1 “HISTORIA E NOVELËS GRAFIKE DHE E KARIKATURËS” NË NJË BOTIM

Titulli: Historia e novelës grafike dhe e karikaturës

Autori: Oltsen Gripshi

Shtëpia botuese: Lilo Printing

Çmimi: 5000 lekë

“Novela grafike shqiptare është një rrëfim pamor i ndarë në skena, ku e kaluara mitike e ngarkuar me dogmat e realizmit socialist takohet me të tashmen që kërkon një personazh të ri për të mishëruar stereotipin shqiptar. Këto dy kohë përplasen pa fjalë të tepërta, sepse pas skenës së fundit, aty ku përfundon rrëfimi, nis heshtja që lexuesi do të duhet ta mbushë vetë.”

Me këto fjalë e prezanton botimin e librit të tij të ri autori Oltsen Gripshi. 

Botimi që sjell Oltsen Gripshi, është ndër më të veçantit në llojin e vet, ku bën bashkë studimin, artin, historinë dhe sociologjinë pas karikaturave të kohës dhe lindjes së novelës grafike në Shqipëri.

Ky studim që zuri fill në bibliotekë dhe prek faqet e pasurisë së saj, dëshmon për rolin e bibliotekës si vend ku dija ruhet, rijetësohet dhe merr formë të re nëpërmjet kërkimit shkencor.

2. “PËR PAK”, SHKRIMTARJA QIPRIOTE MARIA AVRAAMIDOU NË SHQIP

Titulli: Për pak (6 tregime)

Autori: Maria Avraamidou

Përktheu: Isida Foçi

Shtëpia botuese: Ombra GVG

Çmimi: 700 lekë

Maria Avraamidou, lindi në Kirenia në vitin 1939. Që nga viti 1957, kur u diplomua në Gjimnazin Panqipriot, deri në vitin 2000 ka punuar në Televizionin Publik, ku ka realizuar skenaret dhe regjinë e shumë dokumentarëve të ndryshëm, programeve për fëmijë, filmave televizivë dhe pjesëve teatrale. “Bregdetet e gjelbra”, “Engjëlli i ashpër” dhe shumë vepra të tjera, mbajnë firmën e saj.

3. “MË TELEFONO NËSE KE NEVOJË PËR MUA”, CARVER NË SHQIP

Titulli: Më telefono nëse ke nevojë për mua

Autori: Raymond Carver

Përktheu: Klea Vyshka

Shtëpia botuese: Toena

Çmimi: 1600 lekë

“Më telefono nëse ke nevojë për mua” përfshin gjithë prozën e Carver-it, e përmbledhur më herët te “S’ka heroizma, të lutem”, si dhe katër esetë të botuara te “Zjarret”. Në të janë përfshirë dhe pesë tregimet e mrekullueshme, të zbuluara dhjetë vjet pas vdekjes së tij, të cilat shtrihen në periudhën e shkrimit të pjekur të Carver-it, duke i dhënë lexuesve të devotshëm të tij një tjetër këndvështrim të shkrimtarit të madh. Kënaqësia e të shkruarit e Carver-it ndihet kudo në veprën e tij, edhe këtu, jo më pak, në këto tregime që tashmë kanë hyrë në hierarkinë e letërsisë moderne.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Te "Melodia e vargut" vjen ndjeshmëria, forca dhe gjenialiteti krijues i poetes Alda Merini.

Dhe pastaj bëni dashuri

Dhe pastaj bëni dashuri

Jo seks, vetëm dashuri.

Dhe me këtë dua të them puthje të ngadalta në buzë,

në gushë, në bark, në shpinë,

duar të ndërthurura,

dhe sy që zhyten brenda syve.

Dua të them përqafime aq të forta

sa të bëheni një e vetme,

trupa të ngatërruar dhe shpirtra të ngadhënjyer,

përkëdhelje mbi gërvishtje, rroba të zhveshura bashkë me frikërat,

puthje mbi brishtësi

mbi shenjat e një jete

që deri atë çast duhej të kish qenë disi e gabuar.

Dua të them gishta mbi trupa, që krijojnë yjësi,

thithni aroma, zemra që rrahin bashkë,

frymëmarrje që udhëtojnë në të njëjtin ritëm,

e pastaj, buzëqeshje,

aq të sinqerta sa prej kohe nuk kishin qënë më.

Ja pra, bëni dashuri dhe mos u turpëroni prej saj,

sepse dashuria është art, dhe ju kryeveprat.