Shqipëria nuk është më një sekret. Prej disa vitesh, ajo që njihet si Rivieria Shqiptare po mbushet çdo verë me turistë dhe gradualisht po përsërit shumë nga gabimet që dekada më parë transformuan destinacionet klasike të Mesdheut. Megjithatë, bukuria e brigjeve shqiptare në Adriatik dhe Jon mbetet e pamohueshme.
Nga trafiku kaotik i Tiranës drejt jugut, rrugët ngushtohen, ullinjtë zbresin përgjatë kodrave dhe papritur shfaqet deti, në disa zona ende i paprekur. Në tavernat buzë detit, peshku vjen direkt nga varka; në fshatra, të moshuarit luajnë domino nën hijen e fiqve, ndërsa të rinjtë flasin italisht, një gjuhë e mësuar gjatë viteve të emigracionit. Por jo gjithçka është kaq idilike: ky peizazh mesdhetar bashkëjeton edhe me qytete turistike si Durrësi apo me plazhe të mbingarkuara gjatë muajve të verës.
Sipas medias spanjolle, ta zvogëlosh Shqipërinë vetëm te plazhet virale do të ishte gabim. Bukuria e vendit qëndron te kontrasti mes ujërave turkez të Jonit, lagunave të Adriatikut, maleve të ashpra dhe qyteteve otomane që ende ruajnë ritmin e ngadaltë dhe identitetin e tyre të fortë ballkanik. Përtej Rivierës Shqiptare – segmenti bregdetar nga Vlora deri në kufirin grek – ekziston edhe një vijë tjetër bregdetare më në veri, më pak e njohur dhe më pak e mbingarkuar nga turizmi.
Udhëtimi përgjatë bregdetit shqiptar, shkruan El País, është një kalim i vazhdueshëm mes së kaluarës dhe së ardhmes. Resortet moderne shfaqen pranë bunkerëve të betonit të ndërtuar gjatë komunizmit; beach club-et me DJ italianë ndodhen vetëm pak kilometra larg fshatrave ku ende mjelin dhitë në agim, ndërsa rrugët panoramike të çojnë drejt plazheve të izoluara dhe qyteteve prej guri që duken sikur kanë dalë nga Mesjeta.
Edhe pse bumi turistik i viteve të fundit po ndryshon me shpejtësi vendin, Shqipëria – sipas medias spanjolle – vazhdon të ruajë diçka që sot është e vështirë të gjendet në Europë: autenticitetin. Një vend ku bashkëjetojnë ende e kaluara otomane, kujtesa e komunizmit dhe një e ardhme turistike që po ecën me ritme marramendëse.
Durrësi, porta detare e Shqipërisë
Shumica e turistëve mbërrijnë në Shqipëri përmes Tiranës, por për shekuj me radhë porta e vërtetë e vendit ka qenë Durrësi. Përballë Adriatikut dhe vetëm 40 minuta larg kryeqytetit, qyteti portual përmbledh shumë nga kontrastet shqiptare: rrënoja romake, arkitekturë osmane, blloqe sovjetike dhe shëtitore ku familjet dalin çdo mbrëmje për të bërë “xhiron”, traditën sociale të trashëguar nga periudha komuniste.
Një nga gjërat që bie më shumë në sy në Durrës, sipas medias spanjolle, është bashkëjetesa mes të bukurës dhe kaosit urban. Ndërtesat e viteve ’20 përpiqen të mbijetojnë mes picerive, pallateve moderne dhe ndërtimeve të reja që artikulli i cilëson “disi kitsch”, por që për autorët janë tashmë pjesë e identitetit shqiptar.
Gjatë viteve ’90, Durrësi u kthye edhe në simbolin e emigracionit shqiptar drejt Italisë. Sot, shumë prej emigrantëve janë rikthyer dhe kanë hapur hotele, restorante apo biznese turistike, ndërsa ndikimi italian vazhdon të ndihet fort në kuzhinë dhe në kulturën urbane të qytetit.
