Nesër festa e Kurban Bajramit, kreu i KMSH: Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja

Nesër është festa e madhe e Kurban Bajramit dhe kësaj radhe kreu i KMSH, Bujar Spahiu ka uruar të gjithë shqiptarët kudo ndodhen. Nëpërmjet një postimi në 'Facebook', ai ka udhëzuar të gjithë besimtarët të sillen mirë me njëri-tjetrin dhe shtrijnë dorën e vëllazërimit. Falja e namazit të bajramit do të mbahet në orën 06:05 minuta në sheshin Skënderbej.

'Bismilahi-Rrahamini-Rrahim Me emër të Zotit Mëshiruesit-Mëshirëbërës. Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Muhamedin (a.s.) Të dashur qytetarë, nesër, në Shqipëri dhe mbarë botën, është festa e Kurban Bajramit. Zoti i gjithësisë në suren Kevther në Kuran thotë:

“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!” Ndërsa në një tjetër sure (En’nam) na kujton: “Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjeshtë për Allahun, Zotin e botëve!”

Të dashur qytetarë, Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame. Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atë kohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës së tij heroike, Haxhires. Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti.

Kush ka mundësi le të presë Kurban vetëm për Hir të Zotit, e kush nuk ka inshAllah i mundësohet sa më shpejt. Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfërit. Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët.

“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti. Ky Bajram na jep mesazhin që për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria.

E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona! E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin! Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja! Gëzuar Kurban Bajramin! H. Bujar Spahiu Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë'- shkruan ai .

Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë: Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin. Kjo e fundit, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.

Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramë, që do të thotë “Festa e Flijimit”. Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit. Po t’a përmbledhim me pak fjalë Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:32
Festa e Kurban Bajramit, Meta uron besimtarët myslimanë: Urimet e përzemërta për sa më shumë paqe dhe begati

1656946882_PresidentiIlirMETA1024x683500x334.jpg

Presidenti Ilir Meta ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.

‘“Tek Zoti nuk arrin as mishi dhe as gjaku i kurbanëve Tuaj, por tek Ai arrin devotshmëria dhe përkushtimi Juaj”. - Kuran.

Gëzuar Kurban Bajramin për të gjithë besimtarët myslimanë dhe mbarë popullin shqiptar! Me urimin e përzemërt për sa më shumë paqe, begati, solidaritet dhe mirësi në familjet Tuaja, të mos harrojmë mesazhin e kësaj feste të shenjtë se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, sinqeriteti dhe devotshmëria janë ndër veprat më të pëlqyeshme të Zotit. Adhurim dhe lutje të pranuara!’- shkruan Meta.

G.MO/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja