“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Libri im i kujtimeve” nga Rafet Rudi, “Zonja Dallouej” nga Virginia Woolf dhe “Çdo grua duhet të bëjë plane” nga Maye Musk.
“LIBRI IM I KUJTIMEVE”, KRONIKË MUZIKORE NGA RAFET RUDI
“Libri im i kujtimeve” paraqet një “kronikë të jetës muzikore” nga vitet ‘70 deri në 1999, parë nga perspektiva e autorit si kompozitor, dirigjent dhe publicist. Ai tregon ngjarje dhe kujtime personale, duke përfshirë shkrimet e tij që datojnë që nga viti 1975, ku përshkruan zhvillimet në jetën muzikore në kontekstin e kushteve politike, sociale dhe kulturore. Libri ka karakteristika biografike, por është më shumë një kronikë e kohës dhe e ndikimeve që kanë formuar autorin. Ai ofron informacione të vlefshme për periudha të rëndësishme të jetës muzikore, të cilat janë të vështira për t’u gjetur në arkiva zyrtarë.
“ZONJA DALLOUEJ” E VIRGINA WOOLF, NË SHQIP ME PËRKTHIM TË RI
Në zemër të Londrës së viteve 1920, Klarisa Dallouej përgatitet të organizojë një mbrëmje mondane, ndërsa një ditë e vetme shndërrohet në një udhëtim të thellë brenda kujtimeve dhe emocioneve të saj.
Përmes ndërthurjes mjeshtërore të mendimeve, rrjedhës së ndërgjegjes dhe zërave të shumë personazheve, romani zbulon botën e brendshme të një gruaje që përballet me kalimin e kohës, zgjedhjet e së shkuarës dhe brishtësinë e ekzistencës njerëzore. “Zonja Dallouej” është një portret i fuqishëm i jetës urbane, i vetmisë dhe i kërkimit për kuptim, një kryevepër që e kthen një ditë të zakonshme në një pasqyrë të thellë të shpirtit njerëzor.
Virginia Ëoolf i tërheq vëmendjen lexuesit për ndryshimet, si njerëzit e mendojnë dhe e trajtojnë njëri - tjetrin, duke sjellë në mënyrë brilante ndjeshmërinë e kohës kur është shkruar ky libër, përmes syve të karaktereve të këtij romani, mbase ndjeshmërinë e vetë jetës së saj.
NËNA E ELON MUSK SJELL NË SHQIP LIBRIN BIOGRAFIK MBI GRATË
Maye Musk, ikona e elegancës së kohës sonë, është një grua që ka ditur të kujdeset për imazhin e saj - por mbi të gjitha për veten – duke u rindërtuar –në çdo moshë, edhe pse jeta nuk ka qenë gjithmonë e butë me të.
Në këtë libër, ajo rrëfen me vetëdije të thellë dhe me një ndjesi të këndshme ironie rrugëtimin e saj personal dhe profesional. Pas dhjetë vitesh abuzimesh, Maye i shpëtoi një martese të dhunshme dhe u detyrua të luftonte për të rritur e mbajtur tre fëmijët e saj, duke u përpjekur duke bërë shumë punë të ndryshme, përpara se të arrinte suksesin si modele dhe si nutricioniste.
Ajo vetë është përballur me vështirësi që lidhen me peshën trupore dhe ka thyer çdo stereotip mbi moshën në botën tepër përzgjedhëse të modës.
Siç e dinë mirë ata që e ndjekin në rrjetet sociale, Maye është një burim i pashtershëm këshillash praktike. E drejtpërdrejtë, e guximshme dhe e pathyeshme, ajo dëshiron të ndajë me të tjerët gjithçka që ka mësuar me përvojë dhe mund: përpara nesh kemi gjithmonë një udhëkryq mundësish që, nëse na bëjnë të lumtur, duhen ndjekur me vendosmëri.
Dhe nëse është e vërtetë që nuk mund të kontrollojmë gjithçka që ndodh në jetën tonë, po aq e vërtetë është se në çdo moshë mund të zgjedhim jetën që duam.
Mjafton të kemi një plan. Libri përfshin edhe fotografi familjare.
Sonila Strakosha
Poezi e zgjedhur nga Ndre Mjeda
Ëndrro Dashuno
Ëndrro. Njeri, sot ma Shum se kurr
Vepro. E Len prova tprekshme
Fol. E tnihet zani deri nskaje
Jeto. At jet tanen, Jo tjervet
Ngihu. Me gjanat Si tmushin zemren
Pi. Bukurin e deteve e oqeaneve
Meso. E burimi dijes mos tdij me shterru
Puno. Kopshtin e mendjes gjithmon
Lexo. Poemat e shpirtit tan
Kupto. Vuejtjen njerzore tpakufi
Ndimo. At T'paudhin tkthehet
Ndriqo. Fike terrin
Urreji. Vetem padrejtsit
Duej. Duej e vetem duej
Dashuno. Po mos jep arsye.
Komente







