Ndryshimet në dekriminalizim! Rama: Të gjithë kandidatët në lista në filtrin e policisë e prokurorisë (para fushatës)

TIRANË - Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka zbuluar se cilat janë ndërhyrjet që qeveria do të bëjë në ligjin e dekriminalizimit, për të shmangur kështu përsëritjen e rasteve të kryebashkiakëve që u shkarkuan nga detyra pasi dolën të kishin gënjyer në formularët e vetëdeklarimit. Kreu i qeverisë tha se të gjitha listat e partive me kandidatë do t'i dorëzohen para fushatës elektorale policisë dhe prokurorisë për të bërë verifikimet. Kështu, listat nuk do të jenë më vetëm në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që pas dyshimeve çonte për verifikim formularë në Task-Forcën e dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme. 

Në një prononcim për gazetarët nga selia e Partisë Socialiste këtë të shtunë ku anëtarët e partisë zgjedhin 706 delegatët e Kongretit në të gjithë Shqipërinë, nga 149 kandidatë përmes parimit një anëtarë një votë, kreu i qeverisë zgjodhi të mos i kushtojë rëndësi situatës së ngërçit në Gjykatën Kushtetuese duke thënë se është konflikt i një personi që është radhitur në anën e gabuar të historisë, Presidentit Ilir Meta.  

Kreu i qeverisë, Edi Rama teksa bëri votimin elektronik në njësinë numër 8 për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit, tha se votimi elektronik është i mundshëm të ndodhë edhe në zgjedhjet e ardhshme, megjithëse duhej të ishte që në zgjedhjet e shkuara. 

VIDEO/Fjala e plotë e kryeministrit Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:10
Ndryshimet në dekriminalizim! Të gjithë kandidatët në listat e partive në filtrin e policisë dhe prokurorisë (para fushatës)

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur sot detaje nga ndërhyrjet që qeveria do të bëjë në ligjin për dekriminalizimin. Rama tha se partitë do t'i dorëzojnë listat me kandidatë organeve ligjzbatuese përpara fillimit të fushatës zgjedhore, në mënyrë që një muaj para zgjedhjeve të gjtihë kandidatët në listë të jenë verifikuar nga policia dhe prokuroria. Kështu, nëse një kandidat deri më sot, plotësonte formularin e veëtëdeklarimit dhe e dorëzonte atë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me ndërhyrjet në ligj, ai më herët do të ketë kaluar në filtrin e verifikimeve të policisë dhe prokurorisë. Rama tha se përgjegjësia individuale e një kandidati që gënjën në formular nuk mund të jetë më barrë e partisë.

- Teksa PS është në proces riorganizimi, keni menduar të vendosni filtra në mënyrë që kandidatët tuaj për bashki të mos i kapë më ligji i dekriminalizimit.

Kryeministri Rama: E kam thënë, e rithem, të gjitha virgjëreshat që thonë të kundërtën u ngjajnë atyre përgjegjëseve të shtëpive të qejfit që predikojnë moral, se kjo është një çështje që mund të zgjidhet vetëm përmes fuqizimit të ligjit në raport me individin, duke e kthyer vetëdeklarimin e rremë në një vepër që dënohet dhe dënohet qartë, ashpër, drejtpërdrejtë dhe nga ana tjetër, duke i çliruar të gjitha partitë politike nga kjo barrë për të lexuar mendjen e  individëve që në mënyrë të papërgjegjshme i shmangen të vërtetës kur vetëdeklarojnë, përmes një ndërhyrjeje në ligj që do t’i japë mundësi institucioneve ligjzbatuese të bëjnë verifikimin, pasi partitë të çojnë listat e kandidatëve për t’u zgjedhur në një kohë më përpara sesa fillimi i fushës, në mënyrë që kur të fillojë fushata, të gjitha listat të jetë të verifikuara nga agjencitë ligjzbatuese. Partitë nuk kanë kapacitete për të bërë punën e policisë apo të prokurorisë. Nga ana tjetër, policia dhe prokuroria duhet të futen në këtë proces më parë. Kjo është e thjeshtë dhe e qartë. Kush pastaj predikon moral, ua thashë, është një shëmbëlltyrë njësoj si ato përgjegjëset e shtëpive të qejfit që tek dera e shtëpisë predikonin virgjërinë e vashave që ofronin brenda shërbime.  

I fundit ishte rasti i Agim Kajmakut, ish-kryetarit të Bashkisë së Vorës, i cili është shpallur në kërkim më vendim gjykate. Ai gënjeu në formularin e vetëdeklarimit duke mos deklaruar që ka qenë i arrestuar dhe hetuar në Greqi vite më parë. Edhe pse ndaj tij ka një vendim pafajësie nga ana e drejtësisë greke, dhe mbi të gjitha bëhet fjalë për një vepër penale që nuk e penalizonte Kajmakun të kandidonte (falsifikim kartëmonedhash), ai duhej t'i ishte përgjigjur me "PO" pyetjeve nëse ka qenë ndonjëherë i arrestuar dhe i hetuar në Shqipëri apo në ndonjë shtet tjetër.

