Bosnja dhe revolta që shpërtheu atje është kthyer në dritën në fund të tunelit të elitës së të djathtës që po rrëzohet edhe brenda vetë saj. Më 20 shkurt opozita premton një demostrim madhështor dhe nuk ngurron të bëjë një analogji me protestat unikale në Bosnje, ku myslimanë, kroatë dhe serbë protestuan kundër elitës së tyre etnike, të zhytur në korrupsion dhe që qëndron në këmbë duke mbajtur gjallë gogolin e ndarjes etnike. Ata liderë të përjetshëm drejtojnë tri zonat etnike në Bosnjen e lodhur nga vështirësitë ekonomike dhe paragjykimet që vijnë nga Bashkimi Europian, po e mbajnë peng atë vend.

Bosnja doli nga masakra më e egër etnike dhe fetare në zemër të Evropës dhe elitat e sotme, në fakt, disa vite më parë ishin shpresa e tre popujve të ndryshëm, që nuk donin më të jetonin bashkë dhe që u përleshën në betejën më gjakatare të kohëve moderne.
A mund të fryjnë në Shqipëri erërat që dogjën ndërtesat shtetërore në Bosnje, e qytetet e tjera të këtij vendi? Ato kanë fryrë e në fakt ndryshimi nuk ka nisur as nga Sarajeva e as nga Tirana, por nga Beogradi. Në Serbi problemet, autokracia, abuzimi dhe korrupsioni ishin në nivelin më alarmant.

Të lodhur dhe revoltuar nga ëndrra mashtruese e supermacisë nacionaliste, pjesa më perëndimore e serbëve dëbuan me dhunë ata që po i mbanin peng. Kjo ndodhi kur protestuesit sulmuan Parlamentin e vendit dhe e dogjën e më tej ndodhi që Serbia, vendi më i paragjykuar në Ballkan, të jetë shumë afër BE-së, falë edhe një ndryshimi gati radikal në lidhje me Kosovën. Ndryshimi ndodhi në Shqipëri, kur të djathtët, me një premtim frymëzues për të luftuar korrupsionin, fituan zgjedhjet në vitin 2005. Ndryshimi vijoi kur dëshira për të rrëzuar piramidën korruptive, që u krijua në 8 vitet e qeverisjes së djathtë, zemërimi ndaj nepotizmit, krahinarizmit, varfërimit dhe pasurimit të beftë të familjarëve dhe të lidhurve më pushtetin, rrëzoi me 23 qershor qeverinë e djathtë.

Por rruga deri në atë moment nuk ishte aq e qetë. Në Bosnje protestuesit sulmuan institucionet shtetërore dhe i dogjën me akuzat se “ATA” ishin bërë miliarderë, por edhe në Shqipëri më 21 janar njerëzit protestuan kundër një afere korruptive. Ajo që po ndodh në Bosnje, në fakt, në Shqipëri ndodhi më herët e mbase mund të përsëritet më vonë, nëse në Tiranë krijohen ata pashallarët e rinj miliarderë. Pas dy ditësh në Tiranë mund të ketë protestë si ajo në Bosnje, por jo për të njëjtat shkaqe. Aksionet e policisë, debatet për furgonët, largimi nga puna në administratë i atyre që hynë se ishin thjeshtë militantë të një partie, nuk janë arsye.

As ligji për nëpunësin civil apo ndarja e re administrative. Këto nuk janë shkaqe që mund të përngjasojnë Tiranën me Sarajevën. Zemërimi i disa qindra të hequrve nga puna pas një periudhe qejfi dhe batërdie në administratë është shumë më i vogël se zemërimi i pjesës dërrmuese të popullsisë kundër korrupsionit, varfërisë, që nuk u krijua pas 23 qershorit. Shqipëria nuk mund të jetë në Qershor të 2013-s një vend që zhvillohet si Gjermania dhe në Shkurt të 2014-s një vend që do shembet nga kriza si Greqia.

Pakkush e beson këtë, për të mos thënë se ata që e propagandojnë, më shumë shpresojnë që të ndodhë si një mënyrë që do t’u rikthente atyre priviligjet që të jep kolltuku. Opozita dhe veçanërisht PD sot është në të njëjtën pozitë të PS-së në 2005, kur kërkonte si somnambul në një dhomë të errët çelësin për të ndezur dritën.

Nëse në Bosnje ka lodhje nga korrupsioni, në Shqipëri ka një tjetër lodhje, nga padurimi për të dënuar korrupsionin, për të shembur sistemin e kapur, që vijon të qëndrojë në këmbë nga mefshtësia e reagimit të qeverisë së re. Nafta, kromi, koncesionet, lejet minerare, kapja ende vazhdon nga të njëjtë emra dhe kompani me lidhje të errta me ish-qeverinë e vjetër. Në Shqipëri ka një pakënaqësi lidhur me atë se përse qeveria e re vijon e negocion me zgjatimet e mazhorancës së kaluar, të cilat shesin shpirtin, votën për të mbrojtur favoret.

Në Shqipëri ka padurim për hapjen e vendeve të reja të punës, për punësim të atyre që për 8 vjet u nëpërkëmbën, sepse nuk ishin miq apo militantë të një kaste. Nëse policia mbyll me dhunë kazinotë, shumica dërrmuese e njerëzve e miratojnë. Nëse policia përpiqet edhe me dhunë të vendosë rregull në trafik, të gjobisë shkelësit, të penalizojë abuzuesit, shumica e njerëzve e miratojnë, sepse ata që ecin në këmbë, apo që respektojnë rregullat me makinë, janë shumica.

Për gjithë këto arsye, Bosnja nuk është fillimi i erës që mund të fryjë edhe në Tiranë, por fundi. Shqipëria është disa hapa para Bosnjes në këtë drejtim, por edhe mund të kalojë pas, nëse Rama dhe stafi, me të cilin udhëheq vendin, harrojnë se janë mandatuar që të tregohen të ashpër dhe radikalë ndaj korrupsionit, krimit dhe kalbëzimit të vlerave të shoqërisë shqiptare. Nëse do vijojnë ta ledhatojnë apo të tremben edhe nga protestat e furgonxhinjve …… mund të ndodhë që e gjithë fryma që kishin pro më 23 qershor t’iu kthehet kundër shumë afër, në zgjedhjet lokale.
 
 Shkrimi u publikua sot (18.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)