Votimi elektronik për herë të parë në zgjedhjet brenda PS, 76 068 socialistë votojnë për delegatët e Kongresit

TIRANE - Këtë të shtunë Partia Socialiste e Shqipërisë zhvilloi zgjedhjet për delegatët e kongresit sipas parimit një anëtar, një votë. Në një deklaratë për shtyp, numri dy i PS Taulant Balla publikoi shifrat e pjesëmarrjes ndërsa e quajti procesin një sukses për dy arsye kryesore. Balla tha se në zgjedhje morën pjesë 76.068 anëtarë të PS, ndërsa u shpreh se procesi testoi për herë të parë të votimit elektronik në Njësinë Nr.8 të Tiranës por solli një tjetër inkurajim pasi 47% e kandidatëve për delegatë ishin gra dhe vajza.

Procesi për zgjedhjen e tyre nisi në orën 08:00 ku anëtarët e PS në gjithë vendin zgjodhën mes 1 496 kandidaturave, 706 delegatët e Kongresit. Në të gjithë vendin ishin 362 qendra votimi dhe 362 komisione që menaxhuan procesin për zgjedhjet e delegatëve të PS. 

Kryeministri Edi Rama, i cili votoi në njësinë 8 ku dhe u vu në praktikë votimi elektronik tha se është e mundshme që votimi online të implementohet edhe në zgjedhjet e ardhshme, pasi sistem është i pa penetrueshëm nga forcat që ai i quan të errëta, siç ai u shpreh.

Votimi elektronik

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:28
Mbyllet votimi në PS/ Balla: Votimi elektronik tregoi se jemi partia më moderne! 47% e kandidatëve gra dhe vajza

1573812607_balla.jpg

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka njoftuar përfundimin e zgjedhjeve brenda PS. Në një deklaratë për shtyp, numri dy i PS publikoi shifrat e pjesëmarrjes ndërsa e quajti procesin një sukses për dy arsye kryesore. Balla tha se në zgjedhje morën pjesë 76.068 anëtarë të PS, ndërsa u shpreh se procesi testoi për herë të parë të votimit elektronik në Njësinë Nr.8 të Tiranës por solli një tjetër inkurajim pasi 47% e kandidatëve për delegatë ishin gra dhe vajza.

