Videoja ku efektivët e policisë dhe ushtrisë ushtrojnë dhunë ndaj qytetarëve në rrugë nuk është nga Spanja dhe nuk ka lidhje me mosbindjen me masat kundër koronavirusit. Kryeministri Edi Rama mes videove senzibilizuese që qytetarët të ndërgjegjësohen për të respektuar masat për të parandaluar koronavirusin, sot postoi edhe një, sipas tij nga Spanja, ku qindra qytetarë vrapojnë në rrugë, ndërsa ushtria dhe policia ushtrojnë dhunë për të pabindurit.

"Këtë video nga Spanja ku dje vdiq një njeri çdo katër minuta, po e postoj për të gjithë ata që do shkojnë të bëjnë pazar nga e hëna e deri në fund të luftës! O një nga një, në radhë si ushtarë dhe me durim e në distancë nga njëri - tjetri të mbarojnë të gjithë punë me radhë, pa vrarë njerëz majtas - djathtas, o pastaj me vrap e pa bërë dot as pazar...Zgjidhni e merrni, se forcat e rendit e kanë ndarë mendjen top dhe kanë përgjegjësinë historike të reagojnë pa asnjë tolerancë" shkruan Rama.

Por Partia Demokratike e denoncoi si mashtrim, pasi sipas selisë blu videoja është nga një protestë antiqeveritare në Algjeri dhe jo nga situata e virusit në Spanjë. "Sot Edi Rama ka shpërndarë një gënjeshtër të rrezikshme për t’i trembur edhe më shumë qytetarët e Shqipërisë. Video e shpërndarë nga Edi Rama në profilin e tij zyrtar në facebook është mashtrim, sepse ajo është shkëputur nga një protestë antiqeveritare në Algjeri dhe jo nga situata e virusit në Spanjë. Në Spanjë situata është e rënduar, por një shtet demokratik i Bashkimit Europian nuk vepron kurrë me dhunë ndaj shtetasve të vet, siç gënjen dhe mashtron Edi Rama. Ai është sot burimi kryesor i panikut dhe pasigurisë në Shqipëri. I gjendur i papërgatitur, pa ide dhe në majë të një qeverie të kalbur nga skandalet dhe korrupsioni, ai ka dështuar të qetësojë dhe të kompensojë njerëzit, si dhe të menaxhojë një karantinë të efektshme.

Paradite i detyron qytetarët të dynden në dyqane, në drekë i terrorizon me video nga protestat antiqeveritare kundër regjimit autoritar në Algjeri, duke e shitur atë si dhunë që ndodh rëndom në Bashkimin Europian. Kjo është papërgjegjshmëri. Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të dalë nga shtëpia dhe të bëjë detyrën, t’u japë fund mesazheve që përhapin panik tek qytetarët dhe të përqendrojë të gjithë vëmendjen e tij tek detyrat e Qeverisë për të parandaluar përhapjen e virusit dhe për të zgjidhur krizën social-ekonomike që ka krijuar situata.Partia Demokratike i bën edhe njëherë apel të fortë çdo qytetari të ndjekin me seriozitet dhe përgjegjshmëri masat e kufizimit të lëvizjes dhe distancimit social. Zbatimi rigoroz i këtyre masave është me rëndësi jetike për të mbrojtur veten dhe njerëzit tanë më të dashur" shkruan PD-ja.

Kryeministri Rama disa minuta më pas në një tjetër postim në Facebook e pranoi se ra viktimë e një miku shqiptar nga Italia që ia kishte dërguar videon. Kryeministri kërkoi ndjesë për pasaktësinë, sipas tij të paqëllimshme kur mori vesh se pamjet ishin nga Algjeria. "Videon e postuar diku më parë, ku shkruhej se ka ndodhur në Spanjë, ma dërgoi një mik shqiptar nga Italia, i cili padiskutim ashtu e dinte dhe i dëshpëruar me ca pamje sot paradite në tregjet e Tiranës, më shkruante “Shikoje ç’bën policia në Spanjë”! E postova jo pa qëllim pas mesazhit tim të sotëm, ku ju thashë hapur se nuk do të ketë më asnjë tolerancë nga forcat e rendit. Tani marr vesh që qenkan pamje nga Algjeria!

Ndjesë sinqerisht për pasaktësinë e paqëllimshme, që paska frymëzuar edhe një deklaratë gjithë akuza e budallallëqe të Partisë Demokratike! Rashë edhe unë njëherë viktimë e “qytetarit dixhital”. Të gabosh është njerëzore, po rëndësi ka të mos bësh gabime të qëllimshme dhe të kërkosh ndjesë kur gabon! Por, duke qenë se as “qytetari” në fjalë, as unë dhe as shumica dërrmuese e juaja që ka komentuar pozitivisht në atë postim, nuk kemi pasur hallin e vendit të ngjarjes, po kemi hallin e madh të nevojës për reagimin e domosdoshëm me zero tolerancë kundër atyre që na rrezikojnë të gjithëve, me sjelljen e tyre të papërgjegjshme, postimi nuk do të lëvizë nga vendi (natyrisht duke hequr fjalën Spanjë) dhe mesazhit të tij i qëndroj 100% pa asnjë diskutim!" shkruan Rama.

Gazment Bardhi nuk është mjaftuar me ndjesën e kryeministrit, teksa ka reaguar sërish me akuza kundër tij. "Përhapja e panikut dhe nxitja e dhunës ndaj qytetarëve nuk shërbëjnë në këto momente të vështira për shqiptarët. Masat kufizuese për qëndrimin e qytetarëve në shtëpi duhet të jenë të forta dhe ato duhen respektuar nga çdo qytetar, sipas ligjit.

Por, detyra e kryeministrit nuk është as të përhapë panik, as të mallkojë qytetarët, as t’i mashtrojë ata dhe aq më pak, të ushtrojë dhunë ndaj tyre si homologu algjerian! Detyra e Kryeministrit tani është të transmetojë siguri për qytetarët, duke u garantuar pagat dhe ushqimin, si dhe duke marrë masa serioze, jo kaotike, jo të pamenduara, që garantojnë mospërhapjen e virusit.

Dil nga shtëpia dhe bëj detyrën e Kryeministrit! Pas faljes gjysmake, Edi Rama, në vend që të sulmojnë opozitën, duhet të heqë dorë menjëherë nga mesazhet që përhapin panik të panevojshëm. Qytetarët kanë nevojë për mbështetje dhe veprime konkrete në ndihmë të shëndetësisë dhe ekonomisë, dhe jo panik, gjuhë të shfrenuar dhe  fjalë boshë".