TIRANË- Deputeti demokrat Dash Sula ka komentuar në Report Tv situatën brenda opozitës si edhe takimin e fundit mes deputetëve të grupit Bardhi me ata të Berishës, ku u vu re një ulje e numrit të deputetëve që morën pjesë. Mirëpo, kjo për Sulën nuk tregon krizë mes dy grupeve. I ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, ligjvënësi demokrat tha se një pjesë e deputetëve munguan për shkak të angazhimeve të tjera.

“S’duhet të merremi me çështjen e numrave të mungesës. Ka arsye, psh komisionet. 45 deputetë janë bashkë pa diskutim. Problemi është tjetër kund, do duhet që opozita të jetë e besueshme para qytetarëve, një ofertë  ere, një organizim i ri. Nëse kjo opozitë do shkojë me këto teza, 2025 është e pamundur”, tha Sula.

Ndonëse janë ulur me një tavolinë diskutimi me Sali Berishën, të cilin më parë e përjashtuan nga grupi për shkak se u shpall non grata nga SHBA, Sula e pranon se Berisha nuk ka asnjë shans që të bëhet kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 2025.

Sula komentoi edhe lsitën që sipas tij ka ardhur me non grata nga Mbretëria e Bashkuar, që sipas tij janë sanksionuar 12 persona, 10 pjesë e grupit të PS dhe 2 nga opozita. Sula thotë se ndërkombëtarëve ju prishkan punë votat e Berishës non grata, por të Ramës iu pëlqejnë.

“Unë ca kam thënë për problemin e Berishës, por ka një gjë. A ka moral për këdo, ndërkombëtarët, mazhorancën, mediat, për shoqërinë që Sali Berishën e quan non grata dhe vota e Sali Berishës nuk ka vlerë. Ndërsa vota e mazhorancës non grata paska vlerë. Ka një listë prej 12 personash, 2 nga opozita. Thuhet dhe kemi burimet tona dhe nuk i deklarojnë këto emra, është e turpshme. Thotë se të kam nxjerr non grata për korrupsion po s’ia them shoqërisë. Nuk i dal në mbrojte Berishës, por merrem me moralin e kësaj shoqërie dhe politike. Ka persona non grata më shumë nga krahu tjetër dhe i pëlqyen votat ndërkombëtarëve dhe kësaj shoqërie. Dëmin më të madh e bën Berisha dhe opozita që s’ka asnjë lloj pushteti, apo kjo mazhorancë. Berisha i ka shanset zero për tu bërë kryeministër në 2025”, tha Sula.

Sa i takon çështjes së grupit parlamentar, Sula u shpreh se do ishte e turpshme nëse do e caktonte mazhoranca se kush është opozita.

“S’ka asnjë lloj të drejtë, është e turpshme nëse mazhoranca do caktojë opozitën dhe do vendosë se kush është opozita. Kësaj maxhorance i takon që ta bëjë këtë lloj loje për të përçarë opozitën ndonëse janë të pangopur për pushtet, do duan gjithmonë të jenë të përjetshëm. Në mbledhjen e grupit të PD u kam kërkuar që nëse kjo opozitë do jetë fasadë e përçarë që s’do bëjë një opozitë të fortë dhe s’do jetë  e bashkuar më mirë t’ia lënë Ramës pushtetin siç e patën komunistet për 45 vjet dhe më pas përfundojnë të tërhiqen me litar bustet apo simbolet e një shteti të tillë diktatorial”, u shpreh Sula.