"Partia Socialiste është një shkollë e funksionimit demokratik dhe këtë e ri-dëshmoi sot edhe ky proces shumë cilësor. Sot përmbyllëm fazën e parë të kalendarit tonë politik të brendshëm të procesit zgjedhor të nivelit të parë të strukturës sonë organizative, qoftë në ri-formatimin e organizatave  dhe aplikimin e bashkë-drejtimit të Organizatave Socialiste qoftë në zgjedhje, gjatë ditës së sotme, sipas parimit "një anëtar, një votë" të 706 delegatëve në Kongresin e PS të shkurtit 2020.
76.068 anëtarë të Partisë Socialiste morën pjesën përmes votimit tradicional në një nga ushtrimet më të rëndësishme, jo vetëm për demokracinë tonë të brendshme, por edhe për të gjithë sistemin politik shqiptar.
Në përfundim të këtij procesi, kam kënaqësinë të njoftoj se në të 363 vend-votimet e ngritura në të gjithë bashkitë e vendit është zhvilluar procesi rregullisht, duke dëshmuar arritjen e një cilësie dhe standardi të lartë të këtyre zgjedhjeve.
 Dua të veçoj gjatë ditës së sotme, dy risitë që shënoi ky proces zgjedhor me testimin për herë të parë të votimit elektronik në Njësinë Nr.8 të Tiranës nga 989 anëtarë dhe 100 anëtarë të tjerë që votuan on-line, Partia Socialiste tregoi se nuk është jo vetëm partia më e madhe dhe më e organizuar, por edhe partia më moderne në Shqipëri.
Barazia gjinore mori tjetër inkurajim në këtë proces, pasi 47% e kandidatëve për delegatë të Kongresit të  PS ishin gra dhe vajza.
E dimë të gjithë se procesi i këtyre zgjedhjeve në parti, ka një rëndësi të veçantë për ecurinë e gjysmës së dytë të këtij mandati dhe për betejën për rinovimin e mandatit të socialistëve si shumicë qeverisëse në Qershor 2021.
Ashtu sikundër, e dimë se në stadin aktual partia ka nevojë për një energjizim të ri, një ri-organizim kapilar dhe një hapje të madhe ndaj shoqërisë.
 Këto zgjedhje konsoliduan një bazë të re përfaqësimi të grave dhe vajzave në vazhdën e reformës transformuese që PS ka udhëhequr në drejtim të barazisë gjinore.
Partia Socialiste ka në ADN-në e saj parimin e mundësive të barabarta dhe sigurimi i shanseve të barabarta për gratë dhe vajzat është pasqyra më kuptimplotë e nivelit të të jetuarit me këtë parim.
Siç e sanksionon statuti ynë, neni 3, për të siguruar demokracinë e brendshme që është kusht politik dhe moral i ekzistencës së partisë sonë, PS garanton shanse të barabarta në përfaqësim midis grave dhe burrave.
Faleminderit të gjithë themeluesve të kësaj partie, të kësaj shkolle të madhe jete dhe politike, që është Partia Socialiste, sepse kjo shkollë jete dhe politike është në dispozicion të gjithmonë e më shumë njerëzve.
Faleminderit edhe të gjitha grave e vajzave anëtare të Partisë Socialiste, që janë gjithnjë e më shumë një forcë përcaktuese në ekuilibrat e brendshëm shoqëror dhe vendimmarrës të kësaj partie.
Asnjë forcë tjetër përveç PS nuk mund ta sillte këtë transformim dhe asnjë forcë tjetër, përveç PS, nuk mund të sillte transformimin epokal, qoftë në qeverinë qendrore, qoftë në këshillat bashkiakë, tanimë Shqipëria të ketë mundësinë e përfaqësimit me 50% burra dhe djem dhe me 50% gra dhe vajza.
Faleminderit të gjithë burrave dhe djemve që kontribuojnë në çdo nivel dhe e furnizojnë partinë tonë çdo ditë me energji të reja.
Faleminderit veteranëve, pasardhësve të tyre dhe përfaqësuesve të familjeve të dëshmorëve.
Është momenti për t’i falenderuar të gjithë deputetët, ministrat, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët tanë bashkiakë që janë në lartësinë e detyrës. Faleminderit të gjithë strukturës së partisë, veçanërisht asaj organizative. Është momenti sot për ta falenderuar kryetarin Edi Rama për udhëheqësinë e tij të mençur. Rroftë Partia Socialiste! mRroftë Shqipëria!",
u shpreh Balla.

Ora 16:22
Zgjedhjet në PS/ Peza: Do të vazhdojnë edhe pas orës 16:00!

Sekretari për Marrëdhëniet me Mediat në PS Alfred Peza ka deklaruar se procesi i votimit brenda partisë do të vazhdojë edhe pas orës 16:00. Në një deklaratë për mediat Peza u shpreh se rezultatet për zgjedhjet do të publikohen mbrëmjen e sotme.

"Kjo e shtunë e 16 nëntorit 2019, ishte një ditë e veçantë për të gjithë socialistët shqiptarë.Në të gjithë vendin, po zgjedhim sipas parimit “një anëtar, një votë”, 706 delegatët për në Kongresin e PS të shkurtit 2020. 103. 056 anëtarët e Partisë Socialiste, morën pjesë në një nga ushtrimet e të drejtës më të rëndësishme, jo vetëm për demokracinë tonë të brendshme, por edhe për të gjithë sistemin politik shqiptar. Në përfundim të këtij procesi, kam kënaqësinë të njoftoj se në të 363 vend-votimet e ngritura në të gjitha bashkitë e vendit, nuk janë njoftuar parregullsi, duke dëshmuar arritjen e një cilësie dhe standardi të lartë të këtyre zgjedhjeve.  

