Është prej më shumë se 30 vitesh në arsim, por dashuria e saj për t’u ofruar fëmijëve dije nuk i është zbehur. Për Torina Dervishajn, mësuese në shkollën “Vasil Shanto”, çdo 7 mars ka veçantinë e tij.
"Unë kam 33 vite punë dhe kjo festë është një festë ku fëmijët shprehin dashurinë për mësuesen, mirënjohjen e tyre. Për mua çdo 7 mars është një festë shumë e bukur. Nuk ka ndryshim nga viti në vit, si 7 marsi i parë, si ky pas 33 vitesh punë, për mua është i njëjtë",- thotë Dervishaj.
Dervishaj, thotë se të rinjtë duhet ta vlerësojnë më shumë rolin e mësuesit, pasi dashuria dhe mirënjohja e fëmijëve e bëjnë çdo sakrificë të vlefshme.
"Kjo është punë e bukur, por ka edhe vështirësitë e veta. Është shumë bukur të punosh me fëmijët, është normale që fëmijët nga brezi në brez ndryshojnë, Vijnë më të përgatitur mëtë zgjuar, kështuqë duan më shumë durim, më shumë përkushtim. Do ua sugjeroja dhe të rinjve ta bënin. Nëse kanë dashuri për punën, nuk ëhstë fare e vështirë",- thotë Dervishaj.
Këtë vit, duket se festa e mësuesit duket se ka ardhur më herët. Duke qenë se 7 marsi këtë vit përkon me ditën e shtunë, nxënësit kanë zgjedhur që t’ua përcjellin një ditë para urimet mësuesve. Nga lulet te bizhuteritë, kjo është mënyra që kanë zgjedhur fëmijët për të shprehur mirënjohjen ndaj mësuesve të tyre.
"Gëzuar 7 Marsin dhe faleminderit që na mësoni."
"Mësuesja ne na ka rritur dhe e kemi si nënë të dytë. Gjithmonë do ta ruajmë atë kujtim shumë mirë."
Nxënësit e shkollës “Vasil Shanto” kishin organizuar edhe një koncert me muzikë, këngë dhe kërcime për të festuar së bashku me mësuesit e tyre
Rreth 30 mijë arsimtarë në të gjithë Shqipërinë festojnë 7 Marsin, Ditën e Mësuesit.
Komente







