Partia Demokratike përmes një shkresë ka vendosur në dijeni Policinë e Tiranës për zhvillimin e protestës e cila pritet të zhvillohet ditën e martë. Opozita në shkresën e saj ka vënë në dijeni uniformat blu duke thënë se protesta e tyre pritet të nisë në orën 17:00.

Policia në kthim përgjigje zyrtare i ka kërkuar PD-së që të specifikojnë orën e mbylljes së tubimit. Ndër të tjera, blutë i kanë kujtuar opozitës se nuk lejohen personat e maskuar në protestë.

Edhe në protestën e së nesërmes pritet që të jenë në gatishmëri rreth 1350 efektivë, njëlloj si në protestën kombëtare që u zhvillua herën e fundit.

Ndërkohë, për garantimin e sigurisë do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:

-Nga ora 23:45 e ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.