Edhe pse nuk ka bukurinë e rivierës së jugut, Durrësi përshkruhet si hyrja perfekte për të kuptuar karakterin detar të Shqipërisë. Qyteti u themelua nga kolonë grekë në shekullin VII para Krishtit dhe më vonë u kthye në një nga portet më të rëndësishme të Perandorisë Romake. Pikërisht nga Durrësi niste Via Egnatia, rruga e famshme tregtare që lidhte Adriatikun me Bizantin.
Edhe sot, mes trafikut dhe kafeneve moderne, dalin në sipërfaqe gjurmët e së kaluarës: amfiteatri romak shfaqet mes pallateve të banimit, muret bizantine kalojnë pranë bareve moderne dhe xhamitë e rindërtuara qëndrojnë përballë ndërtesave të periudhës komuniste.
Por sipas reportazhit, spektakli i vërtetë nis në perëndim të diellit, kur shëtitorja mbushet me shitës ambulantë, të rinj me patina dhe familje që ndjekin perëndimin mbi Adriatik.
Përtej qendrës urbane, bregdeti përreth Durrësit zbulon një Shqipëri më të qetë. Në veri shtrihen plazhe të gjata me pisha, shpesh pothuajse bosh jashtë sezonit veror. Ndërsa në jug, lagunat dhe zonat e mbrojtura ku jetojnë flamingo dhe pelikanë krijojnë një peizazh krejt ndryshe nga imazhi klasik i rivierës shqiptare.
Kepi i Rodonit, aty ku Adriatiku duket ende sekret
Në veri të Durrësit, sapo lë pas qytetin, natyra fillon të dominojë gjithçka dhe pranë Kepit të Rodonit duket sikur koha ka ndaluar. Rrugët ngjiten mes kodrave të gjelbra, kalojnë nëpër fshatra të vegjël ku ende lëvizin tufa delesh dhe karroca me kuaj. Plazhet e kësaj zone shfaqen mes pishave si mirazhe dhe shtrihen për kilometra të tërë.
Pak më shumë se një orë larg Durrësit, rruga ngushtohet dhe mes kodrave me vreshta të çon drejt një kepi të vetmuar që futet në det. Është Kepi i Rodonit, ku nuk ka hotele gjigante apo komplekse masive turistike. Vetëm një plazh i vogël, disa varka peshkatarësh, rrënoja mesjetare dhe zhurma e erës që përplaset mbi shkëmbinj. Edhe në kulmin e verës, zona ruan një ndjesi izolimi që sot është e rrallë në brigjet e Mesdheut.
Sipas medias spanjolle, Rodoni ka qenë një pikë strategjike që nga antikiteti. Mes pemëve shfaqen rrënojat e kalasë së Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar që i rezistoi Perandorisë Osmane në shekullin XV. Më tej ndodhet edhe një kishë mesjetare e restauruar pjesërisht, me pamje mbi Adriatik.
Fundjavave, zona mbushet me familje shqiptare që mbërrijnë me çadra plazhi, frigoriferë portativë dhe shalqinj. Disa të rinj kampojnë direkt pranë detit, ndërsa të tjerë kalojnë ditën duke notuar në ujëra që përshkruhen si jashtëzakonisht të pastra.
Një nga surprizat e zonës është kisha e Shën Antonit, e fshehur mes bunkerëve të shpërndarë në livadhe dhe pranë plazhit. Media spanjolle e cilëson si një nga shembujt më interesantë të stilit romano-gotik të vonë në Shqipëri. Brenda saj ruhet një afresk bizantin ku shfaqen një kalorës dhe shqiponja dykrenare, simboli kombëtar shqiptar.
Për autorët e reportazhit, Rodoni ofron një luks që po zhduket nga brigjet mesdhetare: heshtjen. Pa muzikë të lartë, pa beach club-e dhe pa infrastrukturën turistike që ka pushtuar pjesë të tjera të rivierës shqiptare. Këtu, thonë ata, “luksi është të dëgjosh qetësinë, të shohësh peshkatarët që mbledhin rrjetat dhe të sodisësh sesi dielli e kthen detin në ar”.
