TIRANË- Përplasja mes qeverisë dhe magjistratëve lidhur me bllokimin e pagave për gjykatat e prokuroritë ka përfunduar në SPAK. 18 drejtues të gjykatave të vendit dhe 2 krerë të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve kanë dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme me akuzat “Shpërdorimi i detyrës", "Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës" dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës".

I pari në listë është ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili thotë se është “kallëzuar vetëm se po zbaton ligjin”. Më tej ai ka bërë publike edhe pagat e reja që kërkojnë gjyqtarët, duke thënë se vetëm shtesat do t'i kushtojnë buxhetit të shtetit 40 milionë euro në vit.

“Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro”, shkruan Malaj.

Gjyqtar i Shkallës së Parë
Është: 376, 381 Lekë
Kërkohet: 567,421 Lekë
Gjyqtar i Shkallës së Dytë
Është: 388,927 Lekë
Kërkohet: 586,335 Lekë
Gjyqtar në GJKKO
Është: 659,920 Lekë
Kërkohet: 994,877 Lekë

Sipas gjyqtarëve me veprimet dhe mosveprimet e tij e ka shprehur qartë vullnetin e tij për të mos e lejuar zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat, madje duke udhëzuar të kundërtën. Kallëzuesit sjellin në vëmendje letrën që Malaj i çoi KLGJ-së dhe KLP-së ku i thoshte se s’mund të kalonte pagat për shkak se ato i vendos Kuvendit. Për ministrin kërkohet hetim për shpërdorim detyre.

Për sa i përket Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Gentian Keri, kërkohet që të regjistrohet procedim penal për akuzën e “pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës, pasi sipas gjyqtarëve, si organi epror i degëve të thesarit në rrethe, ka kërkuar përmes një emaili moskalimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, situatë kjo që ka prekur edhe stafin administrativ dhe atë ndihmës.

Për drejtuesit e degëve të thesarit në 14 rrethe në kallëzim thuhet se edhe pse e dinin që listëpagesat ishin të rregullta sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe njësitë shpenzuese (pra gjykatat dhe prokuroritë) i kishin fondet e mjaftueshme për këto listëpagesa, ata kanë refuzuar për të autorizuar pagesën e pranë bankave të nivelit të dytë. Për këtë sipas kallëzimit kanë kryer veprën penale të "Mosekzekutimit pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës".

Në kallëzim kërkohet kryerja e një sërë veprimesh hetimore, ndër to administrimi i dokumentacionit të lidhur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të KLGJ-së dhe të KLP-së, i korrespondencës mes Ministrisë së Financave dhe degëve të Thesarit, i gjurmëve elektronike të veprimeve në sistemin e Thesarit, si dhe verifikimi nëse fondet buxhetore për pagat e gushtit 2026 kanë qenë të disponueshme. Ndër të tjera kallëzimi është firmosur nga drejtues gjykatash si Ardian Dvorani, Erjon Bani, Gerd Hoxha, Iliba Bezati, Dhimitër Lara dhe drejtuesi i shoqatës së gjyqtarëve Enger Pëllumbi e ai i prokurorëve Gëzim Spahiu.

Kryeministri Edi Rama thotë se kallëzimi penal ka një mangësi dhe nuk është i plotë. Duke ironizuar aktin e tyre, përmes një postimi në ‘X’ Rama shkruan se për bllokimin e pagave të tyre, Malaj është konsultuar me të dhe ministrin e drejtësisë Toni Gogu, dhe se në kallëzimin penal do duhet të ishte përfshirë edhe emri i tyre.

“Edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë”, shkruan kreu i qeverisë.

Rama përforcon qëndrimin e qeverisë për këtë përplasje të fortë mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, se pagat e tye do të rriten vetëm me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në reagimin e tij, Malaj thotë se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por kjo sipas tij do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.

Kurse për Sekretarin e Përgjithshëm dhe të gjithë drejtorët e në të gjithë Shqipërinë që sot u kallëzuan në SPAK, ministri iu thotë se duhet të kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:49
'Kallëzim se po zbaton ligjin', Malaj publikon pagat që kërkojnë magjistratët: Efekti në buxhet arrin në 40 milionë euro shtesë çdo vit (VIDEO)

 

Ministri i Financave, Petrit Malaj, reagoi pasditen e kësaj të enjte, disa orë pasi u kallëzua penalisht në SPAK së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë dhe drejtorët e Thesarit në të gjithë vendin nga 18 drejtues të gjykatave të vendit dhe 2 krerë të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve për bllokimin e rritjes së pagave të magjistratëve.

Në postimin e tij, Malaj shpjegoi se kallëzimi është bërë sepse Ministria e Financave ka refuzuar të hapë Thesarin e shtetit pa një vendim të Kuvendit, duke theksuar se qeveria do ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese më 17 shtator, kur të miratohet ligji përkatës.

Ai publikoi edhe pagat që, sipas tij, kërkojnë gjyqtarët dhe prokurorët, duke deklaruar se rritja do t'i kushtonte buxhetit të shtetit 40 milionë euro shtesë çdo vit, ndërsa kërkesa për pagesat e prapambetura për periudhën 2023-2026 do të kishte një efekt financiar prej 125 milionë eurosh.

Malaj gjithashtu u bëri thirrje drejtorëve të Thesarit të vazhdojnë të zbatojnë ligjin dhe të mos intimidohen nga kallëzimi.

