Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sërish sekuestro preventive mbi llogaritë bankare në emër të mjekut Edvin Prifti duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 Lekë dhe shumën prej 177.497 Euro ose në total mbi 73 milionë lekë. Më herët mjekut Edvin Prifti i është sekuestruar edhe 380 mijë euro, që iu gjet cash në zyrë dhe në shtëpi. Në total sekuestro e pasurisë nga SPAK ndaj mjekut Edvin prifti ka shkuar në 1 milionë euro.

SPAK akuzon mjekun Prifti për korrupsion pasiv dhe për pastrim parash përmes skemave fiktive që kishte ngritur përmes dy kompanive dhe përmes tyre bënte transaksione fiktive bankare,

Sipas SPAK, Edvin Prifti kishte ngritur një skemë e mirëfilltë kriminale që konsistonte në paraqitjen e faturave tatimore false me qëllim shmangien nga pagimi i tatimeve. Gjithashtu nga verifikimi i llogarive bankare të mjekut apo personave fizik të regjistruar në emër të tij është konstatuar se Prifti kryente depozitime Cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë. Sipas SPAK shumat e parave të depozituara në bankë Cash, nga Edvin Prifti në llogaritë personale apo edhe kompanitë fiktive të krijuara prej tij janë produkte të veprës penale. 

Nëpërmjet dy kompanive të tij person fizik mjek kardiolog dhe kompanisë Cardio – MH dyshohet se Prifti ka prerë fatura fiktive duke kaluar paratë në bankat e nivelit të dytë për shërbime apo punë të pakryera. Aktualisht edhe këto kompani janë në sitën e SPAK dhe pritet që ndaj Doktorrit të vendos gjykata e lartë nëse do e rikthejë apo jo në qeli, pasi prokurori Altin Dumani ka bërë rekurs për lirimin e doktorit nga qelia.

Aktualisht mjeku Prifti, është lënë i lirë nga Gjykata e Apelit, ndërsa ndaj tij qëndron vetëm masa e heqjes së të drejtës së ushtrimit të profesionit në spital. Ndërkohë pritet që shpejt ai të merret i pandehur për akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mashtrimit me taksat.

Emri i Priftit doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t'i operuar nënën. Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë Euro dhe 16 mln leke cash në zyrë e shtëpi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:40
Mbushën BE me drogë, SPAK sekuestron pasuritë e Armando Doçaj, pjesë e grupit të Astrit Beqirajt për trafikun e kokainës në Danimarkë

Pas sekuestrimit të pasurisë  të mjekut Edvin Prifti, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e pasurisë të Armando Docajt, i cili është pjesë e grupit të Astrit Beqirit të lidhur me trafikun e kokainës në Danimarkë.

Në zbatim të ligjit antimafia janë sekuestruar 2 apartamente në Tiranë me sipërfaqe 122.58 m2 dhe 116.83 m2 dhe një dyqan në Durrës me sipërfaqe 134 m2 në lagjen “Plazh dhe shumën prej 4.000 Euro (llogari bankare), në pronësi të Armando Docajt dhe familjarëve të tij.

SPAK akuzon Astrit Beiqrin dhe Astrit Docajn, për veprat penale të trafikimit të narkotikëve, pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që kanë operuar jo vetëm në territorin e Danimarkës, por dhe në Gjermani, Holandë, Suedi, Belgjikë, Shqipëri, etj.

Ky grup kriminal  të ardhurat “cash” i dërgonin në Shqipëri, ku më tej investoheshin në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe në aktivitete biznesi. Paratë silleshin nga Danimarka në Maqedoninë e Veriut, duke i transportuar me autobusët e kompanisë  “ALBA TRANS” në Tetovë. Më pas ato merreshin nga Dhimitër Shkodrani dhe përfundonin tek Astrit Beqiri në Shkodër, ku investoheshin në biznese, prona etj.

GJKKO ka vendosur më herët të sekuestrojë pasurinë e tij ku përfshihet pularia në Shkodër “RENS 2015”, 6 banesa në Velipojë, një motor tip “Yamaha”, 5 makina dhe 2 furgonë.

Si funksiononte grupi? Grupi i strukturuar kriminal funksiononte sipas një skeme të mirëpërcaktuar, ku paratë e ardhura nga krimi i trafikimit të narkotikëve, i dërgonte “cash” nga Kopenhagen, Danimarkë, në Tetovë – Maqedoni e Veriut. Dërgimi nga Kopenhagen në Maqedoni të Veriut bëhej duke i transportuar paratë me anë të autobuzëve (e regjistruar në Tetovë), një nga ortakët e të cilës ishte B. Ali, i arrestuar në Danimarkë. Në Tetovë paratë merreshin kryesisht nga anëtari tjetër i grupit të strukturuar kriminal, Dhimitër Shkodrani, i cili kalonte kufirin në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe më tej këto para dërgoheshin te Astrit Beqiri, si dhe të afërm të tjerë të grupit kriminal. Transferimi i parave sipas kësaj skeme bëhej me një frekuencë rreth 2 herë në muaj.

Astrit Beqiri është kunati i drejtuesit të grupit të strukturuar kriminal Jetmir Kastrati (i njohur në Danimarkë si Sokol Krasnici), i arrestuar në Danimarkë. Hetimi i mëtejshëm provoi se Astrit Beqiri paratë e ardhura nga krimi kishte mundur t'i pastronte duke i investuar në biznes, siç ishte pularia “RENS 2015”, pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të sekuestruara. Hetimet dhe arrestimi tyre ishte si pjesë e operacionit të gjerë të zhvilluar në 26 qershor 2019, ku mori pjesë dhe Europol dhe u zhvillua në disa vende të Europës.