Megjithatë, edhe Rodoni po fillon të ndryshojë. Investitorët e huaj kanë nisur të interesohen për këtë pjesë të bregdetit dhe projektet e reja turistike po afrohen gradualisht. Si shembull përmendet Gjiri i Lalzit, zona e gjatë me rërë mes Durrësit dhe Rodonit, që gjatë verës mbushet me pushues nga Tirana dhe me zhurmën e turizmit masiv. Sipas medias spanjolle, mënyra më e mirë për ta zbuluar ende këtë pjesë të Shqipërisë është jashtë sezonit veror, kur kilometra të tërë bregdet mbeten pothuajse bosh.
Në jug të Durrësit, mes lagunave dhe pelikanëve: Adriatiku i papritur shqiptar
Kush mendon se Shqipëria është vetëm vend plazhesh me ujëra turkez, në këtë pjesë të bregdetit Adriatik do të zbulojë një tjetër fytyrë të vendit. Mes Durrësit dhe Vlorës, laguna të mëdha ndajnë detin nga tokat bujqësore të brendshme. Duke udhëtuar drejt jugut, bregdeti adriatik të fton të ndalesh në vende si Apolonia apo manastiri i Ardenicës, por edhe të shohësh pelikanët kaçurrelë në Parkun Kombëtar Divjakë–Karavasta, një nga thesaret më të mëdha natyrore të Shqipërisë, ku jetojnë gjithashtu flamingo dhe qindra specie shpendësh migratorë.
Peshkatarët lëvizin ngadalë mes kanaleve, ndërsa era tund kallamishtet dhe pishat pranë detit. Plazhi i Divjakës duket i pafund: rërë e errët, pak ndërtime dhe kilometra të tërë bregdet ku mund të ecësh pa takuar shumë njerëz. Gjatë verës shfaqen restorante të vogla të improvizuara që shërbejnë peshk të skuqur, sallatë greke dhe birrë lokale të ftohtë.
Më në jug, Apolonia kujton praninë greke në antikitet. Qyteti, i themeluar nga kolonë grekë në shekullin VI para Krishtit, kishte mbi 70 mijë banorë në periudhën e lulëzimit të tij. Ishte një qytet i vlerësuar nga Aristoteli dhe Ciceroni, më pas i pushtuar nga romakët dhe i njohur si qendër kulture dhe filozofie, ku studioi edhe perandori August. Një tërmet në shekullin III shënoi nisjen e rënies së qytetit. Sot, Apolonia është një park arkeologjik ku spikat Bouleuterioni, ose tempulli i Agonotetëve, vendi ku mblidhej këshilli i qytetit dhe monumenti më i ruajtur i zonës. Vetëm për ta parë atë, ndalesa ia vlen.
Një tjetër ndalesë interesante janë rrënojat e Bylisit, në kodrat e brendshme të jugut. Qyteti u themelua nga grekët në territorin ilir rreth 2,500 vite më parë dhe ende ruan mure mbresëlënëse, si dhe mbetje të bazilikës dhe teatrit antik.
Sipas medias spanjolle, kjo pjesë e Shqipërisë të kujton Mesdheun e dekadave të shkuara. Turizmi ende nuk është organizuar plotësisht, oraret janë fleksibël, rrugët dytësore kanë gropa dhe shërbimet shpesh duken kaotike. Por pikërisht kjo mungesë “perfeksioni”, sipas tyre, i jep zonës autenticitetin që shumë vende të tjera turistike e kanë humbur prej kohësh.
Vlora, aty ku takohen dy dete
Vlora është pika ku Adriatiku bashkohet me Jonin dhe ku nis zyrtarisht Rivieria Shqiptare. Nga Vlora deri në kufirin me Greqinë, deti Jon shfaq nuanca që kalojnë nga bluja e errët te jeshilja smerald dhe e bardha e ndritshme e brigjeve. Perëndimet e qeta të diellit shfaqen mes ishujve në horizont, ndërsa përgjatë bregut ka shpella, lumenj me ujë të kristaltë nën ura osmane, laguna dhe vende historike si Butrinti apo mali i Çikës me mbi 2 mijë metra lartësi.
