Nga pandemia te bashkëpunimi mes dy vendeve, Ruçi videokonferencë me kreun e Parlamentit të Austrisë

Nga pandemia te bashkëpunimi mes dy vendeve, Ruçi videokonferencë me kreun e Parlamentit të Austrisë

Gramoz Ruci

Kryetari Kuvendit, Gramoz Ruçi, zhvilloi sot një videokonferencë me Kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka. Gjatë konferencës u diskutua rreth bashkëpunimit midis të dy parlamenteve si edhe çështje aktuale të zhvillimeve në rajon e më gjerë si edhe për përballimin e pandemisë së Covid-19.

Të dy vendet po vazhdojnë të përballen me pasojat e pandemisë, e cila, përveç rrezikimit të jetëve njerëzore, ka shkaktuar vështirësi ekonomike, rritje të papunësisë dhe pasoja të tjera sociale.

 Ruçi e informoi kolegun Sobotka se Kuvendi i Shqipërisë bëri rregullimet e nevojshme ligjore per tiu pershtatur pandemisë dhe për të mundësuar ushtrimin e të gjitha funksioneve parlamentare. Kuvendi, gjatë periudhës së pandemisë, ka miratuar 40 ligje dher akte normative, të cilat janë diktuar nga situata e krijuar si rezultat i infeksionit të shkaktuar nga COVID-19 dhe nevoja për marrjen e masave urgjente për parandalimin e përhapjes së tij.

Mbrojtja e shëndetit publik ka qënë qëllimi kryesor. Disa prej tyre kanë konsistuar edhe në  marrjen e masave në ndihmë të bizneseve të prekura nga pandemia, tatimpaguesve në shtyrjen e detyrimeve të tyre tatimore, mbështetjen ndaj sektorit të turizmit, mbrojtjen e mjedisit nga subjektet që kanë në fushën e tyre të veprimtarisë ofrimin e shërbimeve të ndryshme për turistët, penalizimin e subjekteve që nuk respektojnë rregullat dhe protokollet e sigurisë për shëndetin të nxjerra nga organet kompetente etj. Presidenti Sobotka përmendi masat e Austrisë për përballimin e pandemisë, si rritja e rimbursimit të sigurimeve shoqërore, rritja e pagesave të asistrencës sociale, ndihma për bujqësinë dhe pylltarinë etj.  Të dy bashkëbiseduesit theksuan nevojën e rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve për të zbatuar masat mbrojtëse nga pandemia.

Në lidhje me bashkëpunimin parlamentar, Ruçi dhe Sobotka vunë në dukje thellimin e bashkëpunimit midis shërbimeve parlamentare, programin për praktiken parlamentare si dhe projektin për Punishten e Demokracisë, e cila synon shkëmbimin e njohurive dhe nxitjen e interesit të të rinjve për politikën dhe proceset demokratike, edukimin qytetar dhe sundimin e ligjit. Parlamenti austriak ka vënë në dispozicion burime njerëzore dhe asistencë me materiale informative. Kuvendi i Shqipërisë ka shprehur angazhimin për të zbatuar këtë aktivitet, që është reflektuar dhe në planin strategjik të Kuvendit. 

Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunëshëm, antisemitizmit dhe gjuhës së urrejtjes, të cilat sot paraqiten si rreziqe serioze të demokracisë. Kryetari Ruçi vuri në dukje se myslimanët shqiptarë nuk kanë asgjë të përbashkët me tendencat për të shfrytëzuar  përkatësinë fetare me rreziqet e mësipërme të demokracisë. Shqipëria dënoi fuqimisht atentatin e fundit terrorist në Vienë dhe Kryetari Ruçi rikonfirmoi edhe njëherë solidaritetin me Austrinë dhe mbështetjen e saj në luftën kundër terrorizmit.  Shqipëria është e vendosur në vizionin dhe qëndrimin e saj për rritjen e sigurisë në Ballkanin perëndimor, në rajonin e Mesdheut dhe më gjerë.    

Kryetari i Kuvendit Ruçi e falenderoi Presidentin Sobotka për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme e të vendosur ndaj integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor dhe vuri në dukje se Shqipëria ka arritur rezultate të padiskutueshme në zbatimin e reformave transformuese, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këto rezultate dhe arritje dëshmojnë qartazi angazhimin tonë të fortë ndaj procesit të anëtarësimit. Pritshmëria jonë është që ato të shërbejnë si një shtysë e fortë për të kaluar tashmë në fazën tjetër të procesit, mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Duke diskutuar mbi luftën kundër emigrimit të parregullt nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor, Kryetari Ruçi vuri në dukje se Qeveria shqiptare po punon fort për të dekuruajuar dhe ulur ritmet e emigrimit të parregullt dhe kërkesave për azil nga Shqipëria në vendet e BE-së. Bazuar në të dhënat e Eurostat, për vitin 2020 u është refuzuar dalja nga Shqipëria 5,106 shtetasve shqiptarë. Përgjysmimi i refuzimeve të daljes ka ardhur si rezultat i masave të marra për zbatimin sa më mirë të kontrolleve të kalimit të kufirit, sipas akteve ligjore që normojnë aktivitetin e policisë kufitare si dhe masave të marra në kuadër të pandemisë Covid-19.

Shqipëria ka krijuar një mekanizëm të qartë monitorimi të situatës të lëvizjes së shtetasve shqiptarë, nëpërmjet trajtimit të rasteve të refuzimit të tyre nga autoritete policore të vendeve të zonës Shengen. Për periudhën janar-shtator  2020, referuar Eurostat, ka një rënie të ndjeshme të kërkesa për azil të shtetasve shqiptarë: nga 15.800 kërkesa gjatë periudhës janar-shtator 2019, për të njëjtën periudhë të 2020 janë evidentuar në total 4.435  kërkesa ose 11.365 kërkesa më pak.

Kryetari Ruçi dhe Presidenti Sobotka biseduan edhe mbi disa çështje të zhvillimeve rajonale, europiane dhe më gjerë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot

Mos ngurroni të bëni hapin e parë... Çfarë parashikojnë yjet për ju sot