Nga mëria e Topallit, tek halli i përjetshëm i Lulzim Bashës

Nga mëria e Topallit, tek halli i përjetshëm i Lulzim Bashës

Jozefina Topalli dhe Lulzim Basha

Nuk janë dashur asnjëherë, madje janë luftuar e kacafytur në heshtje pas shpinës së Sali Berishës, që është munduar të shuajë çdo dekonspirim dhe rrethanë konkrete të sherrit më serioz brenda Partisë Demokratike në 15 vitet e fundit: konfliktit Basha-Topalli.

Ish-kryetarja e Kuvendit dhe figurë qëndrore e PD në qeverisjen e saj tetëvjeçare, e ka shprehur më shumë se një herë publikisht, helmin e akumuluar për gjendjen në të cilën ndodhet partia, prej ku e përjashtoi së bashku me figura të tjera të njohura dhe në mënyrë të shëmtuar Lulzim Basha, në vitin 2017. Natyrshëm, Topallit, një përkrahëse e vjetër e stilit politik të Sali Berishës, i duket krejt pa peshë, pa formë dhe përmbajtje lidershipi balerin i Bashës. Një drejtim i partisë që ka kërcyer sa në një gur në tjetrin, pa mundur ta kalojë dot lumin e thellë të të qenit në opozitë prej tetë vitesh.

Marrëveshjet e Bashës me Ramën, paqëndrueshmëria në strategji e taktikë, nismat e përsëritura që kanë përfunduar në flop – të gjitha këto ja bëjnë të vlojë gjakun një demokrateje të viteve ’90, që vijon të mos e përtypë dot shkëmbimin e hijes së rëndë të Doktorit, me siluetën amorfe të pasardhësit të tij.

Por Topalli, megjithë markën e brezit të vjetër që përfaqëson sot, jashtë dyerve të selisë zyrtare të PD, nuk është i vetmi problem që ka Lulzim Basha. Nëse vërejmë aktualisht fragmentimin jo të vogël që ka pësuar në dhjetë vjetët e fundit Partia Demokratike, do të kuptojmë se ky fenomen ka marrë tashmë përmasa aspak të tolerueshme për një opozitë që kërkon të rifitojë disa qindra mijë vota të humbura në zgjedhjet e tetë vjetëve të fundit.

Nuk platenë e konkurentëve nuk është më vetëm Bamir Topi më Frymën e Re Demokratike. Siglat e dala nga në formë fraksioni nga partia Demokratike janë shtuar gjatë rrugës, duke reklamuar secila mijëra vota të djathta. Lëvizjet politike të Astrit Patozit e Gjergj Bojaxhiut janë vetëm ana e dukshme e një problemi, i cili në sfond paraqitet si bjerrje e besimit të elektoratit të djathtë tek elita politike që mori në dorë PD pas ikjes formale të Berishës. Për secilën prej këtyre partive, në PD e sotme shtrembërojnë buzët me përçmim. “Këta do na sjellin humbjen ne”? E vërteta është se kur përballesh me qeverisjen në Shqipëri, cilado qoftë ajo, duhet të marrësh parasysh çdo firo dhe humbje brenda kampit tënd politik. Ndryshe fundi rrezikon të jetë dëshpërues. Dhe PD e sotme nuk e ka luksin të shpërfillë askënd. E thonë shifrat e preferencave të opinionit publik, të cilat i di fort mirë edhe Basha, edhe Berisha, edhe Meta.

Dalja nga parlamenti një vit më parë, ka prodhuar edhe ajo një fenomen të padukshëm copëzimi të mëtejshëm. Eshtë e vërtetë se lista shtesë që zuri vendet e Bashës, Berishës e Nokës në Kuvend, përbëhet nga njerëz pa emër dhe pa imazh publik. Por është po aq e vërtetë se në këto 12 muaj parlamentarizëm, përtej batutave e videove komike që i kanë shoqëruar, disa prej demokratëve “parlamentarë” si Murrizi e Hajdari, kanë ngritur zërin dhe po mundohen të krijojnë hapësirën e tyre edhe në një fushë loje të minuar, si ajo e opozitës së bashkuar.

Problemi i Bashës është t’i kontrollojë, administrojë dhe ribashkojë rreth projektit të tij këto frymëzime, që sot mbushin nebulozën opozitare dhe që për momentin duken shume të largëta nga linja zyrtare e partisë prej nga dolën. Duke zgjdhur paralelisht edhe marrëdhënien e koklavitur me LSI, e cila ka përthithur mijëra vota të djathta në katër e qeverisjes me Ramën.

Citohet këto kohë modeli Berisha i vitit 2005, si pika e referencës për Lulzim Bashën. Të marrësh model Berishën në vitin 2020, do të thotë të mos e kesh hapur librin e historisë politike të 30 viteve të fundit. Por nëse ky model ka sot ende një numër simpatizantësh edhe brenda opozitës aktuale, kjo ka ardhur ndër të tjera sepse epoka e re Basha ka rezultuar anemike, pa peshë dhe pa pigment. Më shumë se siglat politike të partive të vogla të dala nga PD, është kjo masë gri dhe e heshtur pesimistësh, problemi madhor i kryetarit Basha.

Në këto kushte, tingëllon paradoksale që afrimi i zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, ta gjejë më të fragmentuar dhe të hapërdarë partinë kryesore të opozitës, sesa kundërshtaren e saj në qeveri. Ndërsa djathtas ka ilaritet e rrokopujë zërash, idesh, interesash e ndasish, majtas ka rreshtim pas një komande dhe një urdhëri të vetëm. Dhe kur nga zgjedhjet na ndajnë veçse pak muaj, koha në dispozicion për Lulzim Bashën, që t’i gjejë një agora përbashkuese të gjithë atyre që duan një qeverisje të re në Shqipëri, po ikën me shpejtësi.

I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter (VIDEO)

Aksident i rëndë në Korçë, makina zë poshtë të riun që po lëvizte me skuter (VIDEO)