1.TRE KRYEVEPRA AUTOBIOGRAFIKE TË ANNIE ERNAUX TASHMË NË SHQIP
Tri nga veprat më të rëndësishme të Annie Ernaux, një prej zërave më të spikatur të letërsisë bashkëkohore franceze dhe fituese e Çmimit Nobel për Letërsinë, vijnë tashmë në shqip të përmbledhura në një botim të vetëm nga shtëpia botuese “Dudaj”.
“Historia e një gruaje”, “Ngjarja” dhe “Turpi” janë tre romane autobiografike që eksplorojnë kujtesën, identitetin, marrëdhëniet familjare dhe shtresat sociale përmes stilit të drejtpërdrejtë dhe të kursyer që e ka bërë Ernaux një nga autoret më të lexuara të kohës sonë.
Në “Historia e një gruaje”, Ernaux rikthehet te figura e nënës së saj, e cila u nda nga jeta pas një periudhe të gjatë të sëmundjes së Alzheimerit. Përmes kujtimeve, autores i duhet të rindërtojë jo vetëm jetën e nënës, por edhe marrëdhënien komplekse mes tyre.
Ky libër vjen si një rrëfim në ekzistencën e një gruaje, punëtore, më pas tregtare, e shqetësuar për të “ruajtur vendin e vet” dhe për të mësuar. Por edhe si një zbulim gjithashtu, i evolucionit dhe i dy-faqësisë së ndjenjave të një vajze ndaj nënës së saj: dashuri, urrejtje, butësi, ndjenjë faji e, më në fund, një lidhje mishërore me plakën e rrënuar.
Libri është një reflektim mbi dashurinë, humbjen, fajin dhe kalimin e kohës, por njëkohësisht edhe portreti i një gruaje të zakonshme që përpiqet të ruajë vendin e saj në shoqëri.
Notat autobiografike janë të pranishme në të gjitha veprat e përfshira në këtë vëllim.
Në romanin “Ngjarja”, autorja rikthen një prej përvojave më të vështira të jetës së saj, abortin në moshë të re, në një kohë kur paragjykimet shoqërore dhe kufizimet ndaj grave ishin shumë më të forta.
Përmes një rrëfimi të zhveshur nga sentimentalizmi, Ernaux nuk tregon vetëm historinë e saj personale, por sjell edhe atmosferën e një epoke të tërë.
Një tjetër vepër e përfshirë në botim është “Turpi”, ku autorja rikthehet te një ngjarje që e ka shënjuar gjatë fëmijërisë dhe që për vite me radhë kishte mbetur e pathënë.
Në këtë roman, Ernaux shqyrton mekanizmat e turpit, kujtesës dhe emancipimit personal, duke dëshmuar edhe një herë aftësinë e saj për ta kthyer përvojën individuale në reflektim kolektiv.
Me një stil të thjeshtë, por thellësisht depërtues, Annie Ernaux vazhdon të mbetet një nga autoret që arrin të flasë për përvojat më intime njerëzore dhe t’i kthejë ato në letërsi universale.
Botuesja sugjeron që veprat e Ernaux mund të lexohen nga të gjithë, pasi temat që trajtojnë: familja, kujtesa, humbja, turpi dhe emancipimi, janë pjesë e përvojës njerëzore që prek çdo lexues.
Annie Ernaux, fituese e Çmimi Nobel për letërsinë, përmbledh në këtë libër tre rrëfime të fuqishme që eksplorojnë jetën, kujtesën dhe identitetin përmes përvojave
2.CANOSINAJ MBYLL SAGËN E MERIT DHE SIDIT ME ROMANIN E TRETË
Pas romaneve “Meriyll” dhe “Pandashmërisht Meriyll”, shkrimtari Viktor Canosinaj vjen për lexuesit me pjesën e tretë dhe përmbyllëse të sagës së njohur të Merit dhe Sidit. Libri i ri, “Grua me emrin Meriyll”, sjell personazhet në një etapë të re të jetës, duke pasqyruar sfidat dhe realitetet e shoqërisë shqiptare në dy dekadat e fundit.
Në faqet e romanit, autori ndërthur historitë personale të personazheve me zhvillimet sociale, ekonomike dhe politike të vendit. Ai trajton tema aktuale si korrupsioni, tundimi për pasurim të shpejtë, emigracioni, por edhe sfidat që sjell kriza e moshës së mesme.
