Nga akuzat për korrupsion te kërcënimi për Britaninë, 'The Telegraph': Berisha betejë ligjore prej 400 mijë paundësh për të hequr 'non-grata-n'

Gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe shpalljen e tij ‘non grata’ nga Britania, ndërsa ka cituar edhe pjesë nga dosja e SPAK, ku është marrë i pandehur për korrupsion pasiv për aferën ‘Partizani’.

“The Telegraph” shkruan se Berisha ka shpenzuar më shumë se 400 mijë paund në mënyrë që t’i hiqej ‘non grata’ nga Britania e Madhe. Ndër të tjera në artikull theksohet se kreu i PD-së “është një rrezik akut për Britaninë”.

Artikulli i plotë:

Berisha, 79 vjeç, i cili akuzohet për korrupsion në Shqipëri u shpall ‘non grata’ nga Britania e Madhe nga Priti Patel, sekretari i atëhershëm i Brendshëm, mbi bazën se kreu i PD-së kishte ‘lidhje me grupet e krimit të organizuar’ që përbënin një kërcënim për sigurinë publike në Londër dhe Tiranë.

Sali Berisha shërbeu si president i Shqipërisë midis 1992 dhe 1997 dhe si kryeministër nga 2005 deri në 2013. Ai është kreu i Partisë Demokratike. Dhjetorin e kaluar, një gjykatë shqiptare vendosi që ai duhet të caktohet në arrest shtëpie, ndërsa hetohet për dyshimin se ka shpërdoruar detyrën për të favorizuar dhëndrin e tij.

Berisha i ka mohuar akuzat dhe ka thënë se ato janë orkestruar nga Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë. Ai apeloi shpalljen ‘non grata’ në një gjykatë të posaçme imigracioni, por iu refuzua me bazën se ishte e drejta sovrane e Britanisë të kontrollonte hyrjen përmes kufijve të saj.

Akuza “Korrupsion pasiv”

Tashmë përmes dokumenteve në Shqipëri ka dalë se zoti Berisha ka shpenzuar më shumë se 500,000 euro (417,500 paund) duke punësuar avokatë në Mbretërinë e Bashkuar për të luftuar për çështjen e tij.

“Për qëllimin e këtij apelimi në SIAC [Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit] vajza e tij nga llogaria e saj bankare në vitin 2022 ka bërë një pagesë prej 72,000 eurosh. Më pas në vitin 2023 një pagesë prej 250,000 euro dhe pagesa e fundit prej 200,000 eurosh.”, thotë një burim nga Shqipëria.

Nuk ka asnjë akuzë se vajza e tij mund të ketë qenë e përfshirë në këtë ngjarje. Dosja prej 500 faqesh për Berishën, po hetohet nga SPAK. Berisha është akuzuar nga prokurorët e SPAK-ut për korrupsion pasiv, vepër penale që dënohet maksimalisht deri në 12 vjet burg në rastet kur vërtetohet se personi ka përfituar direkt ose indirekt nga veprimet e tyre të paligjshme.

“Kërcënim akut” për Britaninë e Madhe

Rasti i Berishës çoi në zbulimin se Ministria e Jashtme dhe Ministria e Brendshme kanë nisur një projekt sekret për të ndaluar bosët shqiptarë të krimit që veprojnë në Britaninë e Madhe. Qëllimi është të dobësojë kërcënimin e paraqitur nga grupet e krimit të organizuar (OCG) dhe të mbrojë interesat e Britanisë në rajon.

Një dokument ligjor i Home Office nuk përmendte Berishën, por i përshkroi bandat shqiptare si një “kërcënim akut” për Britaninë. Ata thuhet se janë anëtarë të rëndësishëm në tregun e kokainës në Mbretërinë e Bashkuar dhe “shumë të përhapur në krimin e rëndë dhe të organizuar” në Britani, duke përfshirë kontrabandën e njerëzve. Dosja tregon statistikat që shqiptarët përbëjnë një në tetë të të gjithë kriminelëve që janë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.

Dokumenti thotë se lidhjet midis politikës dhe krimit në rajon krijojnë një “mjedis lejues në të cilin kriminelët e mëdhenj mund të veprojnë dhe të përfitojnë nga mbrojtja politike e politikanëve të korruptuar nga veprimtaria e zbatimit të ligjit”. Kjo mbrojtje politike u siguron bandave rrugë shtesë për të pastruar paratë dhe u mundëson atyre të përdorin Shqipërinë si një “strehë të sigurt nga e cila mund të operojnë”, thuhet më tej në dokumentin e Home Office. Në këmbim, bandat do të ndihmojnë një politikan gjatë zgjedhjeve duke blerë vota dhe duke frikësuar votuesit.

 

Shkrimi ne telegraf

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E DREJTA: 26/09/2024 10:32

    BANDITIT KARAXHIXH( BERISHA) I DUHET PRERE KOKA POLITIKISHT DUKE E MBYLLUR NJE HERE E MIRE NE BIRUCE. VETEM KESHTU ALABAKET MINIBANDITET QE E NDJEKIN DO TE BIJNE STERQOKE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi