SPAK ka marrë në pyetje dy ditë më parë drejtoreshën e Thesarit, Elmira Peto në lidhje me bllokimin e pagave të magjistratëve. Prokuroria e Posaçme po heton rrethanat e bllokimit të pagave dhe mënyrën se si është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shkurtit 2026.

Pas përplasjes për pagat, 18 drejtues gjykatash dhe dy krerë të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve kallëzuan në SPAK ministrin e Financave, Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të ministrisë dhe drejtuesve të degëve të Thesarit në 14 rrethe.

Ata i akuzojnë për shpërdorim detyre dhe pengim të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se kanë bllokuar listëpagesat e gushtit.

Kriza e pagave në sistemin e drejtësisë kulmoi pasi Kuvendi nuk miratoi deri më 31 korrik formulën e re të pagave, siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese. Pas kalimit të afatit, KLGJ dhe KLP vendosën që nga 1 gushti paga referuese të llogaritej mbi 222 mijë e 425 lekë, plus 14 mijë lekë shtesë për kualifikimin. Ministria e Financave nuk i ekzekutoi listëpagesat me këtë përllogaritje, duke argumentuar se përcaktimi i pagave është kompetencë e Kuvendit.