“Në Librari” vjen me 3 tituj: “Racë e keqe” nga Ugo Barbara, “Gjëra të vogla si këto” nga Claire Keegan dhe “Metamorfoza e saj” nga Amanda Michalopoulou.
“RACË E KEQE”, HISTORIA E EMIGRIMIT NË SAGËN E UGO BARBÀRA
Një sagë familjare e bukur, interesante, me drama të forta dhe personazhe që përshkojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së Sicilisë.
Në fillim të librit gjendemi në Long Island në vitin 1990. Më pas bëhet një kërcim shumë i gjatë në kohë dhe gjendemi në Castellammare del Golfo në vitin 1890, ku fillon pjesa e parë.
Familjet protagoniste janë katër: Montaltot, Ricot, Skuderat dhe Shipatestet. Secila prej tyre ka një histori krejt të ndryshme për të treguar por të gjitha rrëfimet ndërthuren me ardhjen e Garibaldit në Siçili. Por vetëm Montaltot jane ata që do të emigrojnë në Amerikë.
Në pjesën e dytë ndodhemi në Nju Jork midis viteve 1860 dhe 1865.
Montaltot përpiqen të përshtaten në këtë botë të re, me zakone dhe tradita krejtësisht të ndryshme nga ato të Siçilisë, mbi të gjitha me një gjuhë të panjohur që duhet ta mësojnë nëse duan të ecin përpara. Dhe do të ecin përpara, duke takuar gjatë rrugës shumë personazhe të tjera dhe duke u dhënë jetë historive të tjera.
Një tablo e zymtë, ku italianët, "racë e keqe" nuk shihen me sy të mirë dhe detyrohen të jetojnë në periferi, në shtëpi të rrënuara, të detyruar të bëjnë punët më të rënda për të siguruar jetesën. E gjithë kjo ndodh ndërsa Linkolni po miraton ligjin kundër skllavërisë, me të gjitha pasojat që kjo sjell, mes atyre që janë pro dhe atyre që janë kundër.
Në pjesën e tretë jemi sërish në Nju Jork, por në vitin 1880. Janë fëmijët e Montaltove që vazhdojnë historinë, deri në epilogun përfundimtar ku rikthehemi në Long Island në vitin 1990. Dhe pikërisht këtu vjen kthesa e madhe e fundit, e shkruar në rreshtin e fundit, ajo që të bën të tronditesh dhe të fillosh të kuptosh se ndoshta rrëfimtari i historisë është i njëjti person që hapte prologun.
“GJËRA TË VOGLA SI KËTO”, PËR HESHTJEN E NDËRGJEGJEN MORALE
Është njëra nga ditët që Billi Furlongu vërtitet nëpër ferma dhe fshatra me kamionin e ngarkuar me dru, torfë e qymyr. Askush nuk dëshiron ta kalojë në të ftohtë javën e Krishtlindjeve. E nën dëborën që vazhdon të bjerë pa pushim, gjithçka ka mbetur e njëjtë në këtë cep të Irlandës. Por befas, në oborrin e heshtur të një manastiri, Billi takohet me dikë që arrin të shkundë shpirtin dhe kujtimet e tij. Ta lësh mënjanë, të kthehesh nga ana tjetër është zgjedhja më e thjeshtë e sigurisht më komode. Por ndoshta për Billi Furlongun ka ardhur çasti që të dëgjojë zemrën.
Një sukses i madh ndërkombëtar, një histori e pakohë, në gjendje që të ndriçojë ato veprime të vogla që i japin dinjitet një jete të tërë.
Claire Keegan ka lindur më 1968 në kontenë e Ëickloë-it në Irlandë. Libri “Gjëra të vogla si këto” u botua në 30 vende dhe ishte finalist i Booker Prize-it.
“METAMORFOZA E SAJ”, NJË HISTORI PËR IDENTITETIN E SEKRETET
Një mëngjes, duke u zgjuar nga një makth, Sasha zbuloi se ishte transformuar në burrë. Kështu fillon aventura e çmendur e heroinës së re, një studenteje që është ushqyer me ideale femërore të vetësakrificës dhe bindjes. Si do t'ua riprezantojë veten miqve të saj, prindërve të saj, profesorit të saj të tmerrshëm? A do të arrijë ta gjejë veten përsëri në trupin e saj të ri, të panjohur?
Dhe në një botë ku Qameti ka ndodhur tashmë, duke rrënuar themelet e shoqërisë? Me fjalë të tjera, a mund të ketë dashuri, shpresë dhe progres pas rënies së roleve të vendosura shoqërore? Amanda Michalopoulou shkroi një roman për rritjen e moshës për fundin e gjinive dhe natyrën hermafrodite të njeriut dhe në të njëjtën kohë historinë e një post-Eden, fundin e botës siç e njohim ne. Transformimi i saj është një libër jashtëzakonisht i kohëpaskohshëm, i cili lufton ashpër stereotipet e gjinisë, familjes, edukimit seksual, autoritetit të të gjitha llojeve dhe vë në pikëpyetje mënyrën se si kapitalizmi na ka mësuar të kërkojmë lumturinë.
Sonila Strakosha
"Melodia e vargut" sjell vargje të poetit Arben Duka
Jeta ime
Jeta ime që s’të zhyta
Në llum e në baltë,
Por as dot nuk të gostita
Me llokum e mjaltë.
Jeta ime, të dy ecëm
Si dy të harbuar.
Diku ramë e diku ngecëm,
Po prapë jemi çuar.
Jeta ime, jeta ime
Qilim dot s’të shtrova,
Nëpër mjegull e gjëmime
Si i marri shkova.
Pak na mburrën, pak na deshën
Sa shumë që na shanë.
Ne të sharat i përqeshëm
Kokën hiç s’e çamë.
Jeta ime, jeta ime
S’të bëra nallane
Po të vesha me blerime
Në shi e tufane.
Nuk të fsheha në një strofull,
S’të blova në mokër
Dhe pse kishim rreth e rrotull
Mijëra mediokër.
Le të ecim, kohë s’kemi
Që t’ia fusim gjumit,
Le të ndezim, sa të jemi
Një dritëz mes llumit.
Komente







