Më 7 dhjetor 2025, Londra do të mirëpresë një ngjarje të veçantë kulturore që bashkon artin, muzikën dhe traditat shqiptare në një festë madhështore të identitetit tonë kombëtar. “Zëri i Trashëgimisë 2025 - Gruaja, Kultura, Inovacioni”, organizuar nga Empowered Women of Diaspora (EWD), vjen si një thirrje për të nderuar rolin jetik të grave shqiptare në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë sonë kulturore.
Por ky event është shumë më tepër se një koncert. Ngjarja mban një mision të rëndësishëm human dhe edukativ: krijimin e Fondit të Solidaritetit për fëmijët e minatorëve të humbur në minierën e Bulqizës, të cilët aktualisht ndjekin studimet universitare. Kjo kauzë e bën eventin jo vetëm një festë kulturore, por edhe një akt solidariteti dhe mbështetjeje për të rinjtë që vijnë nga një realitet i vështirë, duke i ndihmuar ata të ndërtojnë të ardhmen e tyre përmes arsimit.
Koncerti do të jetë një udhëtim artistik që sjell muzikën tradicionale, poezinë, artizanatin, tregimet e diasporës dhe performanca të artistëve të njohur. “Zëri i Trashëgimisë” synon të ndërtojë gjithashtu një urë mes brezave të shqiptarëve kudo në botë, duke rritur ndërgjegjësimin ndërkombëtar për pasuritë kulturore shqiptare dhe duke ruajtur identitetin tonë në një botë gjithnjë e më globale.
Në skenë do të ngjiten artistë të mirënjohur shqiptarë, ndër ta Irma Libohova, Gezim Nika, Irini Qirjako, Ema Andrea dhe të tjerë, të cilët do të sjellin performanca që mishërojnë bukurinë e kulturës sonë. Ngjarja do të shërbejë edhe si një platformë frymëzimi për të rinjtë, veçanërisht në fushat e inovacionit, financave dhe teknologjisë.
Mes të ftuarve të veçantë janë figura që simbolizojnë suksesin, talentin dhe integritetin e diasporës shqiptare si Elona Mortime-Zhika, ish-CEO e IRIS, Maltina Jasari, e para vajzë shqiptare që ka përfaqësuar gratë shqiptare në garat e Formula 4, dhe Patricia Nugee, koleksioniste britanike dhe mbështetëse e përkushtuar e trashëgimisë sonë kulturore.
“Zëri i Trashëgimisë 2025” synon gjithashtu të forcojë lidhjet mes Shqipërisë dhe diasporës, duke promovuar vlera të rëndësishme britanike si respekti, toleranca dhe bashkëpunimi. Me një audiencë që pritet të përfshijë diplomatë, kryetarë bashkish, deputetë, sipërmarrës, punonjës të artit dhe kulturës, eventi do të nxisë dialogun kulturor dhe mirëkuptimin ndërkombëtar.
Komente