Jemi informuar se në shumë qendra votimi në disa qarqe të vendit, ka një numër të madh anëtarësh të PS në radhë për të votuar. Sipas udhëzimeve të dhëna edhe më parë nga Komisioni i Zgjedhjeve në parti, por nisur edhe nga praktika e proceseve të derisotme elektorale në Shqipëri, votimi do të vijojë derisa të ketë ushtruar të drejtën e tij demokratike edhe më i fundit anëtar, që ndodhet në radhë për të votuar.Përfitoj nga ky moment për ti bërë thirrje të gjithë drejtuesve të Komisioneve Zgjedhore të Partisë dhe vend-votimeve, që procesi të vijojë edhe pas orës 16:00.

Dua të veçoj gjatë ditës së sotme dy risitë që shënoi ky proces zgjedhor.Me testimin për herë të parë të votimit elektronik në Njësinë Nr. 8 të Tiranës nga 989 anëtarë dhe 100 anëtarë të tjerë që votuan on-line, Partia Socialiste tregoi se nuk është vetëm partia më e madhe dhe më e organizuar, por edhe partia më moderne në Shqipëri.Barazia gjinore mori tjetër inkurajim në këtë proces, pasi 47 % e kandidatëve për delegatë të Kongresit të PS, ishin gra edhe vajza. Në orët në vijim, do të vijojmë që t'ju informojmë rreth përfundimit zyrtar të të gjithë procesit të sotëm nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla, i cili do të bëjë publike të gjitha rezultatet dhe detajet e tjera të këtij procesi., tha Peza.

Ora 14:36
Flet kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në PS, Klotilda Ferhati: Deri në orën 12:00, pjesëmarrja mbi 35%

Kryetarja e Komisionit të Zgjedhjeve në PS, Klotilda Ferhati ka mbajtur një fjalim në lidhje me ecurinë e votimit për delegatët e Kongresit të PS, në të gjithë vendin tonë.

Ferhati shpjegon se procesi po vijon me ritme të larta dhe nuk është shënuar asnjë problematikë deri më tani. Nga të dhënat e raportuar nga qendrat e votimit në të gjithë vendin, rezulton një pjesëmarrje e lartë në votime, mbi 35%, deri në orën 12:00. Po ashtu Ferhati shpjegon se për shkak të kësaj pjesëmarrje të lartë dhe radhëve të gjatë në disa qendra votimi, komisioni ka pajisur me dhoma të fshehta votimi shtesë.

Deklarata e Ferhatit:

Në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, jam këtu për të ndarë me ju të dhënat e deritanishme të procesit të votimit për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit në të gjithë Shqipërinë, sipas parimit “një anëtar / një votë.

Ashtu siç ju kemi bërë me dije procesi ka nisur në orën 08.00 dhe vijon normalisht, pa asnjë problematikë, në të gjithë vendin.

Nga të dhënat e raportuar nga qendrat e votimit në të gjithë vendin, rezulton një pjesëmarrje e lartë në votime, mbi 35%, deri në orën 12:00. Për shkak të kësaj pjesëmarrje të lartë dhe radhëve të gjatë në disa qendra votimi, komisioni ka pajisur me dhoma të fshehta votimi shtesë.

Më lejoni t’ju sqaroj pjesëmarrjen sipas bashkive është si më poshtë:

Për Qarkun Shkodër:

Malësia e Madhe ka një pjesëmarrje deri në orën 12:00 prej 23.9%;

