Ish-deputeti Ervin Salianji akuzoi kryedemokratin Sali Berisha se e ka kthyer PD-në në një kotec pulash (referuar zvogëlimit të kësaj force politike) dhe po e mban atë me zor.
Salianji tha gjithashtu se në bazë të të ashtuquajturit neni 'Basha', Sali Berisha nuk duhet të ishte lejuar për të rikandiduar për kryetar të PD-së në zgjedhjet pa garë të 23 majit, pasi ka humbur në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar.
“Edhe sikur Rama t’i kishte larë me flori qytetarët shqiptarë gjatë këtyre viteve, nuk do ta meritonte më pas 13 vitesh që të qëndronte në pushtet. Por PD nëse do të sjellë ndryshimin, duhet të çojë në kutitë e votimit mbi 800 mijë votues. Por kështu siç e ka katandisur PD-në Sali Berisha, nuk mund ta përfaqësojë këtë masë të madhe njerëzish dhe njerëzit po e tregojnë kudo që është e pamjaftueshme që duke folur për dështimet e Edi Ramës, ne të mos kemi guximin të flasim për problemet që na shqetësojnë vetë. Të japim llogari para demokratëve dhe qytetarëve, sepse ne kemi autoritetin që të kërkojmë standarde europiane për Shqipërinë, kur i pranojmë këto standarde në partinë tonë.
PD ka humbur shumë beteja gjatë këtyre viteve, por humbja më e madhe ka qenë largimi nga standardet që bënë PD forcën më të madhe në këtë vend. Sot shumë demokratë janë përjashtuar jo vetëm nga vendimmarrja por edhe nga e drejta për të dhënë kontribut. Shumë profesionistë nuk e gjejnë derën e hapur për të kontribuar. Kjo është alarmante. Sepse demokracia nuk është mbajtja me zor e një koteci siç po bën zotëria. Demokracia është garë, debat, përballje me premtimet e dhëna dhe të pambajtura dhe çdo demokrat të ketë mundësi të zgjedhje atë që mendon se e bën PD fituese. Ne do vazhdojmë pa ndalur deri sa ta përmirësojmë PD. Nuk mund të pranojmë përjashtimin e demokratëve që përballen me regjimin. Neni “Basha”, ndalon kandidimin e kryetarit që humb zgjedhjet. Neni 46 në PD e ndalon Berishën të kandidojë, pasi ka humbur zgjedhjet. I famshmi neni Basha. Në vend të përjashtohej ai nga gara, u përjashtuam ne”, tha mes të tjerash Salianji.
Lajmi kryesor:
Takimi me demokratët në Tiranë, Salianji: Berisha është autokrati i opozitës, e ka kthyer PD-në në kotec dhe po e mban me zor! Stop emërimeve klienteliste










