar. Porosia e Partisë ishte: “Të gjithë shtetasit janë të barabartë”.

A ka pasur raste që persona të ndryshëm nuk kanë pranuar të votonin dhe çfarë ndodhte me ta?

Sa herë që kishte zgjedhje dilnin nga një ose dy persona për çdo zonë që nuk pranonin të votonin. Raste të tilla kemi pasur disa, si në Laç, Mamurras, Gurëz, Fushë-Krujë etj. Me këta fillimisht kontaktonin grupet agjitative dhe kur nuk bindeshin për të votuar, me ta merrnin kontakt kuadro të lartë të rrethit, ose në raste të veçanta edhe me të dërguar nga Tirana. Por ndaj tyre nuk zbatoheshin vetëm këto metoda demokratike që po u them. Në shumë raste në mënyrë indirekte, me ta kontaktone Punëtori Operativ i Sigurimit, ose ai i Policisë dhe u bëhej presion deri për futje në burg. Këta persona më pas nuk shiheshin me sy të mirë nga Partia dhe mbaheshin vazhdimisht nën kontroll nga Sigurimi.

A kishte raste që dënoheshin me burg se nuk donin të votonin?

Unë nuk di ndonjë rast të tillë të jenë dënuar direkt se nuk votonin. Por më pas u gjendej ndonjë sebep për t’i dënuar me burg. Raste të tilla ka pasur, por gjithnjë ato bëheshin duke u kamufluar nën probleme të tjera që mund të kishte personi.

Ditën e votimeve, a kishit udhëzime që procesi të mbaronte sa më shpejt?

Pas pjesmarrjes 100 % në votime, kjo gjë përbënte dhe objektivin dhe problemin më kryesor. Por rrethi i Krujës ku kam punuar unë për vite me radhë, ka qenë shumë problem dhe dilte vazhdimisht i fundit. Të parët që i përfundonin votimet ishin: Tepelena, Puka, Skrapari, Mirdita etj. Më kujtohet një rast diku aty nga vitet ’70-të kur unë isha i deleguar i Frontit në qytezën e Mamurrasit. Aty nuk po mbyllej votimi 100 %, pasi mungonte një grua e moshuar, e cila ishte larguar nga shtëpia e saj pa i thënë njeriu. U bë problem dhe alarm i madh jo vetëm në Krujë, por dhe në Tiranë, aq sa binin telefonat çdo 10 minuta. Pas shumë përpjekjesh, u tha se ajo e moshuar ishte parë në Krujë, duke shkuar për në fshatin Nojë. Pas këtij sinjalizimi, Kryetari i Gjykatës së Krujës, Qazim Mani, që ishte i deleguar në zonën ku banonte ajo grua, u nis menjëherë me makinë për në fshatin Nojë, që ndodhet në malësinë e Krujës. Kur e takuan plakën e shkretë atje në fshat, ajo u tha se: kishte parë një ëndërr, se kishte pasur nënën e sëmurë dhe ishte nisur për ta parë. Pas kësaj, Qazimi e kishte marrë atë me të mire, deri sa e solli në Fush-Mamuras, ku ajo votoi nga ora 15.00. Kjo gjë ne na kushtoi shtrenjtë, pasi na kritikuan për mungesë vigjilence, duke na thënë se: pse na kishte ikur ajo grua në Nojë pa dijeninë tone?! Sipas porosive dhe udhëzimeve ne duhet t’i dinim se ku i kishim zgjedhësit në çdo orë që të na kërkohej, e jo më në ditën e votimeve.

Dëshmia e ish-funksionarit të lartë: “Ja privilegjet që kishim ne deputetët para viteve ’90-të”

Po cilat ishin disa nga detyrat dhe privilegjet që u jepte mandat i deputetit të zgjedhurve nga populli para viteve ’90? Lidhur me këtë, Pjetër Gjoni shprehej: “Ne kishim si detyrë që të qëndronin sa më pranë halleve dhe problemeve që kishte populli i zonës sonë. Mbanim kontakte të vazhdueshme me zgjedhësit dhe një herë në 3 muaj, jepnim llogari me shkrim për problemet që ata kishin. Çdo problem që ngrinim ne si deputet, çdo organ ose komitet ishte i detyruar ta shqyrtonte si problem dhe të jepte përgjigje me shkrim, që sa më shpejt të zgjidhej. Nuk guxonte asnjë digaster që të mos shqyrtonte problemet që ngrinte deputeti. Po të bënte një zgjedhës një letër “lart”, duke u ankuar për deputetin, se nuk i kishte zgjidhur një problem, duhej të gjeje vend e të futeshe. Të “tundnin dhëmballët” për të tilla gjëra. Ndërsa sa për privilegjet ato ishin të pakta. Përveç rrogës që merrnim në punët apo funksionet ku ishim, deri në vitin 1978, ne na jepej 200 lekë të reja në muaj shtesë. Por më pas, ne vetë e hoqëm këtë shpërblim, duke thënë se duhet të jetonim njëlloj si populli. Po kështu përveç taksisë, ne udhëtonim pa biletë në tren e autobus dhe sapo të paraqitnim pasaportën e deputetit, agjensia e transportit të mallrave dhe udhëtarëve, ishte e detyruar të na rezervonte vendin e parë në autobus”./Memorie.al

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?