Bashkia Shkodër - 23.1%

Bashkia Vau Dejës- 52.4%

Bashkia Pukë- 30%

Bashkia Fushë Arrëz -24%

Për Qarkun Kukës

Bashkia Tropoja - 23%

Bashkia Has - 52%

Bashkia Kukës- 36.2%

Për Qarkun Lezhë

Bashkia Lezhë -37.4%

Bashkia Mirditë - 40%

Bashkia Kurbin -24. 4%

Për Qarkun Dibër

Bashkia Mat -28.5%

Bashkia Klos -35%

Bashkia Bulqizë- 31%

Bashkia Dibër- 29.1%

Për Qarkun Durrës

Bashkia Krujë- 30%

Bashkia Durrës- 31 %

Bashkia Shijak- 35.2%

Për Qarkun Tiranë

Bashkia Kamëz- 23%

Bashkia Tiranë- 32%

Bashkia Kavajë -17%

Bashkia Rrogozhinë- 36%

Për Qarkun Elbasan

Bashkia Peqin 55%

Bashkia Belsh 43.8%

Bashkia Cërrik 40.2%

Bashkia Elbasan 39%

Bashkia Gramsh 32.5%

Bashkia Prrenjas 21.7%

Për Qarkun Fier

Bashkia Lushnje 45%

Bashkia Divjakë 45.9%

Bashkia Fier 40%

Bashkia Patos 54.5%

Bashkia Roskovec 34%

Bashkia Mallakastër 37.5%

Për Qarkun Berat

Bashkia Ura - Vajgurore 37.7%

Bashkia Kuçovë 38.9%

Bashkia Berat 28%

Bashkia Poliçan 37.2%

Bashkia Skrapar 33%

Për Qarkun Korçë

Bashkia Poradec 33.5%

Bashkia Maliq 29.7%

Bashkia Pustec 38%

Bashkia Devoll 24.6%

Bashkia Korçë 28.9 %

Bashkia Kolonjë 22.4%

Për Qarkun Gjirokastër

Bashkia Përmet 26.4%

Bashkia Këlcyrë 27.5%

Bashkia Memaliaj 28.4%

Bashkia Tepelenë 34%

Bashkia Gjirokastër 30%

Bashkia Libohovë 19.3%

Bashkia Dropull 18.5%

Për Qarkun Vlorë

Bashkia Vlorë 30%

Bashkia Selenicë 33.6%

Bashkia Himarë 22.5%

Bashkia Delvinë 20%

Bashkia Sarandë 36%

Bashkia Finiq 43.2%

Konispol 25%.

Në total kemi një pjesëmarrje mbi 35% në të gjithë vendin sa i takon votimit në mënyrë manuale, tradicionale. Përsa i përket votimit elektronik që po kryhet në njësinë administrative numër 8 të Tiranës votimi është me një pjesëmarrje prej 42%.

Siç e keni ndjekur edhe nga afër, edhe në njësinë numër 8 në qendrën ku po kryhet votimi elektronik radhët janë të gjata por edhe në njësi të tjera administrative ku po kryhet votimi manual, duke qenë se ka pasur fluks votuesish Komisioni i Zgjedhjeve të Partisë Socialiste i ka pajisur shumë Komisione të qendrave të votimit me dhoma shtesë të fshehta.

Procesi i votimit do të përfundojë në orën 16:00 të ditës së sotme për të gjitha qendrat e votimit në të gjithë Shqipërinë. Ftojmë të gjithë anëtarët që nuk kanë votuar ende t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në forumin më të lartë të Partisë Socialiste siç është Kongresi i saj. Prandaj, deri në orën 16:00 të gjithë zgjedhësit, anëtarë të Partisë Socialiste, të drejtohen në qendrat e tyre të votimit. Do të mbetemi në kontakt për të dhënë informacione të tjera në lidhje me ecurinë e procesit.

Ora 14:29
Veliaj voton për delegatët në PS: Parti që promovon më të mirët, sot qesh me ata që dje shanin stadiumin, e sot kërkojnë bileta

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj njëherësh edhe anëtar i Kryesisë së PS-së,  votoi sot pranë Njësisë 2 në kryeqytet për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit të kësaj force politike. Pas votimit, përmes parimit “një anëtar, një votë”, Veliaj dha një prononcim për mediat, ku theksoi se ky proces tregoi edhe njëherë se PS është një organizëm aktiv, që lejon garën brenda vetes dhe që promovon më të mirët.

