Një grup në WhatsApp me emrin “Krijimi i Kuvendit Kombëtar Qytetar” ka shpërndarë një njoftim ku deklaron krijimin e një strukture të re, të quajtur “Kuvendi Kombëtar Qytetar”, të cilën e paraqet si institucion të dalë nga protestat kombëtare të qershorit 2026.

Në njoftim thuhet se “Kuvendi Kombëtar Qytetar është institucioni shoqëror që garanton ruajtjen, zbatimin dhe fuqizimin e vullnetit të popullit”, ndërsa shtohet se ky vullnet është shprehur gjatë “Protestave të Mëdha Kombëtare të Qershorit 2026”.

Sipas dokumentit të shpërndarë në grup, ky proces parashikon krijimin e tre strukturave: “Kuvendi Kombëtar Qytetar”, “Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Kombëtar Qytetar” dhe “Mbledhja e Përgjithshme e Popullit Shqiptar”. Në tekst thuhet se këto institucione synojnë “kontrollin e popullit përparimtar mbi qeverinë dhe shtetin” dhe moslejimin e “nëpërkëmbjes së të drejtave të qytetarëve shqiptarë”.

Në një tjetër pjesë të njoftimit, Kuvendi përshkruhet si strukturë që “mbledh të gjithë njerëzit më aktivë, më përparimtarë, më të mençur politikisht, më dobiprurës për vendin”, si dhe ata që kanë qenë “kundërshtarët ndaj padrejtësive, nëpërkëmbjeve, gabimeve e dobësive të Sistemit të Vjetër 80-vjeçar”.

Dokumenti parashikon që Kuvendi të ketë dy forma: një “Kuvend Kombëtar normal me 150 anëtarë” dhe një “Kuvend Kombëtar të zgjeruar me 300 anëtarë”, ku përfshihen edhe përfaqësues nga diaspora dhe nga “trojet e tjera shqiptare”. Për anëtarët vendosen disa kritere, mes të cilave që të jenë “atdhetarë e patriotë”, të jenë dakord “për formimin e Shqipërisë Etnike” dhe të zbatojnë vendimet e Kuvendit “edhe kur vota e tyre është kundër vendimit të marrë”.

Njoftimi përmban edhe qëndrime të forta politike. Në një nga pikat thuhet se anëtarët duhet “të mos pranojnë kompromis për zbatimin e vullnetit të popullit që kërkon dorëheqjen e Ramës dhe dënimin e burgosjen e Ramës dhe Berishës tok me bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë”. Po ashtu, struktura pretendon se mund të përcaktojë emrat e një “Qeverie Teknike Tranzitore” në rast largimi të qeverisë aktuale./TemA