Të luftosh koronavirusin në vijën e parë të frontit nuk është e lehtë, por mjekët dhe infermierët e kanë pranuar detyrën e tyre me përkushtim dhe sakrificë për të kryer misionin për të cilin kanë bërë dhe betimin e Hipokratit, të shpëtojnë jetë. Pikërisht këtë bluzat e bardha shqiptare janë duke bërë që kur koronavirusi u shfaq edhe në Shqipëri.
Një nga personat në vijën e frontit të luftës është edhe kryeinfermieri Ilir Velsula, puna e të cilit është vlerësuar edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. I veshur nga koka te këmbët me veshje speciale për të trajtuar pacientët me covid-19 dhe shenja në fytyrë për shkak të mbajtjes së maskave me gjatë gjithë ditës, Ilirit nuk i mungon buzëqeshja në fytyrë për të përcjellë shpresë për të ardhmen.
"Kryeinfermieri Ilir Velsula punon pa u lodhur çdo ditë në vijën e parë të frontit në shërbim të pacientëve të prekur nga COVID19 në spitalin infektiv, me sakrificë e përkushtim, me misionin për të shpëtuar jetë. Infermierët po bëjnë një punë heroike në përballjen me COVID-19", shkruan Manastirliu.