Vetëflijimi i grevistit të urisë, Gjergj Ndreca ishte dje kryelajmi i Shqipërisë. Po ashtu edhe në mediat botërore. Media prestigjioze si “Washington Post” dhe “Huffington Post” morën pamjet tragjike të filmuara nga A1 Report, kur ish i dënuari politik Ndreca digjej, ndërsa shtuan më vonë edhe fytyrën e tij të përzhitur
nga flakët, dhe të mbështjellë nga fashot në pavionin e repartit të plastikës në QSUT. I vetëdjeguri tjetër që përfundoi në lajmet e mediave botërore ishte një tibetian, njëri prej të shumtëve që protestojnë kundër rregjimit të Partisë Komuniste Kineze në Tibet. Në Shqipëri kjo ngjarje kaloi si një lajm i rëndomtë kronike të zezë, njëri prej qindra rasteve me të cilat shqiptarët po mësohen t’i dëgjojnë dhe t’i anashkalojnë si lajme që ua nxijnë jetën, që edhe pa to është mjaft e nxirë. Por po kështu kërkon të kalojë politika. Kryeministri Berisha përgjegjësi ekzekutiv, po edhe politik i kësaj dramë të shtresës së të përndjekurve, fliste dje në Strasburg me pathos për demokracinë dhe jepte leksione për të, edhe pse në vendin e tij, vetëm demokraci nuk rrezaton vetëdjegia e një ish-të burgosuri dhe sakrifica sublime e shokëve të tij, prej 18 ditësh në grevë urie. Ai i ka larë duart me ta, me një ligj që parashikon dëmshpërblimin e tyre, pasi ata të kenë vdekur dhe e ka cilësuar publikisht grevën e tyre politike, duke treguar se ndaj tyre do të ketë përgjigje ekzekutive, siç jepet për kundërshtarët e tij politike, pra me injorim.
Opozita ka larë duart me një vizitë që ka bërë herëpashere etj, thua se ka frikë të mbështesë këtë grevë që bëhet për bukën e gojës dhe jo për pushtet. Dje, vetëm dy orë pas djegies së Gjergj Ndrecës, deputetët e opozitës, shijonin kafenë në lokalet e ish-Bllokut. Pra vetëm pak kilometra në rrugë ajrore nga vendi ku ishte konsumuar jo një lajm i kronikës së zezë, po vetëvrasja ku po i shtyn shqiptarët qeverisja aktuale. Berisha kështu e do këtë opozitë, që të shtriqet krahpërkrah pozitës, në luksin e të qenit në pushtetin e opozitës. Po ne si jemi? A1 Report dje e kreu detyrën më së miri. Kamera kapi një moment tragjik, atë që ëndërrojnë ta kapin të gjithë dhe që u shpërnda mbarë botës. Por nuk mjafton kaq. Duhet të jemi atje non stop, për të treguar çdo moment të shpirtit të protestës, ndryshe të vetëflijuarit nuk janë vetëm ata grevistë të urisë, por mbarë shoqëria shqiptare.
Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)