Ministria e Arsimit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nënshkruan marrëveshjen për modernizimin e sistemeve të vlerësimit në Agjencinë e re Kombëtare të Shërbimeve Arsimore. Ligji për Agjencinë u miratua në parlament vetëm dy javë më parë me 76 vota pro.
Në një retrospektivë për mënyrën si gjërat funksiononin më parë krahasuar me dixhitalizimin e tanishëm, kryeministri Rama u shpreh se vetë procesi rrëzoi çdo akuzë ndaj tij.
“Duke parë prezantimin e mikut të ardhur nga Kembrixhi pas 7 vjetësh dhe 5 ministrave të ndryshuar, uk munda të mos kthehem mbrapa në momentin kur hodhëm hapin e parë në dixhitalizimin e sistemit duke vendosur një sistem rankimi të bazuar në rezultate dhe duke e bërë praktikisht të pamundur vazhdimin e rrugës së kaosit ku kush kishte një mbështetje, lidhje apo mundësi për të paguar, kapërcente dhe zinte vendin e dikujt tjetër që nuk i kishte. Atë kohë pati një reagim shumë të madh kundër një procesi të tillë, por vetë procesi i rrëzoi të gjitha pretendimet dhe akuzat që u ngritën sepse për herë të parë nuk pati ankesa. Procesi ishte i tëri i bazuar në fakte dhe i përpunuar nga teknologjia. Sot më në fund hedhim këtë hap kaq të rëndësishëm për t’i dhënë përsëri një hapësirë të konsiderueshme në trajtimin e shërbimeve në funksion të arsimit parauniversitar dhe të lartë. Vëmë në dispozicion të të gjithë atyre që marrin dhe do të marrin shërbime arsimore një standard një standard ekselence si ai i universitetit të Kembrixhit. Kjo na bën krenarë për faktin që ia arritëm kësaj dite”, tha Rama.
Më tej, duke iu referuar kritikave për “pushtim” nga amerikanët apo britanikët, Rama njoftoi “planet djallëzore” për të tjera marrëveshje që do të sjellin përfitime për studentët dhe nxënësit.
“Sot do të vazhdojmë ditën me disa plane të tjera djallëzore marrjesh në zotërim nga amerikanët të vlerave, aseteve, qendrave heroike të Shqipërisë dhe gjëja më e rëndësishme është që nga gjithë këto operacione anësore do të fitojnë e përfitojnë fëmijët, të rinjtë, nxënësit, studentët, sepse edhe ky proces do të jetë i drejtë, transparent, i barabartë, i pandikueshëm nga askush dhe për të gjithë ata që logjikojnë një metodë me një standard që ka bërë ndryshim cilësor në arsimin e lartë të Singaporit, hyn sot në Shqipëri dhe krijon perspektivat për shumë më mirë”, shtoi Rama.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se Kembrixhi do të ndihmojë në modernizimin e sistemit dhe logjistikës të Agjencisë. Kjo marrëveshje synon të transformojë institucionin përgjegjës për administrimin e provimeve kombëtare dhe shërbimeve të tjera kyçe arsimore në një institucion modern, autonom dhe të bazuar në standarde ndërkombëtare.
“Tashmë kemi një model të përbashkët për rritjen e cilësisë, besueshmërisë dhe modernizimit të sistemit. Sot hyjmë në një fazë tjetër ku mbështetja e një donatori na mundëson ekspertizën e një prej qendrave më të mira si Kembrixhi, e cila do të asistojë Agjencinë e re për rritjen e kapaciteteve të stafit, optimizimin e proceseve apo investimeve të duhura në teknologji”, bëri me dije Kumbaro.
Në aktivitet u prezantua gjithashtu projekti për ambientet e reja të AKSHA-së, një hapësirë moderne prej rreth 3,500 m², e projektuar për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare në administrimin e proceseve të testimit dhe vlerësimit.
Lajm në përditësim...
Komente