“PS është një organizëm aktiv, që rigjenerohet, që lejon garën brenda vetes dhe që promovon më të mirët. Sot kemi lajme fantastike për PS-në e Tiranës: Jo vetëm një pjesëmarrje mbi 50% para mesditës, por nëse në shtëpi burri dhe gruaja ndajnë peshë të barabartë në vendimmarrje dhe menaxhimin e asaj familje, ashtu edhe në familjen tonë politike, kemi burrat dhe gratë që do të kenë peshë të barabartë. Pra, është një ide fantastike e kryeministrit Rama, e votuar në kryesinë e PS, që i jep mundësi të shkëlqyer të gjitha zonjave e zonjushave të partisë sonë që të afirmohen dhe të marrin realisht 50% të kontrollit të PS-së”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se është pikërisht gara e brendshme që e bën PS një forcë politike gjithmonë fituese. “Arsyeja pse PS fiton non-stop në këtë qytet, por edhe në të gjithë Shqipërinë, është se stërvitet dhe garon me veten. Ne nuk i bëjmë kurrë llogaritë mbi një kundërshtar të zvetënuar, por i bëjmë me çfarë ishte dita jonë më e mirë dhe sesi e nesërmja mund të jetë më e mirë se e djeshmja për PS”, tha Veliaj, teksa shprehu bindjen se mbas zgjedhjeve për delegatët dhe krijimit të strukturave të reja, PS do të shkojë për herë të tretë në krye të punëve të vendit për të çuar përpara të gjitha projektet për Tiranën dhe Shqipërinë.

“Gjërat ndryshojnë kur je në arenë, kur je pjesë e një ekipi që transformon qytetin dhe jo duke komentuar nga tribuna. Mbas këtyre zgjedhjeve për delegatë, do të krijojmë Kongresin e ri, Asamblenë e strukturat e reja drejtuese të PS-së, dhe do të kemi fillimin e garës së radhës për ta bërë Edi Ramën kryeministër për herë të tretë dhe PS për herë të tretë në krye të punëve të vendit, për t’i çuar me marsh të pestë të gjitha projektet që kemi për Tiranën dhe Shqipërinë”, theksoi ai.

Ndërkaq, kreu i Bashkisë ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të bëhen nesër pjesë e aktiviteteve të ndryshme festive për 75-vjetorin e çlirimit. Ai deklaroi se PS është një parti krenare që i ka rrënjët në idealet e antifashizmit dhe se Tirana është i vetmi kryeqytet në Europën Lindore që u çlirua me forcat e veta. “Nesër kemi Ditën e Çlirimit të Tiranës. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, nëse do të vijnë për ceremonitë e përkujtimit tek “Partizani i Panjohur” apo nëse do të vizitojnë një familje dëshmorësh. PS është një parti krenare, që i ka rrënjët në ato ideale, në antifashizmin e atyre viteve. Nuk kemi asnjë kompleks për faktin se kemi qenë antifashistë dhe besoj se Tirana ka një krenari akoma më të madhe. Tirana është i vetmi kryeqytet në Europën lindore që është çliruar pa ndihmën e ushtrive sovjetike në territorin e saj. Për të gjithë këto arsye, shumë krenari për të qenë tirons në këtë 17 nëntor”, tha Veliaj.

Por, qershia mbi tortë në këtë datë jubilare të 75-vjetorit të çlirimit të kryeqytetit është inaugurimi i stadiumit të ri, që rikthen Kombëtaren në shtëpinë e saj. Kryebashkiaku theksoi se ndërtimi i tij është treguesi më i mirë i fuqisë transformuese që ka vota. “Unë e mbaj mend ditën e parë kur kryeministri pati idenë gjeniale që të mos e transferojmë stadiumin në periferi, por të jetë një hapësirë ku njerëzit të ecin, të mos marrin makinat e të shkaktojnë më shumë ndotje. Stadiumi është tek njësia jonë, tek njësia 2, ndaj jemi edhe njësia e stadiumit dhe arsyeja pse e përmend këtë është se të gjitha këto që folëm kanë lidhje me votën. Ne votojmë që një parti të bëhet më e mirë, që delegatët e delegatet më të mira t’i çojmë në drejtim të partisë, që kjo parti më pas të marrë drejtimin e shtetit e vendit, që pastaj kur një parti e mirë merr vendimet për drejtimin e vendit, qofshin këto si infrastruktura e stadiumit, do të përfaqësojnë shumicën e interesit publik”, deklaroi Veliaj.