Por media spanjolle paralajmëron se jo gjithçka është perfekte. Edhe pse në disa momente zona të jep ndjesinë e Karaibeve, shumë pjesë të rivierës po mbulohen gjithnjë e më shumë nga betoni dhe gjatë sezonit veror është e vështirë të shijosh bukurinë mes turmave të turistëve.
Vlora, që konsiderohet kryeqendra turistike e zonës, po përjeton një bum të dukshëm turistik. Hotele të reja po ndërtohen përgjatë lungomares, kafenetë moderne po shtojnë verandat dhe plazhet urbane po mbushen me turistë italianë, polakë dhe kosovarë.
Megjithatë, qyteti mbetet më shumë sesa një destinacion plazhi. Pikërisht në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë në nëntor të vitit 1912 dhe fryma patriotike vazhdon të ndihet fort, me monumente kombëtare dhe një përzierje muzike elektronike me këngë tradicionale ballkanike që dëgjohen në sfond.
Sipas reportazhit, Vlora nuk është domosdoshmërisht një qytet “i bukur”, edhe pse vitet e fundit është transformuar ndjeshëm, sidomos zona e qendrës së vjetër dhe shëtitorja bregdetare. Me gjithë kontrastet dhe mungesën e monumenteve të shumta historike – përveç xhamisë së Muradies – qyteti ka krijuar një identitet interesant dhe të gjallë.
Por spektakli i vërtetë nis sapo lë pas Vlorën dhe merr rrugën SH8 drejt jugut, që media spanjolle e cilëson si një nga rrugët panoramike më spektakolare të Europës. Rruga ngjitet mes maleve dhe ullishtave deri në Qafën e Llogarasë. Nga aty, pamja mbi Jon është hipnotizuese: det blu i thellë, male të ashpra dhe plazhe të vegjël të fshehur mes shkëmbinjve.
Turistët ndalojnë shpesh në pika panoramike për të bërë foto, ndërsa shitës ambulantë ofrojnë mjaltë mali, djathë dhie dhe raki shtëpie. Ajri bëhet më i freskët dhe aroma e pishave mbush gjithë rrugën.
Himara dhe Dhërmiu, Mesdheu alternativ shqiptar
Nga Dhërmiu deri në Sarandë shtrihet ajo që konsiderohet zemra e vërtetë e Rivierës Shqiptare. Nga pika panoramike e malit të Çikës mund të kuptosh menjëherë çfarë të pret më në jug: ujëra kristal të pastër, gjire të fshehura, plazhe të organizuara dhe një përzierje mes zhurmës së dallgëve dhe muzikës së fortë që vjen nga beach club-et buzë detit.
Sipas medias spanjolle, përgjatë rivierës shqiptare bashkëjetojnë dy realitete: hotele gjigante buzë detit dhe apartamente të vegjël me pamje nga varkat e peshkatarëve mbi rërë; plazhe turistike të mbushura dhe fshatra tradicionalë të ndërtuar mbi shkëmbinj.
Artikulli thekson se rruga drejt jugut është një udhëtim plot kthesa dhe peizazhe që ndryshojnë vazhdimisht. Përveç plazheve, zona ofron kuzhinë interesante, site arkeologjike dhe një kulturë tradicionale që, sipas autorëve, ende nuk është zhdukur plotësisht.
Për vite me radhë, Shqipëria përmendej nga backpacker-at si një “sekret” i Mesdheut, por sot vende si Himara dhe Dhërmiu shfaqen vazhdimisht në rrjetet sociale dhe në listat e destinacioneve më trend të Europës.
