Në shënjestër të OFL-së, kush është biznesmeni trafikant droge, lidhjet politike të 'Titit të Ukës' me PD Lezhë

Njëri nga dy emrat të cilëve OFL-ja u ka dërguar formularin për justifikimin e pasurisë është edhe Astrit Limani, i njohur edhe me mbiemrin Nimani. Në 10 maj të vitit të kaluar ai u arrestua, pasi ishte në kërkim nga drejtësia italiane i dënuar me 13 vite burg për organizatë kriminale në trafikun e drogës. 49-vjeçari që njihet edhe si "Titi i Ukës" u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali.

Ai ka disa biznese në Lezhë. Për Limanin në 2015 ka pasur edhe një hetim për të gjitha pasuritë e ngritura kryesisht në Shëngjin, që dyshohet të kenë ardhur nga veprimtaria kriminale. Në vitin 2015, me vendim të Prokurorisë për Krime të Rënda, atij i ishin sekuestruar 230 apartamente banimi në tre pallate në Shëngjin në vlerën rreth 10 milionë euro. Limani është administrator dhe ortak me 40% i kompleksit turistik “Marina San Giovani Ermiri Palace”, në Shëngjin dhe i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në qershor të vitit 2013.

Por angazhimi i tij ka qenë edhe politik. Në vitin 2013, Astrit Limani ishte anëtar i Këshillit Bashkiak në Bashkinë e Lezhës, nën siglën e Partisë Ora e Shqipërisë, e cila ishte në koalicion me Partinë Demokratike. Ai ishte edhe anëtar i Komisionit të Urbanistikës dhe Programeve të Zhvillimit, nënkryetar i Komisionit të Arsimit Kulturës dhe sporteve dhe anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financës në këtë këshill bashkiak.

Astrit  Limani ka qenë disa herë i dënuar në Itali për trafik të drogës nga Shqipëria drejt shtetit fqinj. Edhe në vitin 2013, ai është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën e kalimit kufitar të Merdarës, në kufirin me Kosovën. Nimani arriti të largohej nga territori i Shqipërisë vetëm pak orë para se të shpallej në kërkim nga policia, ku mundi që të kalonte i qetë doganën në Morinë.

Ai është ekstraduar në Itali më 20 dhjetor 2013 për të vuajtur dënimin dhënë në mungesë nga gjykata e Milanos (në nëntor 2009) me 7 vite burg për trafik narkotikësh dhe evazion fiskal. Për shumë vite Nimani nuk është ngacmuar nga policia por edhe nga prokuroria e Lezhës, ndërkohë që drejtësia italiane ka vendime ndaj tij që datojnë që nga vitit 2005. Edhe pse i kërkuar, në 2013 ka mundur të bëhet dhe anëtar i këshillit bashkiak të Lezhës, ndërkohë që në 2019 u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali.

Pasuritë e vëna nën sekuestro në plazhin e Shëngjinit në vitin 2015:
1-Një godinë 5-katëshe, Hotel-Bar-Restorant, me sipërfaqe totale 7940 m2
2-Një godinë 13-katëshe, me sipërfaqe totale 5000 m2, ku përfshihen: 65 apartamente banimi, njësi tregëtimi dhe garazhe.
2-Një godinë 13-katëshe, me sipërfaqe totale 6500 m2, ku përfshihen: 65 apartamente banimi, njësi tregëtimi dhe garazhe.
4-Një godinë 10-katëshe, me sipërfaqe totale 9500 m2, ku përfshihen: 90 apartamente banimi, njësi tregëtimi dhe garazhe parkimi.


Lajmi kryesor:

OFL ndalet në Lezhë, dy të dënuar për trafik droge duhet të justifikojnë pasurinë, kush është 'Titi i Ukës' dhe lidhjet me PD-në


/b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin

Kina, sanksione ndaj 7 kompanive si kundërpërgjigje ndaj ndihmës ushtarake amerikane për Tajvanin