Mandej, ai nënvizoi se koha tregoi se edhe ata të cilët në fillim ishin skeptikë dhe tentuan të bllokonin zhvillimin, nesër do të ndjekin Kombëtaren në stadiumin e ri. “Kur kujtoj sesa sherr, shamata, stërkëmbësha, teori konspiracioni dhe histeri pati stadiumi, dhe kur shoh sesi shumë nga ata që e shanë, sot janë duke kërkuar bileta, që është normale për një ndeshje të parë inauguruese, nuk mund të shkojnë të 1 milion qytetarët e Tiranës, më bën të vë buzën në gaz dhe të kujtoj se gjithmonë duhet ta kemi fokusin tek shumica e heshtur e atyre njerëzve që votojnë, ndihmojnë demokracinë, jo tek një minorancë e zhurmshme që as nuk i ka votuar njeri, as nuk pranojnë të vijnë në ndonjë garë dhe vetëm duan të bllokojnë historitë e suksesit të këtij qyteti”, përfundoi Veliaj.

Ora 13:01
Zgjedhjet e delegatëve në PS/ Rama: Gratë dhe vajzat të mos lejojnë dominim burrëror


Pasi votoi për delegatët e Kongresit të PS në mënyrë elektronike, Kryeministri Rama ka folur edhe për sa i përket barazisë gjinore në Partinë Socialiste. Kryeministria ka nxitur të gjithë gratë dhe vajzat në PS që të mos lejojnë asnjë dominim burrëror në postet drejtuese si dhe për të shtuar radhët e organizatave me sa më shumë gra dhe vajza.

"Siç e dini me siguri se për këtë keni ardhur, ne sot kemi zgjedhjet, pas një procesi tërësor në të gjitha zonat dhe në të gjitha qendrat e votimit ku ne kemi për çdo qendër një organizatë. Unë doja të fokusohesha tek fakti që është një ditë e rëndësishme për konfirmimin e vullnetit tonë, për të pasur një parti, ku gratë dhe vajzat nga njëra anë dhe burrat e djemtë nga ana tjetër, janë tërësisht të barabartë në mundësitë për t’u zgjedhur, por edhe në hapësirën e zgjedhjes. Ashtu sikundër, më vjen shumë mirë që edhe vendimi më i fundit për të bashkëdrejtuar çdo organizatë me barazi të plotë gjinore, pra me dy drejtues kryetarin dhe kryetaren, është pritur pozitivisht dhe po jep rezultate. Natyrisht do të duhet dhe disa kohë që të kemi barazi në drejtim dhe si rezultat i barazisë në drejtim të kemi pastaj një proces ku gradualisht  të kemi barazi në pjesëmarrje. Sot unë dua t’i falënderoj të gjitha gratë dhe vajzat që janë përfshirë në afirmimin e këtij vullneti. Dua t’i nxis që të bëjnë betejën e tyre në çdo organizatë për të mos lejuar asnjë dominim burrëror dhe për të shtuar radhët e organizatave tona me sa më shumë gra dhe vajza." tha Rama.

Ora 09:43
Deputeti i PS kryen votimin elektronik: Rezultatet do t'i sugjerojmë në KQZ

Është aplikuar votimi elektronik nga deputeti i PS-së Arben Pëllumbi, në njësinë nr.8 në Kryeqytet, në zgjedhjet për delegatët e Kongresit të PS-së.

Pëllumbi tha se procesi i votimit elektronik ishte shumë i thjeshtë dhe kështu sipas tij rezultatet do t'ja paraqesin edhe KQZ-së për tu shqyrtuar për një aplikim të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme.

"Do zgjidhen  delegatët. Do të përmbyllim të gjithë procesin e rinovimit të PS. Është proces një anëtar një votë. Dhe demostron demokracinë e brendshme. Ka filluar normalisht, në vij do tu njoftojmë. Këtu në njësinë 8 po eksperimentojmë votimin elektronik. Unë sapo votova në mënyrë elektronike. Nuk ishte proces i vështirë, do të shikojmë rezultatet. Më pas do tia sugjerojmë KQZ nëse është në kohën e duhur apo jo. Po kështu votimi online ka filluar që në ditën e premte. Votohet disa herë dhe në fund merret vendimi i fundit. Po të paraqitet fizikisht, ai person që ka votuar përparësia i shkon tek votimi fizik. Po kështu kemi edhe votimin me postë për emigrantët. Përgatitemi për ndryshimet që duam të bëjmë në kodin zgjedhor. Jemi te hapur për çdo lloj  propozimi. Emigrantët janë shumë të rëndësishëm. E kam ndjekur teknikisht, nuk ka ndonjë problem, por është vullneti politik se nëse do të aplikojë. Kongresi i ardhshëm besoj do të jetë në shkurt. " tha Pëllumbi.

