Kryepeshkopi dha mesazhet e tij për besimtarëve ortodoksë në momentin e ringjalljes së Jezu Krishtit, tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e Perëndisë.

Besimtarët Ortodoksë në të gjitha kishat e vendit, qoftë edhe nga besime të ndryshme fetare kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi. Nisja e ceremonisë së pashkëve, sjell si simbol dhe ngjyerjen e vezëve të pashkës me të kuqe, e cila tregon dhe traditën e hershme të kësaj feste. Flaka e ndezur simbolizon dhe Ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq.

Të krishterët në festën e pashkës kremtojnë ringjalljen e Krishtit, moment ky që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit tek zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.




Korçë
Besimtarët ortodoksë në qytetin e Korçës kremtuan mesnatën e së shtunës duke u gdhitë e diela ringjalljen e Krishtit.


Katedralja e qytetit dhe sheshi para saj u pushtuan nga mijëra besimtarë, të cilët me qirinj në duar dhe vezët e pashkës uruan njëri-tjetrin për më shumë begati dhe mirësi.
Festa vijon gjatë ditës së sotme ku besimtarët dhe qytetarët shkëmbejnë vizita tek njëri-tjetri.

Gjirokastër
Me dhjetëra besimtarë ortodoksë në Gjirokastër kremtuan ringjalljen e Krishtit në kishën e “Shën Mihajllos” në lagjen Varosh të qytetit të gurtë.
Meshës në natën e pashkëve iu bashkuan edhe drejtues të pushtetit vendor e lokal, të cilët në këtë natë të shenjtë për besimtarët ortodoksë së bashku me qytetarët e thjeshtë dhanë mesazhet përkatëse të urimit në këtë ditë të shënuar.
Berat
Në natën e ringjalljes së Krishtit edhe katedralja e “Shën Dhimitrit” në qytetin e Beratit u tejmbush nga besimtarët ortodoksë, por edhe të feve të tjera për të kremtuar Pashkën.
Me qirinj ndër duar por edhe me vezët e ngjyera me të kuqe besimtarë uruan njërit-tjetrin në këtë ditë të shënuar.

Lushnje
Edhe besimtarët ortodoksë në qytetin e Lushnjes kanë festuar Pashkët, teksa kisha e “Shën Premtes” si kurrë më parë ishte pushtuar nga besimtarët.
Riteve fetare të kësaj feste të shenjtë vendosën t’i bashkoheshin edhe drejtuesit e pushtetit vendor dhe lokal të këtij rrethit, teksa ndaj këtyre të fundit nuk munguan edhe urimet për zgjedhjet e 21 qershorit.
Elbasan
Kisha e “Shën Athanasit” në Elbasan në kuadër të festës së pashkëve ortodokse ka zhvilluar në pritje, ku të pranishëm ishin besimtarë të shumtë, të cilët uruan njëri-tjetrin.

Sakaq në hyrjen e kishës u shkëmbyen edhe dy kandidatët për bashkinë e Elbasanit Qazim Sejdini i Partisë Socialiste dhe Ardian Turku i Partisë demokratike.
Dy kandidatët nuk i kursyen një shtrëngim duarsh dhe një urim njëri-tjetrin, teksa në këtë ditë të shenjtë uruan edhe besimtarët ortodoksë.

Fier
Pashkët Ortodokse janë kremtuar edhe në qytetin e Fierit. Në katedralen e qytetit ishin të pranishëm besimtarë të shumtë dhe drejtues të instancave vendore.
Urimet për më shumë begati e paqe ishin kryefjalë e kësaj natë.
Pashkët ortodokse u kremtuan edhe në Vlorë, Sarandë, Pogradec e Durrës.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas fillimit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.
Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)