Postimi i plotë i Ministrit Malaj:

Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit! 


Sot, në Ministrinë e Financave u depozitua një kallëzim penal për mua si titullar i institucionit, Sekretarin e Përgjithshëm dhe drejtorët e thesarit në të gjithë Shqipërinë.

Arsyeja: Kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët.

Nuk dua të bëj asnjë polemikë me askënd dhe as të risqaroj pozicionin e Ministrisë së Financave, ndërkohë që është thënë publikisht nga qeveria shqiptare dhe përfaqësuesit e Parlamentit, se askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit.

Por, kjo nuk i ka penguar përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor që të përshkallëzojnë konfliktin me ekzekutivin duke nënshkruar një kallëzim penal që do ta marrë me siguri historia.

Ndërkohë unë sot dua t’u bëj me dije qytetarëve sa kushton kërkesa e kallzuesve të nderuar, sipas shkallës së pagave:

Gjyqtar i Shkallës së Parë

Është: 376, 381 Lekë
Kërkohet: 567,421 Lekë

Gjyqtar i Shkallës së Dytë

Është: 388,927 Lekë
Kërkohet: 586,335 Lekë

 
Gjyqtar i Grupit të III në GJKKO

Është: 659,920 Lekë
Kërkohet: 994,877 Lekë

Efekti total në buxhetin e shtetit me këto kërkesa është 40 milionë euro shtesë, çdo vit. Por nuk mbyllet këtu.
Magjistratët kërkojnë rishikim të pagave për periudhën 2023-2026 me një efekt në buxhetin e shtetit 125 milionë euro.

Ndërkohë u them drejtoreve të Thesarit në të gjithë Shqipërinë dhe Sekretarit të Përgjithshëm, që sot u kallëzuan së bashku me mua, se duhet të vazhdojnë ta kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe pa u intimiduar, duke ruajtur gjithmonë me rigorozitet financat e shtetit, të udhëhequr nga ligji.

Ora 13:15
Bllokimi i pagave të magjistratëve/ Gogu: Çështje serioze që duhet trajtuar nga Kuvendi

 

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka thënë se çështja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është një çështje serioze, por në çdo rast atë duhet ta trajtojë Parlamenti dhe jo Ministria. Në Komisionin e Ligjeve, Gogu u shpreh se ka dijeni se në parlament është depozituar një nismë nga socialistët për të zgjidhur ngërçin, ndërsa uroi që ajo të kalojë sa më shpejt.

“Situata është serioze. Unë besoj që me datën që tani keni vendos si deputet ju do ta zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk jam këtu që të komentoj vonesën e kuvendit as të arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Unë jam i bindur se juve do ta trajtoni me përgjegjësinë që kërkon shëndeti i buxhetit të shtetit”, tha Toni Gogu në Kuvend, para kallëzimit të magjistratëve në SPAK për ministrin Petrit Malaj dhe drejtuesit e Thesarit. 

Ora 12:46
'Histori bajate', Rama reagon pas kallëzimit të Malajt në SPAK për bllokimin e pagave të magjistratëve: Më shtoni edhe mua e Gogun, u konsultua me ne

1788869681_edirama.JPG

Kryeministri Edi Rama thotë se pagat e gjyqtarëve do të ndryshojnë vetëm me vendim të Kuvendit dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Duke e quajtur një histori bajate ngërçin e krijuar me pagat në drejtësi, i menjëhershëm ishte reagimi i tij, sapo magjistratët dorëzuan në SPAK një kallëzim ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së Finacnave dhe 14 drejtuesve të Thesarit në rrethe. Rama thotë se në atë kallëzim mungon vetëm emri i tij dhe i ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, duke thënë se Malaj është konsultuar me ta para se të firmoste urdhrin për bllokimin e pagave.

“Kallëzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave pse nuk lejon që ata të hapin derën e thesarit për rritjen e pagave të tyre, ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e  thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Rama.

Ora 12:35
Tedi Blushi për pagat e magjistratëve: SPAK të marrë të pandehur ministrin e Financave, refuzon të zbatojë vendimin e Kushtetueses!

1788954381_tediblushi.JPG

Ngërçi për pagat e magjistratëve, që tashmë ka përfunduar në SPAK me kallëzimin e bërë nga 18 gjykata dhe shoqatat e gjyqtarëve e prokurorëve ndaj ministrit të Financave Petrit Malaj dhe zyrtarëve të Thesarit, ka sjellë edhe reagimin e Tedi Blushit nga Partia e Lirisë.

Nga ambientet e GJKKO-së, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie deklaroi se PL mbështet zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve dhe i bëri thirrje SPAK-ut të marrë të pandehur ministrin e Financave Petrit Malaj, i cili firmois 4.3 milion euro për koncertin e Kanye West por nga ana tjetër refuzon të zbatojë vendimin e GJK-së. 

“Në emër të Partisë së Lirisë, ne e mbështesim plotësisht zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket pagave të magjistratëve. Por drejtësia duhet të funksionojë me ligj dhe nuk duhet të vonojë për të marrë të pandehur ministrin e Financave, zotin Petrit Malaj, i cili firmosi dhënien e rreth 4.3 milionë eurove për Kanye West, duke prekur madje Fondin e Emergjencave, ndërkohë refuzon të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Blushi.