Kryeministri Edi Rama ndodhet në Kosovë për një vizitë zyrtare. Kreu i qeverisë u prit në Presidencë nga Vjosa Osmani.

Pas këtij takimi Rama do të zhvillojë edhe një takim me Kryeministrin  Albin Kurti.

Rama gjithashtu do të marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Për këtë vizitë policia e Kosovës ka lajmëruar masat që do merret gjatë parakalimit të eskortës së kryeministrit Rama.

“Më datën 16 shkurt  2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare,  Kryeministri i Republikës së Shqipërisë z. Edi Rama. Me këtë rast Policia e Kosovës,  gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut,  gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Aeroporti si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare së vizitës, Policia e Kosovës  do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Vizita e kreut të qeverisë vjen një ditë para Ditës së Pavarësisë të Kosovës dhe njëkohësisht protestës që do të bëhet në Prishtinë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK. 

lajm ne perditesim...