Nga vijnë paratë për lobimin në SHBA

Të gjitha udhëtimet e Metës, Bashës, madje edhe të Berishës, u organizuan nga firmat lobuese që përfaqësojnë zyrtarët shqiptarë. Të dhënat e marra përmes FARA-s dhe të përpiluara nga fondacioni amerikan Sunlight, tregojnë se të gjitha partitë kryesore në Shqipëri, nga demokratët e Berishës tek socialistët opozitarë të Ramës, kanë kontakte të forta me firma lobimi. Ndër to përfshihen Podesta Group, Blue Star Strategies, Dutko International, BKSH &Associates dhe Rasky Baerlein Strategic Communications. Edhe partia relativisht e vogël, Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila përfaqëson minoritetin çam, ka agjentin e saj në Uashington. Formularët e mbushur nga Foreign Influence Tracker Database tregojnë se shumica e kontakteve të kryera nga agjentët e Partisë Demokratike në pushtet me zyrtarë amerikanë, ishin për të siguruar ftesa për darkë për kryeministrin Sali Berisha dhe spikeren e parlamentit, Jozefina Topalli. Ndërkaq agjenti i socialistëve, Rasky Baerlain Strategic Communications, ka dërguar dhjetëra kërkesa për mediat ndërkombëtare në 2010-ën në tentativë për të ujdisur intervista ose për të diskutuar krizën politike në Shqipëri. "Çka Shqipëria duket se po bën është përdorimi i njerëzve me akses për të siguruar akses personal me politikbërësit në Uashington," tha Bill Alison, drejtor redaksional i Fondacionit Sunlight. "Këto takime zhvillohen kryesisht në praninë e lobistëve, dhe shumë prej këtyre lobistëve janë kontribuues të vjetër apo sigurues fondesh për anëtarë të Kongresit, ose ish- kolegë me zyrtarë të Departamentit të Shtetit," vërejti Allison. Ndërsa firmat lobuese faturojnë qindra mijëra për shërbimet e tyre, është e paqartë nga vijnë këto para. Vetëm gjatë viteve 2009-2010, qeveria e Shqipërisë e partitë e saj kryesore shpenzuan 1.38 milion dollarë për lobim në SHBA. Organizatat mbikëqyrëse të shoqërisë civile thonë se do të jetë e vështirë të gjendet burimi i parave duke qenë se financat e partive politike shqiptare nuk janë aspak transparente. Një studim nga Transparency International, i publikuar në nëntor të vitit 2011, thotë se financimi i partive shqiptare ka një monitorim të dobët, ndërsa boshllëqet ligjore lejojnë derdhjen e dhurimeve të paligjshme. Alison thekson se duke qenë se takimet e organizuara nga lobistët ndodhin pas dyersh të mbyllura, ato nuk janë aspak transparente. "Frika është se zyrtarët amerikanë nuk do të flasin hapur sa duhet për shkak të lidhjeve që lobistët kanë," vijoi ai. "Mesazhi nga zyrtarët amerikanë në këto takime duhet të përfshijë një këmbëngulje për transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet e qeverisë shqiptare".

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!