TIRANE- Me akuzën e ngacmimit seksual dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, gjykata e Sarandës ka vendosur këtë të martën masën e sigurisë “arrest me burg” për 62-vjeçarin Agron Cane si person i dyshuar për konsumim të veprave penale.
 
Seanca ndaj Canes është zhvilluar me dyer të mbyllura, vendim ky i marrë nga Gjykata pas kërkesës së organit të akuzës për shkak të sekretit hetimor dhe dëshmisë së një të miture në fshikullin hetimor.
 
Ka qenë gjykatësja Enkeleda Doda e cila ka vlerësuar të ligjshëm arrestin ndaj Canes duke pranuar dhe kërkesën e organit të akuzës për më tepër kohë deri në plotësimin e hetimeve për ngjarjen.
 
“A1 Report” ka mundur të zbardhë një pjesë nga deklarimet e Agron Cane para trupit gjykues, ku paçka i akuzuar për dy vepra penale ai ka mohuar që video e transmetuar të jetë e vërtetë duke pretenduar pafajësinë.
 
Menjëherë pas vendimit ka reaguar dhe avokati i tij mbrojtës Gjergji Imeraj duke e cilësuar arrestimin dhe ngjarjen me ndikim politik.
 
“Do bëjmë apel të menjëhershëm. Ngjarja është me prapavijë politike, për shkak të angazhimeve që ai kishte në këtë qytet. Masa e sigurisë ndaj Canes është e paligjshme. Kundër tij është përdorur manipulimi i një video diskredituese. Edhe organi i akuzës ka kërkuar mbledhjen e provave, dhe kërkon disponimin e plotë të filmimeve. Video origjinale deri më tani nuk janë dorëzuar të plota”, u shpreh avokati i Canes, Gjergj Imeraj.

Vetë Cane në seancën gjyqësore është shprehur se është i pafajshëm, ndërsa avokati i tij është shprehur se “Cane tentoi të vetëvritej kur u publikua video. I kërkova policisë që të ruajnë Canen në paraburgim. Është i rënduar psikologjikisht, dhe mund të tentojë vetëvrasjen”.

Nga ana tjetër denoncuesja E.G është paraqitur sot në Prokurori nën masa të larta sigurie, por nuk ka qenë e pranishme në Gjykatë gjatë masës së sigurisë për Canen. 

denoncuesja
(Në foto: Me rreth të kuq denoncuesja e E.G gjatë mbërritjes në Prokurorinë e Sarandës ditën e sotme)

Ish-Sekretari i zyrës së deputetit në Sarandë u ndalua nga policia më 16 gusht, pas denoncimit të shtetases E.G se Cane i kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale në këmbim të një vendi pune.
 
Denoncimi ndaj Canes është bërë publik dhe me një video të publikuar në media, ndërsa organi akuzës është ende duke kryer hetime për të vërtetuar origjinalitetin e videos dhe rrethanat e ngjarjes.

Cane, nga ngacmimi i zboristes në ’89 tek minorenia në 2014
I akuzuari kryesor për ngacmimin seksual në Sarandë, Agron Cane është një ish-ushtarak i cili ka arritur deri në majat e ushtrisë. Por në vitin 1989 ai ishte denoncuar për ngacmime seksuale në ushtri. Në vitin 1992, ku ai është nxjerrë në lirim nga Forcat e Armatosura, ai ka qenë Komandat Brigate në Sarandë një ndër postet më të rëndësishme. Pas kësaj kohe, ai kishte emigruar për në Greqi, ku mësohet se kishte ndryshuar edhe emrin, duke e bërë në Andon Cane.