Mark Bardhoshi me bashkëshorten jeton në një banesë modeste në periferi të qytetit të Pukës. Mosha po i kufizon çdo ditë e më shumë mundësitë për të vepruar i pavarur, por ai gjen forcë për të sfiduar pamundësitë fizike.
“Ka shumë persona me aftësi të kufizuara që vuajnë për gjërat më të domosdoshme si kequshqyerja, banesat e vjetra, lagështia e të tjera. Ne nuk kemi nevojë për mëshirë, por të trajtohemi me dinjitet”, u shpreh Bardhoshi.
Duke sjelle shembuj konkrete, Marku thote se ne fshatrat jetesa e personave me aftësi ndryshe po vështirësohet nga vetë shteti.
“KEMP-i për personat me aftësi ndryshe është dërguar në qendër të qarkut të Shkodrës. E si mundet një person nga Fierza apo Iballa të shkojë atje per trajtim?”
I diplomuar për ekonomi, Markut asnjehere nuk i eshte ofruar mundesia per te punuar, por ka gjetur një mënyrë për të mbushur ditën duke koleksionuar sende të vjetra.
“Çdo individ, me apo pa aftësi të kufizuara, ka mundësi të jetojë jetën me dinjitet, ashtu siç i takon një njeriu të përgjegjshëm”, tha ai gjatë intervistes për Report TV, teksa apelon:”Dhuroni përkujdesje dhe dashuri, sa jeta nuk ju ka gjunjëzuar, sepse një ditë do t’ju gjunjëzojë dhe do të keni nevojë për dashuri.”
Ndersa Vasil Kola, 25 vjeç, nga fshati Verbas i Patosit, është një shembull i integrimit në shoqëri edhe pse mes veshtiresive. Ai e ka ndjekur arsimin special që në moshën 12-vjeçare. Sot e gjejmë Vasilin në Qendrën Sociale “Murialdo” në Fier, ku ndjek kursin e kompjuterit. Pas moshës 18 vjeç, ai u angazhua në punë të lehta me orare të reduktuara.
“Ne jemi si ju”, thotë Vasil Kola, duke apeluar për gjithëpërfshirje dhe barazi.
Synimi i tij është të gjejë një vend pune pa ngarkesë ne vendimmarrjeje, që të jetë ndihmë për biznesin dhe jo barrë, ndërsa mes dëshirave të tij rinore rendit edhe krijimin e familjes.
Historitë e Markut në Pukë dhe të Vasilit në Patos tregojnë se aftësia nuk ka kufij. Ata nuk kërkojnë mëshirë, por trajtim me dinjitet dhe mundësi të barabarta në shoqëri.
Komente




