Në një artikull të publikuar ditën e sotme “The Economist” ka bërë me dije mbarë opinionit publik të dhëna të hollësishme mbi lëvizjen e shtetasve europianë, e jo vetëm, drejt Sirisë me qëllim bashkimin në luftime me militantët e ISIS.
 
Ekzekutimi, me prerje koke, të gazetarit amerikan James Foley nga ana e një xhihadisti britanik ka ndezur debatin në mbarë opinionin publik botëror mbi prejardhjen dhe arsyet që shtyjnë të rinjtë europianë të luftojnë në radhët e ISIS. Sipas “The Economist” arsye mund të jetë vetë dëshira utopike për të krijuar Kalifatin Islamik ndërsa të tjerë thjesht largohen nga kushtet e vështira të jetesës në vendet e tyre. Por ende nuk dihet përse disa shtete përfaqësohen më shumë se të tjerat në këto brigada vdekjeje.

Tunizianët, sipas përllogaritjeve, janë shtetasit që përbëjnë kontingjentin e huaj më të lartë në numër në radhët e ISIS, ndoshta sepse trazirat e brendshme në Tunizi kanë dobësuar forcat e sigurisë që mund ta neutralizonin si fenomen. Gjithsesi qytetar nga shtete si Arabia Saudite apo Jordania, ku forcat e inteligjencës janë mjaftueshëm të strukturuara, përfaqësohen të shumtë në numër. Shtetet e sipërpërmendura dhe pse kanë një histori të mbushur me “ekstremizëm shtëpiak”, nga ana e ekspertëve, nuk cilësohet si një arsye gjithëpërfshirëse për të justifikuar eksportimin në masë të islamikëve drejt Sirisë dhe Irakut. Ndërsa irakianët, që si nacionalitet përbëjnë gati të gjithë lidershipin e ISIS, në terren janë gati grupim në minorancë.
 
Nga Perëndimi, ndryshe nga seç mendohej, më shumë xhihadistë nisen nga Franca dhe jo nga Britania. Ndoshta, sipas The Ecomist, kjo ndodh sepse në Francë ka një përqendrim më të lartë të popullsie me fe myslimane. Belgjika nga ana e saj është vendi i parë europian që ka furnizuar militantët e ISIS me më shumë xhihadistë në raport të drejtë me numrin e popullsisë që posedon brenda territorit të saj.
 
Ndërsa për sa i përket rrugëve të kalimit të xhihadistëve europian, drejt bashkimit me forcat e ISIS në Irak dhe Siri, duket se Turqia luan një rol të rëndësishëm. Përtej faktit se terrorizmi ndërkombëtar nuk heq dorë nga klishe si ajo e përdorimit të avionëve civil, pjesa më e madhe e xhihadistëve zbarkojnë fillimisht në aeroportin “Ataturk” në Stamboll, Turqi. Më pas nga ky aeroport nisen, po me linja ajërore, drejt aeroporteve Hatay, Gaziantep dhe Sanliurfa. Aeroporte, këta të fundit, që ndodhen më pranë me kufirin Turk mes Sirisë dhe Irakut. Pasi kanë zbarkuar në këto aeroporte periferike të Turqisë, pikat kufitare tokësore ku xhihadistët “made in Europe” hyjnë në territoret e kontrolluara nga ISIS janë tre: Reyhanli, Killis dhe Ackacale.

isis
isis
Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)