Një nga shembujt më të fortë të këtij transformimi është Dhërmiu. Media spanjolle e përshkruan si një zonë që është zgjeruar me ritme shumë të shpejta dhe ku gjatë verës organizohen festivale techno që zgjasin deri në mëngjes.
Megjithatë, mes gjithë zhurmës turistike, zona fsheh ende gjire të vegjël që në fund të sezonit mbeten pothuajse bosh. Vetë fshati, i ndërtuar në shpatin e malit përballë detit, përzien shtëpitë tradicionale prej guri me beach club-e minimaliste ku dëgjohet deep house deri në agim.
Plazhe si Drymades, Palasa apo Gjipe tërheqin çdo verë mijëra të rinj europianë në kërkim të një Mesdheu ende relativisht të lirë. Por sipas reportazhit, Dhërmiu ruan ende një pjesë të autenticitetit shqiptar: gjyshet vazhdojnë të shesin fiq dhe ullinj anës rrugës, kishat ortodokse fshihen mes selvisë dhe tavernat familjare shërbejnë mish qengji në furrë dhe sallata gjigante tradicionale.
Pak më në jug, Himara përshkruhet si më e qetë dhe më relaksuese. Qyteti ndahet mes pjesës së vjetër në kodër dhe shëtitores buzë detit. Shtëpitë prej guri dhe kalaja e vjetër ofrojnë një pamje krejt tjetër nga zona turistike me shezlongë, kokteje dhe bare moderne pranë detit.
Në restorantet tradicionale të Himarës, oktapodi thahet në diell ndërsa vera e bardhë lokale shoqëron peshkun e sapokapur. Nga Himara nisen gjithashtu varka të vogla drejt plazheve që nuk arrihen me makinë.
Por edhe këtu ndryshimet po ndihen fort. Çmimet rriten çdo verë, ndërtimet po shtohen me shpejtësi dhe sipas medias spanjolle po rritet frika se Rivieria Shqiptare mund të humbasë pikërisht atë që e bëri të veçantë.
Ksamili dhe Saranda, “Karaibet e Ballkanit”
Pak vende kanë ndikuar aq shumë në famën turistike të Shqipërisë sa plazhet e Ksamilit. Ujërat transparente, ishujt e vegjël përballë bregut dhe restorantet mbi platforma druri e kanë kthyer këtë cep të jugut shqiptar në një fenomen viral në rrjetet sociale.
Ksamili ndodhet vetëm pak kilometra larg Sarandës, qytetit kryesor turistik në jugun ekstrem të Shqipërisë. Për dekada me radhë, zona mbeti pothuajse e izoluar për shkak të afërsisë me Greqinë dhe kufizimeve të forta të regjimit komunist. Sot, megjithatë, ajo përballet çdo verë me valë turistësh dhe sipas medias spanjolle është shembulli më i qartë – por edhe paralajmërimi më i fortë – se si një parajsë natyrore mund të transformohet shpejt pa një plan të qartë urbanistik.
Artikulli thekson se Ksamili është kthyer edhe në bazën kryesore për ekskursione në jug të Shqipërisë. Krahasimet me Karaibet janë të vazhdueshme, edhe pse peizazhi ruan identitetin tipik mesdhetar: ullinj, rrënoja antike dhe varka të vogla peshkimi që bashkëjetojnë me boutique hotel-e dhe muzikë elektronike buzë detit.
Shëtitorja e Ksamilit është e mbushur me restorante, agjenci turistike dhe bare që qëndrojnë hapur deri në orët e para të mëngjesit. Çdo ditë nisen gjithashtu tragete drejt Korfuzit dhe shumë turistë grekë kalojnë kufirin për të përfituar nga çmimet më të ulëta në Shqipëri.
Megjithatë, media spanjolle paralajmëron se në gusht Ksamili mund të jetë “krejt e kundërta e parajsës”, për shkak të mbingarkesës turistike. Por mjafton të largohesh pak kilometra për të zbuluar një Shqipëri krejt tjetër.