Ora 08:59
Nis votimi për zgjedhjen e delegatëve për Kongresin Zgjedhor të PS

Socialistët kanë nisur votimin për zgjedhjen e delegatëve për Kongresin Zgjedhor. Votimet janë hapur që në orën 8:00. Me cilësinë e sekretarit për Marrëdhëniet me Mediat në PS, Ish-deputeti i Partisë Socialist, Alfred Peza tha se votimi ka nisur i qetë  në 365 vendvotime.

"Sot, në orën 08:00, në të gjithë vendin ka nisur procesi i votimit sipas parimit "një anëtar, një votë" për zgjedhjet e delegatëve të Kongresit të Partisë Socialiste. Për këtë proces, janë të regjistruar në listat e votimit  103056 anëtarë partie, prej të cilëve 27732 janë anëtare gra. Në fletët e votimit për delegatët janë regjistruar 1496 kandidatë për delegatë të Kongresit të partisë, të propozuar e përzgjedhur nga strukturat vendore të partisë, prej të cilëve 698 janë kandidate për delegate gra,  ose 47% e numrit të përgjithshëm të kandidatëve për delegatë, që do të votohen gjatë ditës së sotme. Nga ky numër i kandidatëve për delegatë, do të dalin 706 delegatë të Kongresit, të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga gjithë anëtarësia e Partisë Socialiste, në të gjithë vendin. Në shkallë vendi janë regjistruar 60 komisionet e zgjedhjeve të partisë nëpër Bashki. Procesin e organizimit të votimit dhe monitorimit të tij në 60 bashkitë e vendit e bëjnë 300 anëtarë të komisioneve të zgjedhjeve të partisë nëpër bashkitë. Janë ngritur në shkallë vendi 363 vendvotime në Njësitë Administrative të bashkive dhe 1089 komisionerë po administrojnë procesin e  votimit të anëtarësisë në këto Njësi Administrative të bashkive. Janë shpërndarë në të gjithë vendin në komisionet e zgjedhjeve në bashki, dosjet me materialet zgjedhore, listat e anëtarëve të partisë, fletët e votimit, procesverbalet e votimeve dhe baza materiale prej 366 kuti votimi dhe 366 dhoma të fshehta. Ju njoftojë se votimi ka nisur normalisht dhe pa asnjë problem në të gjithë vendin. Në njësinë administrative Nr. 8 të Bashkisë së Tiranës, për herë të parë në historinë e  pluralizmit shqiptar, në procesin zgjedhor të një partie politike do të zhvillohet votim elektronik dhe votim on-line. Në votimin elektronik marrin pjesë 989 anëtarë partie, ndërsa në votimin on-line marrin pjesë 100 anëtarë partie. Numërimi i votave do të bëhet në të dy mënyrat e votimit. Ky proces shënon një ditë të rëndësishme për jetën dhe veprimtarinë e Partisë Socialiste, i cili do të vijojë deri në orën 16:00 të ditës së sotme.Ne do të vijojmë komunikimin së bashku, gjatë gjithë kësaj kohe, deri në daljen e rezultateve zyrtare për ta pasqyruar këtë proces me transparencë maksimale.PS." tha Peza.

Votimi do vijojë deri në orën 16:00.
 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Emigrant usa: 17/11/2019 12:45

    Shume interesante asnje koment ndoshta eshte urdher i rames te mos jepet asnje koment se ju mbylla transmentimet si I MBYLLIN ylli Rakipi programin diktatura po na hyn gradualist dhe me lezetllek

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja