TIRANË- Për ish-kryeministrin Sali Berisha thirrja e tij në SPAK për të dhënë llogari për privatizimin e ish kompleksit Partizani është bërë sepse Edi Rama kërkon të fshehë vjedhjet me inceneratorët. Megjithatë Berisha tha se do të shkojë dhe të përgjigjet.

“S’kam marrë asnjë flet thirrjeje nga SPAK por nëse po do i përgjigjem çdo fletë thirrjeje. Është totalisht përpjekje mjerane nga Rama për incenratorët dhe çështje të tjera. Unë shkoj gjithmonë sa herë të thirrem, sidomos kur bëhet fjalë për  një organ akuze edhe pse notohet në detin e falsitetit unë nuk hezitoj kurrë të përgjigjem”, tha Berisha.

E djeshtmja ishte dita kur nisi radha e marrjes në pyetje të personave që kanë dijeni për çështjen e aferës së privatizimit të ish kompleksit Partizani. Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, pa praninë e një avokati, është paraqitur dje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku është marrë në pyetje. Ndërsa për çështje ditësh, në zyrën e prokurores Enkelda Minollai, e cila po heton aferën e privatizmit të ish-kompleksit, pritet të thirren edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, një prej pronarëve kryesorë të pallateve që fshiu gjurmët e kompleksit Partizani.\

Privatizimi i kompleksit ‘Partizani’ është një dosje që tashmë e ka në dorë Prokuroria e Posaçme. Ka qenë kreu i grupit Parlamentar në PS, Taulant Balla i cili ka paditur në vitin 2020, ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po e heton çështjen e privatizimit të kompleksit 'Partizani' për pastim parash.