Pas stuhisë del dielli. Kjo është shprehja që mund t'i përshtatet më së mirë Kristjan Asllanit. Mesfushori i Kombëtares për të tretën ndeshje radhazi luajti titullar për Interin dhe zbehu kritikat që u ngritën për të pas finales së humbur në Superkupë kundër Milanit.
Në fitoren 3-1 kundër Empolit, trajneri Simone Inzaghi i besoi shqiptarit nga minuta e parë dhe Asllani nuk zhgënjeu, duke dhënë asistin e golit të dytë dhe një lojë për t'u vlerësuar në mesin e fushës.
"SofaScore" ka publikuar këtë të martë edhe formacionin më të mirë të javës së 21-të në Serie A dhe bie në sy se Asllani me Barellan përbëjnë mesin e fushës. Nota 8.3 për Kristjanin që po tregon javë pas jave një rritje në lojë dhe përgjegjësi, duke përfituar nga dëmtimi i Calhanoglu dhe marrë besimin e Inzaghit.