Sipas Canosinajt, romani synon jo vetëm të ofrojë kënaqësi estetike dhe artistike, por edhe të paraqesë një panoramë të gjerë të shoqërisë shqiptare, përmes historive dhe përjetimeve të personazheve kryesore.
Autori thekson se në qendër të veprës mbetet besimi tek e ardhmja dhe dashuria për vendin, pavarësisht vështirësive me të cilat përballen individët dhe familjet.
Canosinaj shprehet se të tre romanet formojnë një trilogji të mirëfilltë, të bashkuar nga të njëjtët personazhe dhe nga rrugëtimi i tyre jetësor.
Autori zbulon se, ndryshe nga romani i dytë që erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së lexuesve për një vazhdim, pjesa e tretë lindi si një domosdoshmëri krijuese për të përmbyllur historinë e dy personazheve.
Me këtë vepër, Viktor Canosinaj mbyll një cikël letrar që ka shoqëruar breza lexuesish për afro tre dekada, duke sjellë në letërsinë shqiptare historinë e plotë të Merit dhe Sidit.
3.STUDIMET E SINANIT, ÇELËS PËR TË KUPTUAR VEPRËN KADARE
Një vështrim kritik mbi librin “Letërsia në totalitarizëm dhe ‘Dosier K.’” të profesor Shaban Sinanit vjen përmes studiuesit Xhafer Martini.
Libri “Një hyrje për në kështjellën Kadare” synon të ndihmojë lexuesin të depërtojë më thellë në analizat, interpretimet dhe mesazhet që kadarelogu Sinani ka sjellë në studimet e tij kushtuar veprës së Ismail Kadaresë.
Ky botim nuk është thjesht një koment kritik, por një përpjekje për të krijuar një urë komunikimi mes studiuesit dhe lexuesit, duke shpjeguar metodën interpretative të Shaban Sinanit dhe mënyrën se si ai nxjerr në pah vlerat letrare e artistike të shkrimtarit shqiptar më të njohur në botë.
Sipas Martinit studimet e Shaban Sinanit nuk mund të lexohen thjesht si një libër temash apo motivesh letrarë, por si korpus idesh, mesazhesh dhe problemesh që fton lexuesin në reflektim të vazhdueshëm mbi letërsinë, historinë dhe rolin e shkrimtarit në shoqëri.
Përmes analizës së Sinanit, vihen në pah forca artistike e veprës së Kadaresë, pasuria figurative e gjuhës dhe ndikimi që ai ka pasur në afirmimin e kulturës dhe identitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
"Melodia e vargut" përcjell vargje nga poeti gjerman Hermann Hesse, fitues i çmimit Nobel në letërsi në vitin 1946. Poezitë janë përkthyer mjeshtërisht nga Juliana Vogli.
Melodia e Vargut nga Sonila Strakosha
Këngë dashurie
Unë jam nje dre, e ti kaprolli!
Une jam një zog e ti je pema!
Dielli jam unë e ti dëbora, unë jam vetë dita e ti vetë endrra!
Netëve në gjumë një zog të artë të nis , me krahë shumëngjyrësh e një zë të kulluar,
ai tek ti sjell këngët e dashurise,dashurinë time për ty, ky zog e ka kënduar!
Melankolisë
Ty t'u pëvodha ...edhe miqve ...edhe verës
I trembesha për vdekje unë shikimit tënd therës!
Veç n’krahë të dashurisë e tingull të lahutës të harroja...
Unë, biri i pabesë, të tradhtoja!
Por ti në heshtje prapë pas më vije,
e bëheshe ti njësh me verën që në dorë mbaja si pije,
Aty, me mua dhe në netë të zymta dashurie,
por dhe n’dallëdisjet e mia prej fëmije!!
Tani e përtërin ti këtë krijesë të rraskapitur,
kokën ma mban në prehërin tënd si një fëmijë,
e kthehem unë nga çdo largim, çdo e papritur...
Çdo çmenduri e imja,
veç një rrugë tjetër për tek ti!
Mbrëmje e vetmuar
Në shishen bosh dhe në një gotë
vakët pëflaket një qiri,
në dhomë bën ftohtë…
e jashtë mbi bar bie shi.
E përsëri përpiqesh të gjesh pak qetësi
dukë mërdhirë në shpirtin plot mërzi;
mëngjesi e mbrëmja shkojnë e vijnë,
por asgjëkund s’po dukesh ti!
Komente


