1 “ROMAN RUS”, LIBRI HISTORIK I ALESSANDRO BARBEROS NË SHQIP
Fundi i Bashkimit Sovjetik. Ajatollahu sovjetik vritet në mes të Bakusë. Hetuesi nga Moska has në rezistenca te pazakonta nga KGB-ja e Azerbajxhanit. Rusët zbulojnë se në këtë botë ekzistoka edhe liria. E duan?
Më mirë madhështia e Stalinit me gjithë terrorin, shurdhëria e Brezhnjevit me gjithë vështirësitë apo kjo liri e Gorbaçovit, por me pasiguri e mungesa të domosdoshme? Fakte nga arkiva të fshehta të Rusisë, të rrëfyera si në një roman nga historiani Alessandro Barbero vijnë te “Romani rus”, tashmë të sjellë në shqip. Libri mund të shërbejë edhe si një tjetër çelës për të kuptuar këtë Rusi të sotme.
Një gjykatës në moshë të mesme, i shtyrë nga kureshtja dhe sfida intelektuale e punës së tij, që përpiqet të ruajë njerëzillëkun, ndërsa heton krimet brutale; një historiane e re naive, e gatshme të marrë në sy çdo rrezik për të zbuluar krimet shtetërore të viteve 1940; një aktor, i fiksuar pas romanit që po shkruan për shfarosjen e hebrenjve të Odesës dhe një klerik mysliman, besnik ndaj Bashkimit Sovjetik, vrasja e të cilit ka kaq shumë pasoja: drama njerëzish, në dukje larg njëri-tjetrit, që në fund bashkohen, për të thurur një dramë komplekse në një rrëfim për dy qytete, Moskën dhe Bakunë, në një nga realitetet historike më të pakapshme, të paqëndrueshme dhe të lëna pas dore: Rusinë e Gorbaçovit...
Kush e kujton sot se si ishte Rusia e asaj kohe? Kur glasnosti, papritmas, i dha zë mospajtimit, kur arkivat u hapën dhe kujtimet e tragjedive të së kaluarës u zhvarrosën, kur Bashkimi Sovjetik ende ekzistonte dhe rusët e ukrainasit, azerbajxhanasit dhe armenët bashkëjetonin në atë vend të gjerë dhe, nën fasadën e komunizmit ortodoks gjithçka, nga përfitimi prej mafies te fundamentalizmi islamik, ziente.
Alessandro Barbero e tregon këtë histori me një ritëm dhe një mënyrë që të sjell ndër mend shkrimtarët e mëdhenj rusë, si Gogoli dhe Bulgakovi.
“Roman rus” rrëfen dekadën e fundit të paqartë të Bashkimit Sovjetik ku, në përfundim të historive të Tanjës, gjykatësit Nazar Kalistratoviç dhe Mark Kaufmanit do të jetë e pashmangshme të nuhasim, siç paralajmëron një varg i poetit Mandelstam, viktimë e Stalinit, “mizoritë që na presin”.
2. NJË ROMAN PËR FESTIVALIN E 11-TË E KËNGËTARIN SHERIF MERDANI
Një ngjarje e veçantë, pesëdhjetë e katër vjet më parë, ka ngjallur dhe ringjall ende sot diskutime të shpeshta. Bëhet fjalë për Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion, që u prezantua nga Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, me redaktor të teksteve Sadik Bejkon dhe regjisor Mihal Luarasin, ku u vlerësuan me çmim të parë Tonin Tërshana, me të dytin Lindita Sota dhe me të tretin Ema Qazimi.
Pikërisht në këtë festival interpretuan këngëtarët më të mirë të asokohshëm, mes të cilëve Françesk Radi e Justina Aliaj, Sherif Merdani e Vaçe Zela, Liljana Kondakçi e Dorian Nini, Zija Saraçi e Bashkim Alibali, Iliriana Çarçani e Valentina Gjoni, Petrit Dobjani e Ilmi Hoxha, Fatbardha Rakipi e Lefter Agora, Suzana Qatipi e Shkëlqim Pashollari.
Pikërisht në këtë sfond është ndërtuar romani i tretë i Bujar Skëndos, “Dëshmitari i rremë”. Ndërsa lexojnë për Seran Mejdanin, të gjithë do të njohin menjëherë portretin e Sherif Merdanit, një ndër artistët më të mirë të kohës, por edhe me një tjetër shkëlqim pas daljes nga burgu. Në qendër të konfliktit zënë vend skenat dramatike të gjyqit kundër Seran Mejdanit. Sekuencat dhe replikat nga seancat gjyqësore janë të përshkruara me tension dhe vërtetësi artistike.
