'Stop lajmeve të rreme!' Pas paralajmërimit të Ramës në hetim administratorët e 'Jeta Osht Qef'

TIRANE-Pak orë pas paralajmërimit të kryeministrit Edi Rama se në kushtet dhe kuadrin ligjor të gjendjes së jashtëzakonshme do të marrë masa të forta kundër portaleve që përhapin panik me lajme të rreme, policia e shtetit ka vendosur në hetim dy administratorët e faqes 'Jeta Osht Qef'.

Ata akuzohen se kanë përhapur lajme të rreme me qëllim destabilizimi. Personat që janë proceduar janë; Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të  faqes së internetit.

Kjo faqe sipas policisë ditën e sotme  ka shpërndarë një lajmërim, në të cilin aludohet për një numër të madh viktimash, 100 të gjendur në morgun e Tiranës. Policia thotë se ky njoftim është tërësisht i rremë dhe dashakeq duke synuar përhapjen e panikut  e frikës  tek qytetarët.

Deklaratë e Policisë së Shtetit
Policia e Shtetit, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm për zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore, duke synuar jo vetëm sigurinë fizike të qytetarëve, por edhe garantimin e qetësisë dhe ndjenjës së sigurisë, po merr masa për parandalimin dhe ndëshkimin ligjor të gjithë personave, të cilët nëpërmjet njoftimeve të rreme në rrjetet sociale, përhapin panik me lajme destabilizuese.

Kështu, në Tiranë, janë proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të  faqes së internetit Jeta Osht Qejf.

Këta shtetas, nëpërmjet faqes nën administrim të tyre, kanë lejuar publikimin e njoftimeve të rreme, të cilat mbjellin panik tek qytetarët.

Konkretisht, kjo faqe në datën 28.11.2019  ka shpërndarë një lajmërim, në të cilin aludohet për një numër të madh viktimash të gjendur në morgun e Tiranës.

Menjëherë pas publikimit të njoftimit, nga strukturat e specializuara të hetimit të krimit kibernetik, krimit ekonomik e financiar dhe strukturat e hetimit Antiterror janë kryer veprimet procedurale për të dokumentuar publikimin e këtij njoftimi dhe njoftimeve të tjera të kësaj natyre.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky njoftim ishte tërësisht i rremë dhe dashakeq duke synuar përhapjen e panikut  e frikës  tek qytetarët

Policia e Shtetit po monitoron çdo minutë dhe do të procedojë penalisht çdo person që do të publikojë lajme të rreme, të cilat përhapin panik tek qytetarët.

Në të njëjtën kohë, njoftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, Komisariatin Dixhital dhe në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale, për çdo njoftim të rremë që publikohet në rrjetet sociale i cili synon destabilizimin e qytetarëve.

Policia e Shtetit fton median dhe qytetarët që për çdo situatë e cila mund të ngrejë dyshime ti drejtohen Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore për të marrë informacion zyrtar.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 28/11/2019 21:03

    Te mbajne pergjegjesi penale per fake news ,duke shkaktuar panik ne opinionin publik.Te besh te tilla njoftime ne kete situate te tmerrshme, qe po kalon vendi eshte krim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Financial Times: Rusia ka rekrutuar mercenarë nga Jemini

Financial Times: Rusia ka rekrutuar mercenarë nga Jemini