Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blend Sula, është takuar në Bari me kryebashkiakun e qytetit italian, Vito Leccese, ku në qendër të diskutimit ishte bashkëpunimi mes dy qyteteve.
Takimi u zhvillua në një qytet që për shumë shqiptarë lidhet me vitin 1991, kur në portin e Barit mbërriti anija “Vlora” me rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë në bord. Një moment që shënoi historinë e emigracionit dhe krijoi një lidhje të fortë mes dy brigjeve.
Në reagimin e tij, Sula kujton Barin si “portën e shpresës” për shqiptarët e asaj kohe dhe thotë se sot, pas 35 vitesh, ky qytet përfaqëson një partneritet të bazuar në respekt, zhvillim dhe miqësi.
" Takim i veçantë me Vito Leccese, kryebashkiakun e Barit, një qytet që për ne shqiptarët mbart shumë emocione...Në këtë port, në vitin 1991, zbarkoi anija Vlora me rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë, duke shënuar një nga momentet më të forta të historisë sonë moderne. Bari u kthye asokohe porta e shpresës, por edhe simbol i sfidave, dhimbjes dhe guximit për një jetë më të mirë. ...duke ecur në rrugët e këtij qyteti mesdhetar, ndjen jo vetëm historinë, por edhe energjinë e një Bari modern, të hapur dhe mikpritës. Diskutuam mbi forcimin e bashkëpunimit mes qyteteve tona, mbi lidhjet njerëzore që kanë kapërcyer detin dhe mbi urat që duhet të ndërtojmë për të ardhmen. Nga një port i mbushur me ankth në ’91, sot drejt një partneriteti të bazuar në respekt, zhvillim dhe miqësi", shkruan Sula.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit mes Tiranës dhe Barit, për lidhjet njerëzore të krijuara ndër vite dhe për ndërtimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.
Komente










