Një reagim i shkrimtarit Ben Blushi lidhur me protestën për Zvërnecin ka ngjallur reagime të forta nga ndjekësit. Postimi i tij ishte një pyetje retorike nëse investimi shqiptar, ndryshe nga ai i huaj, do të kthente flamingot.
“Protesta thotë se tokat tona nuk duhet t’u jepen të huajve. Bukur. Pra nëse Zvërnecin e ndërton një oligark shqiptar flamingot do kthehen në shtëpi?”, shkroi Blushi.
Komentet negative kundër këtij qëndrimi të tij kanë vërshuar në postim, ku nuk kanë munguar as ofendimet personale në drejtim të ish-politikanit. Si përgjigje, Blushi i quan “rrugaçë Facebook-u” ndërsa u kujton se ai nuk i përket më politikës dhe nuk ka as përgjegjësi mbi situatën, por është një qytetar i zakonshëm që ka zgjedhur t’i përkushtohet artit.
“Vetëm në Shqipëri ndodh që një njeri që poston një mendim për kënaqësinë e vet në faqen e vet shahet dhe fyhet nga qindra rrugaçë Facebook-u. Çfarë qeniesh jeni ju që nuk lini gjë pa shkruar pa marrë parasysh se këtë faqe e lexojnë fëmijët e mi, familja ime, miqtë e mi dhe çdo njeri që më do? A keni ju familje, nder, dinjitet që ofendoni një qytetar privat i cili nuk ka asnjë përgjegjësi për çfarë po ndodh sepse ka ikur me vullnet nga politika për t'iu kushtuar artit?”, u përgjigj Blushi.

Komente