Në zemrën e zezë të kozmosit, gjashtë astronautë, dy gra dhe katër burra, udhëtojnë në orbitë rreth Tokës, në bordin e një stacioni hapësinor. Vijnë nga Amerika, Rusia, Italia, Britania e Madhe e Japonia dhe janë nisur për të studiuar planetin e heshtur blu, ku jeta, nga e cila janë përjashtuar, rrjedh vrullshëm: një martesë në krizë, një varrim, një vëlla i sëmurë, një tajfun që kërcënon me shkatërrim.
I shohim në çaste të shkurtra intimiteti, teksa përgatisin ushqime të dehidratuara, bëjnë ushtrime që të mos u atrofizohen muskujt, pluskojnë në një gjumë pa gravitet dhe, për t’i shpëtuar vetmisë, fillojnë të afrohen mes tyre. Secili i zhytur në mendimet e veta dhe në të kaluarën atje poshtë, në Tokë, por sa më shumë kalon koha, aq më tepër fillojnë të ndihen pjesë e një trupi të vetëm: Pietro është mendja, Antoni - zemra, Romani - duart, Çieja - ndërgjegjja, Shoni - shpirti dhe Neli - fryma.
I thellë dhe prekës, “Në orbitë” (në origjinal “Orbital”) është një këngë dashurie kushtuar bukurisë së universit dhe të planetit tonë, i cili, i parë nga larg, shfaqet i çmuar dhe i brishtë, një xhevahir që rri pezull në pafundësi, një parajsë që duhet mbrojtur. Me një zë magjepsës, Samantha Harvey na kujton se, përballë pafundësisë së kohës dhe hapësirës, ne jemi vetëm gjethe të vogla në erë dhe se jeta jonë merr formë prej ëndrrave e vizioneve që kemi për të ardhmen.
Ky libër është për ata që dikur i kthenin shishet në anije kozmike magjike, për ata që shohin penelatat e Ëilliam Turnerit në peizazhet e përmbytura nga drita, për ata që pluskojnë e vërtiten në thellësitë e një ëndrre dhe për ata që kanë kuptuar se ne ekzistojmë në një lulëzim të përkohshëm jete e dijeje - një shpërthim veror, i shkurtër sa një rrahje qepallash.
Te “Melodia e Vargut” vjen fjala e bukur dhe fuqiplotë e rilindasit të madh Naim Frashëri. Për Naimin bukuria është kudo në univers, është aty ku gjendet Perëndia, dhe formën më të përsosur e ka te vetë njeriu.
Disa pjesë të shkëputura nga poema "Bukuria".
Do të këndonj Bukurinë
E të lëvdonj Perëndinë,
Perëndin’ e bukurisë,
Q’i dha shijë gjithësisë!
Perëndija bukuroshe!
Ty të falem e të lutem
Më vjen në gji të të futem
O Zonja përkëdheloshe!
Që më je si mbretëreshë,
Të keqen o pëllumbeshë.
***
Mos i hap leshratë n’erë
Të m’arratiç mëndjen t’ime,
Mos më shiko edhe një herë,
Se m’u bë zëmra thërrime.
Si thëllëx’ e bukur mos shko
Mos vështro si pëllumbeshë,
Shpirtinë mos m’a përvëlo,
Mos u tunt si mbretëreshë.
Me qepallatë si shtijë
Mos më vra mos më plagos,
Me vështrim po si shkëndijë
Mos më vdis e mos më sos.
***
M’iku me vrap djalërija
E më la mbi dhé të shkretë,
Më erdh shtriga pleqërija
Pshehtazi, si qen’ i qetë.
O popo! ç’më gjet, o shokë,
Do të qanj me thes në kokë,
O ditët e djalërisë,
Që kishit shumë gëzime,
Ratë në det t’arratisë,
Më latë në hidhërime!
Tani jetënë ç’e dua,
Më s’ësht’ e shkreta për mua,
Ti o bukuroshja ime!
Të ritë m’a paç për jetë,
Kurrë mos pafsh hidhërime!
Të dashtë Zot’ i vërtetë!
Syri yt mos u-venittë,
Si hëna u-përtërittë.
Komente







