Besimtarët e myslimanë festojnë nesër festën e Kurban Bajramit, festa e dytë më e madhe myslimane pas Fitër Bajramit.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Bruçaj bën apel që të solidarizohemi me fqinjët dhe njerëzit në nevojë dhe të gëzojmë sa më shumë zemra.

Kreu i Komuniteti Mysliman Shqiptar në mesazhin e tij për Kurban Bajramin bën thirrje që të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë.
 
MESAZHI I URIMIT I KRYETARIT TË KMSH, SKËNDER BRUÇAJ
 

“Në një ditë të tillë festë përcjell urimet me të mira, qofshi të gëzuar dhe në paqe.Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu.Besimtarët shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë. Në këtë atmosfere festive këshillohet që të gëzojmë sa më shumë zemra. Të shtrohen sofrat, të shtrëngohen duart e miqësisë, të vizitohen të afërmit, të sëmurët dhe të shkëmbehen dhurata. Të kemi në qendër të vëmendjes fëmijët me dhurata dhe përkëdhelje dhe të moshuarit duke qëndruar pranë tyre me përkujdesje. Të nderuar bashkëkombas, kjo është një festë që i përket gjithë njerëzimit. Ta ndajmë me nevojtarët mirësinë materiale dhe shpirtërore. Të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për mbarë njerëzimin. Të lutemi dhe të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, vlerësimit ndaj njëri-tjetrit dhe të ndihmës reciproke. Uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Gëzuar Kurban Bajramin, me shpresën që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për njëri-tjetrin, të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore! Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë”

Falja në bulevard nesër në 07:00

Bajrami do të falet në orën 07:00 në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përpara ish - Hotel Dajtit, Tiranë.
Para faljes së namazit të Kurban Bajramit do të zhvillohet një ceremoni me lexim kur’ani, ligjërata dhe përshëndetje.

PROGRAMI I PLOTË I KURBAN BAJRAMIT 2016

05:30 - NAMAZI I SABAHUT (FALJA)
05:45 - KURAN
06:30 - HAPJA
06:35 - LEXIM KURANI - IMAMI I XHAMISË SË SELITËS, ADNAND MERJA.
06:40 - FJALA E KRYETARIT TË KMSH-së, SKENDER BRUÇAJ
06:45 - LIGJËRATË –ELVIS NAÇI
07:00 - FALJA E NAMAZIT TË BAJRAMIT
07:10 - HYTBEJA E BAJRAMIT – MYFTIU I TIRANËS, YLLI GURRA
07:20 - ILAHI


Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com