Një nga ndalesat kryesore është Parku Arkeologjik i Butrintit, i shpallur pasuri botërore nga UNESCO në vitin 1992. Mes lagunave dhe gjelbërimit, Butrinti zbulon shtresa historie greke, romake, bizantine dhe osmane. Sipas reportazhit, ai ofron një “katarsis kulturor dhe peizazhor” përballë turizmit masiv të plazheve. Butrinti mbetet gjithashtu i vetmi sit i UNESCO-s në bregdetin shqiptar.
Më në brendësi të jugut, peizazhi ndryshon sërish. Shfaqen fshatra prej guri dhe rrugë dytësore ku turizmi ende mezi ndihet. Në shumë shtëpi, gratë vazhdojnë të prodhojnë djathë dhe konserva në mënyrë artizanale, duke ruajtur një stil jetese që në pjesë të tjera të Mesdheut pothuajse është zhdukur.
Berati dhe Gjirokastra, qytetet otomane që po rilindin
Edhe pse turizmi në Shqipëri është i përqendruar kryesisht në bregdet, media spanjolle shkruan se është e pamundur të kuptosh Shqipërinë e re pa vizituar qytetet historike të saj. Berati dhe Gjirokastra, të dyja pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, konsiderohen si zemra osmane e vendit.
Berati, i njohur si “qyteti i një mijë dritareve”, shtrihet mbi një kodër pranë lumit Osum. Shtëpitë e bardha të ndërtuara njëra mbi tjetrën krijojnë një nga panoramat urbane më të bukura në Ballkan. Qyteti përshkohet përmes rrugicave me kalldrëm, mes xhamive shekullore dhe shtëpive të vjetra karakteristike që sot janë kthyer në boutique hotel-e.
Sipas reportazhit, edhe pse turizmi po rritet me ritme të shpejta, Berati vazhdon të ruajë një atmosferë të qetë: banorët bisedojnë në pragjet e shtëpive, fëmijët luajnë në sheshe të vegjël dhe turistët fotografojnë fasadat osmane të qytetit.
Ndërsa Gjirokastra përshkruhet si edhe më spektakolare dhe më dramatike. Qyteti duket sikur del direkt nga guri, me çatitë prej guri të errët, kalanë gjigante dhe rrugicat e pjerrëta që të japin ndjesinë e një qyteti mesjetar të ngrirë në kohë.
Për vite me radhë, shumë nga shtëpitë historike të Gjirokastrës mbetën të braktisura. Sot, shumë prej tyre janë restauruar dhe janë kthyer në bujtina tradicionale, kafene apo muze të vegjël. Sipas medias spanjolle, bumi turistik ka ndihmuar edhe në rikthimin dhe restaurimin e një pjese të trashëgimisë arkitekturore të qytetit.
Tirana, kryeqyteti i papritur shqiptar
Asnjë udhëtim në Shqipëri nuk do të ishte i plotë pa kaluar nga Tirana. Kryeqyteti shqiptar ka përjetuar një transformim të jashtëzakonshëm në vetëm dy dekada. Aty ku dikur dominonin ndërtesat gri të trashëguara nga komunizmi, sot shfaqen murale shumëngjyrëshe, kafene moderne dhe bare të fshehura brenda bunkerëve të vjetër bërthamorë.
Sipas medias spanjolle, Tirana ka një energji të re, të re dhe disi kaotike. Kuzhinierët e rinj po rikthejnë recetat tradicionale shqiptare në versione moderne, ndërsa kafenetë e specializuara bashkëjetojnë me tregjet e rrugës dhe restorantet familjare.
Një nga simbolet më të forta të këtij transformimi është zona e ish-Bllokut. Gjatë diktaturës komuniste, ajo ishte një zonë e ndaluar për qytetarët e zakonshëm dhe e rezervuar vetëm për elitën komuniste. Sot, Blloku konsiderohet qendra më dinamike e jetës së natës në Shqipëri, me bare, restorante dhe lokale që qëndrojnë hapur deri në orët e para të mëngjesit./ElPais
Komente