Aktualisht gjithçka është në dorë të KQZ-së. Nëse ky institucion i adminsitrimit zgjedhor ka dyshime mbi vërtetësinë e formularit të ndonjë kandidati, i drejtohet Task-Forcës së dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme e cila kryen verifikimet. Në rastin e Kajmakut, verifikimi nuk nisi pas kërkesës së KQZ-së, por pas denoncimeve publike të PD-së që zbuluan se ish-kryebashkiaku kishte qenë i arrestuar në Greqi me emër tjetër, Jorgo Toto. Pas verifikimeve, Prokuroria e Përgjithshme e vuri zyrtarisht në hetim Kajmakun, ndërsa me masë arresti dhënë në mungesë nga Gjykata, Kajmaku është shpallur në kërkim, jo vetëm për deklarimin e rremë, por edhe pse dyshohet të ketë ushtruar detyrën e kryebashkiakut edhe pasi KQZ i hoqi mandatin më 1 nëntor.

Ora 11:08
Mori mesazhe kërcënuese? Rama: Nuk janë tema që më shqetësojnë fare

I pyetur nga gazetarët në lidhje me një lajm të shpërndarë në media për një kërcënim që ka marrë nga një i ri, Rama ka thënë se nuk është i shqetësuar për këto tema, duke mos e pohuar por as mohuar këtë lajm. Ai është shprehur se ajo që e shqetëson është dhënia e një shtyse të re procesit qeverisës së këtij mandati.

- Zoti Kryeministër, a keni marrë ditët e fundit ndonjë mesazh kërcënues në telefonin tuaj. Ka një person të arrestuar nga antiterrori.

Kryeministri Rama: Nuk janë tema që më shqetësojnë dhe as tema që më interesojnë. Çka më shqetëson dhe më intereson, më besoni, është dhënia e një shtyse të re procesit qeverisës për një përfundim me sukses të këtij mandati, e cila shtysë fillon me ligjin special kundër të gjithë atyre që janë shpërndarë nëpër territore të caktuara dhe kujtojnë se llogaritë i kanë mbyllur, por llogaritë janë të hapura dhe tani është koha për të bërë llogaritë. Llogaritë e çdo pasurie të vënë përmes veprimtarive kriminale. Kjo është ajo që më intereson.

Ora 10:57
Rama nuk i ndahet KÇK: Do japin llogari! Ligji special do të çelë siparin e luftë kundër krimit të organizuar

Kryeministri Edi Rama ka zgjehdur sërish të mos i kushtojë rëndësi asaj se çfarë po ndodh me Gjykatën Kushtetuese ku për një pozicion janë zgjedhur dy anëtare, njëra me dekret jashtë afateve ligjore nga Presidenti Meta, dhe tjetra, automatikisht nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Duke e quajtur konflikt të shkaktuar nga i njëjti person, Presidenti Ilir Meta, Rama tha se parlamenti ka vepruar me zgjedhjen e dy anëtareve për në Kushtetuese në linjën e SHBA-ve dhe BE që janë mbështetës kryesor të reformës në Drejtësi, dhe se qartazi sipas tij, "Ilir Meta është edhe një herë tjetër në anën e gabuar të historisë". Pyetjeve të gazetarëve për Gjykatën Kushtetuese, institucion që ka njohur Marsida Xhaferllarin dekretuar nga Meta, dhe jo Arta Vorpsin, kreu i qeverisë ju përgjigj duke e kaluar fokusin tek ligji special që do të prezantojë publikisht më 25 nëntor kundër krimit të organizuar dhe prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, që Rama i quan "KÇK" (Kap cfarë të kapësh).

-A keni ndonjë qëndrim përsa i përket reagimit të Gjykatës Kushtetuese pas rezolutës së votuar dje në parlament

Kryeministri Edi Rama: Do më lejoni t’ju rikonfirmoj atë që thashë dhe dje. Ky është një konflikt i radhës, i shkaktuar nga një i njëjti burim konflikti për të njëjtat arsye që dihen. Por unë nuk mendoj që ne duhet të përfshihemi më tej në këtë konflikt dhe nuk mendoj që ky është një konflikt që mund të zgjidhet me beteja dhe me polemika në fushën e komunikimit, pasi natyrisht njerëzit duan të tjera gjëra dhe unë dua që njerëzve t’u japim gjërat që ata duan, duke filluar nga data 25 nëntor kur do të prezantoj platformën kundër KÇK, e cila nuk do të jetë një program, por do të jetë një paketë e tërë ligjore, mbi bazën e një ligji special kundër krimit të organizuar dhe të gjithë atyre që kanë kryer vrasje, kanë kryer akte të rënda përfshirje në trafiqe, e kështu me radhë, për të cilët ka ardhur koha të japin disa llogari të pambyllura. Për më tepër,  sigurisht do t’ju jepet mundësia të mësoni kur të publikohet edhe ligji special, që do të çelë siparin e një lufte të panjohur më parë në territorin e Republikës Shqipërisë kundër krimit të organizuar dhe atyre eksponentëve të krimit që deri më sot ia kanë dalë të përdorin dhe të kenë në dispozicion pasuri të paligjshme.

