Avokati Spartak Ngjela u shpreh në favor të zgjatjes së mandatit të prokurorëve të SPAK-ut dhe tha se i këtij mendimi janë edhe ndërkombëtarët.
Ndryshimet kushtetuese sipas tij duan shumicë të cilësuar dhe PS e PD ekanë të vështirë, por jo të pamundur, që ta pengojnë SPAK-un, i cili është nën drejtimin amerikan.
Gjithsesi, ish-deputetit demokrat u shpreh ditën e sotme për ‘Studio Live’ në Report Tv, se duhej marrë në konsideratë edhe mundësia që PS dhe PD të bashkonin votat në këtë qëllim nëse do i kundërviheshin Prokurorisë së Posaçme.
“Për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesën e SPAK për zgjatje të mandatit e ka në dorë mazhoranca, është nen kushtetues. E ka ajo në dorë, do kërkojë, duhet të hyjë në bisedime. SPAK nuk ka faj, ka zvarritje. Por është politika ndërkombëtare, do t’ua zgjasin mandatin, nuk shoh vështirësi, pse jo. PS dhe PD janë bashkuar bashkë kundër antikorrupsionit dhe reformës në drejtësi, gjithçka mund të ndodhi, por mendoj se nuk kanë aq forcë”, u shpreh avokati.
Në lidhje me pyetjen nëse drejtësia mund të ndikohet për rastin e Berishës, ai la të qartë se nuk kishte mundësi.
“Pse më fusni mua në këtë nivel, SPAK-un e drejton Amerika. S’ka asnjë diskutim. Politika amerikane e ka marrë në drejtim, Blinkeni, e tha ai, ‘do shpëtojmë Shqipërinë nga korrupsioni’. Ka marrë fund. A, nëse marrin pafajësinë është çështje tjetër. Por do shkojnë në gjyq, edhe Berisha, atje do vendoset, nëse marrin pafajësinë tjetër gjë”, vijoi Ngjela për Report Tv.
Më tej shpjegoi edhe arsyen:
“Berisha është njeri i dyshimtë në SHBA. Pse nuk pyesni Ambasadën Amerikane, ka përfaqësues atje, është zëvendësi, pyeteni se do ua thotë. Berisha ka procese penale, është i dyshuar në Amerikë”.
Ngjela kujtoi edhe qasjet antishqiptare të kreut të PD-së ndër vite, duke nënvizuar se pa qenë pjesë e tyre nuk mund të kishte ecur kaq lart në politikë.
“Ka qasje ai, me Beogradin dhe Athinën, nuk diskutohet ajo. Çdo antishqiptar kalon në fillim në Beograd dhe më pas në Athinë. Ata janë kundërshtarë shekullorë, dihet ajo punë. Ku pyesim ne për Greqinë, do marri Vorioepirin, janë budallëqe këto. Ne jemi nën patronazhin amerikan zotëri, kur të shkojë dhe Greqia në Amerikë atëherë po”, shpjegon avokati.
Për situatën elektorale dhe zgjedhore, Ngjela thotë i bindur se PS, bazuar edhe te sondazhet që e nxjerrin 13 pikë para, do fitojë, pasi PD sa të ketë Berishën në krye dhe ‘non grata’, nuk vjen dot kurrë në pushtet.
“Duhet ta nisësh se si dalin sondazhet. Ka diferencë të madhe. Sondazhet janë 12-13 pikë para. Janë shumë para PS, nuk mund të gënjej edhe pse nuk jam me PS. Kryetari i PD është non grata në SHBA, pse e diskutoni, fiton PS. Amerika ka marrë në dorë Shqipërinë zotëri, ka dhënë Kosovën si shtet SHBA-ja. Mos u merrni me një njeri që e ka shpallur non grata Amerika. Ai po dëmton edhe PD-në, nuk vjen në pushtet PD sa të jetë Berisha”, përsëriti ish-deputeti demokrat.
Ngjela dha mendim edhe për aksionin e arrestimit të një personi në Lushnjë, që u denoncua se kishte ofruar 500 euro për votat e një familjeje, në favor të PD-së.
“Të shohim se çfarë lloj arresti është. Po është profesional me ndjekje, atëherë themi se SPAK po ndjek shit-blerjen e votës. Por besoj se në fushatën që vjen SPAK do e marrë në dorë hetimin e plotë të fenomenit. Por nëse e ka kapur SPAK tani, do e shikojmë. Por SPAK e ka deklaruar se do merret me këtë, shumë mirë, sepse SPAK dihet se kush e drejton, e drejton politika amerikane”, theksoi ai.
Në lidhje me situatën politike në Kosovë, Ngjela u shpreh se Albin Kurti nuk ka as mbështetjen e partive politike në Kosovë për të bërë qeverinë dhe as të faktorit të jashtëm. Ai shtoi se Kosova do shkonte përsëri në zgjedhje.
“Nuk ka rëndësi se çfarë thotë djali i Trump, apo lidhja me pavarësinë e një shteti. Është e thjeshtë, Albin Kurti nuk i ka votat në Kosovë për qeverinë, partitë shqiptarë nuk ia japin votat, nuk bashkëpunojnë me Kurtin. Kaq e thjeshtë është kjo, e kotë të diskutojmë. Unë them se do shkojnë në zgjedhje të reja, por të shikojmë, se kemi edhe Vjosa Osmanin atje”, analizon avokati për ‘Studio Live’.
Avokati Spartak Ngjela tha sot për ‘Studio Live’ se taktikës së zvarritjes së seancës paraprake të aferës në dosjen ‘Partizani’, ku i pandehur është Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë, po u vjen fundi dhe do kalojë në proces.
Ish-deputeti bën përgjegjës avokatët e të akuzuarve si shkaktarë të kësaj zvarritjeje mbi 6-mujore të çështjes që nuk duhet të kishte marrë më shumë se një muaj kohë sipas procedurës penale.
“E kanë zvarritur avokatët, ata e kanë pas deri tani në dorë, kjo është e fundit, ka ardhur në fund. Nëse ata e zvarrisin më, dështon Gjykata, i mbetet asaj. Por besoj është në fund, do zgjidhet. Kur është, nesër, mendoj se do shkojë drejt fundit”, u shpreh avokati mes të tjerash.
Ngjela u pyet nga moderatori Arbër Hitaj edhe për konsulentin e fushatës së PD-së, Chris LaCivita, nëse e ka forcën që t’ia heqë ‘non gratën’ Berishës dhe ta ndihmojë që të fitojë zgjedhjet.
“LaCivita nuk ka ardhur për lobim, por për PD-në, për zgjedhjet, e ka marrë, e ka paguar si frengu pulën, por jo se do ta shpëtojë, nuk ia heq dot non gratën. E ka vendosur Amerika. Kini parasysh këtë, a mund të vij një amerikan i nivelit normal të shpëtojë një ‘non grata’ në Amerikë? Ju merreni me këtë mjekrrën, Amerika e di çdo të thotë non grata, edhe Berisha e di që çfarë do të thotë të jesh non grata. Pra ai është non grata në të gjithë Perëndimin”, nënvizon Ngjela.
Komente


BRAVO AVOKAT NGJELA... JENI GJITHMONE I SAKTE NE PERGJIGJET QE JEPNI
Përgjigju