- Presidenti dje paralajmëroi një padi për Zotin Dvorani, për të cilin tha se nuk ka vepruar me kokën e tij përsa i përket mosdërgimit në të njëjtën ditë të emrave për Parlamentin dhe për Presidentin. Keni ndonjë koment për këtë? Dhe e dyta, përsa i përket Arta Vorpsit, e cila nuk figuroi dje në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministri Rama: Mbase nuk më dëgjuat, ose mbase doni të dëgjoni atë që ju dëshironi, legjitime është edhe kjo, unë nuk dua që ne të përfshihemi në këtë konflikt si dy palë që japin e marrin bam e bum për çështje, të cilat nga njëra anë janë shumë të qarta dhe nga ana tjetër janë çështje që tanimë duhet t’i përkasin proceseve legjitime dhe ligjore. Sepse gjithçka që ne mund të bënim nga ana jonë, ne e bëmë dhe përsëris e kemi bërë të linjëzuar 100% me ata që janë mbështetësit dhe garantët e Reformës në Drejtësi, partnerët tanë, SHBA-ja dhe BE-ja. Është një tjetër rast kur ne jemi në anën e duhur të historisë, ndërsa, fatkeqësisht, Ilir Meta është edhe një herë tjetër në anën e gabuar të historisë.

Ora 10:38
Votimi elektronik në zgjedhjet e ardhshme? Si përgjigjet Rama

Kryeministri Rama ditën e sotme ka kryer votimin elektronik për herë të parë në zgjedhjet e delegatëve të Kongresit të PS-së, ku ka deklaruar se ky lloj votim kryhet 'ofline' dhe është i pa penetrushëm nga forcat e errët, siç u shpreh ai. Kryeministri duke iu përgjigjur interesit të mediave nëse votimi elektronik do të bëhet në zgjedhjet e ardhshme është përgjigjur duke thënë se kjo është një kërkesë shumë e kërkuar, por se duhej të ishte pilotuar që në zgjedhjet që shkuan. Megjithatë - tha Rama - "absolutisht është një votim i mundshëm"

-Zoti Rama keni besim tek votimi elektronik? Mendoni se do të jetë i implementueshëm për zgjedhjet e ardhshme?

Kryeministri Edi RamaNe kemi përgatitur një proces të tërë përpara zgjedhjeve që kaluan, pra zgjedhjeve vendore shumë kohë përpara, për të qenë të gatshëm t’i përgjigjemi pozitivisht një kërkese të shumëpërsëritur të shumëkënduar, por pastaj të harruar, njësoj siç u harrua dhe himni kombëtar, për votimin elektronik. Na ka rezultuar i mundshëm. Natyrisht për ta shtrirë në të gjithë Shqipërinë, do të duhej ta kishim pilotuar që në zgjedhjet që shkuan, por ju e dini historinë e zgjedhjeve që shkuan. Kështu që mbetet për t’u parë në të ardhmen. Por është absolutisht një votim i mundshëm. Nuk është online siç e dini, është offline, është mekanik dhe është i papenetrueshëm nga forcat e errëta.

Ora 10:37
'Parlamenti shpërndahet me një dekret...', Rama i përgjigjet Metës: Më kujton Xhike Qamilin...

Në një prononcimin për mediat pasi votoi për delegatët e Kryesisë, Kryeministri Rama i është përgjigjur 'paralajmërimit' të presidentit Ilir Meta ku kishte deklaruar më parë se me një dekret mund të shpërndajë Parlamentin.

- Zoti Meta deklaroi dje se me një dekret mund të shpërndajë parlamentin. Keni një koment?

Kryeministri Rama: Më kujton atë që ju kam thënë më parë, xhike Qamilin që thoshte sa të kem këtë e atë katund nuk pyes për Francën dhe Anglinë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • pjeter: 16/11/2019 10:49

    Xhike Qamili perfundoi me hallken ne fyt,kurse ky eshte me fat,ne Rec,eshte hotel me 5 yje.

    Përgjigju
  • O tej: 16/11/2019 10:43

    Eshte kokelope Skrapari ai shernda parkamentin e cin Monen para me sepate me cizme me brek pa brek

    Përgjigju
  • Ramires: 16/11/2019 10:38

    sa i bute, si llokum, apo rrush si tdush ti titonc i zdepur..., sa i bete ndaj metes!??-tka ne litar?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve