Ngjitësi 'Merkeln' që e mbajti Brukselin të bashkuar

Ngjitësi 'Merkeln' që e mbajti Brukselin të bashkuar

Angela Merkel

Nga të gjitha samitet e Bashkimit Evropian që kam ndjekur si pjesëtar i shtypit në 15 vjetët e fundit - dhe ka pasur qindra për shkak të të gjitha krizave që kanë goditur bllokun - kam parë udhëheqës nga i gjithë kontinenti që vijnë e shkojnë, duke i shijuar momentet në qendër të vëmendjes evropiane, përpara se të ktheheshin në zymtësinë e politikave të brendshme ose të dilnin në pension.

Por, gjithmonë ka qenë një gjë e pandryshueshme: prania e kancelares gjermane - tani në largim - Angela Merkel.

Kjo tashti do të ndryshojë. Vendi i saj shkon në zgjedhje këtë të diel pa emrin e saj në fletëvotime - për herë të parë qysh në vitin 2005. Kjo nënkupton fundin e një epoke jo vetëm për Berlinin, por njësoj edhe për Evropën dhe Perëndimin.

Pashmangshëm, shumë do ta japin verdiktin e tyre për atë se cila është trashëgimia e saj. Derisa unë mendoj për takimet në Bruksel, ka shumë aryse për ta lavdëruar dhe kritikuar.

Unë nuk do ta kurorëzoj si “Mbretëreshë të Evropës”, as nuk do ta shpall “udhëheqëse të botës së lirë”, por ajo nuk i meriton as karikaturat me mustaqe të Hitlerit që kanë publikuar kundërshtarët e saj.

Për mua, ajo ka qenë thjesht ngjitës që i mbante gjërat së bashku - së paku në nivelin evropian. Dhe, kam frikë se BE-së do t’i mungojë shpejt.

Në dhomat e shtypit të Këshillit Evropian, pas një samiti në Bruksel, ka pasur gjithmonë diçka për t’u parë. Zhurma dhe sjellja ekstravagante e presidentit francez, Nicolas Sarkozy, gurgullima e bashkatdhetarit të tij, Emmanuel Macron, me idetë e madhështisë, grindjet e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me gazetarët e huaj, apo udhëheqësi gazmor i Luksemburgut, Xavier Bettel, i cili fliste katër gjuhë brenda minutash.

Megjithatë, dhoma më e vizituar e shtypit ka qenë gjithmonë ajo e Merkelit. Jo sepse ajo vërtet e ka merituar. Ajo ka qenë kryesisht e lodhshme, e qetë dhe e matur.

Ajo nuk ka qenë vizionare, kjo është e sigurt. Por, ka qenë menaxhuese e aftë e krizave, që ka preferuar ndryshime të mëdha ose asnjë.

Prej saj ka lindur zhargoni gjerman “Merkeln”, që do të thotë “të ngurrosh” ose thjesht “të mos bësh asgjë”.

Merkel ka bërë “merkeln” kur ka shpërthyer kriza në Eurozonë, duke preferuar t’i mbrojë taksapaguesit dhe bankat gjermane dhe duke imponuar reforma të ashpra strukturore dhe masa shtrënguese në shtetet jugore të BE-së.

Kjo për pak sa nuk e ka prishur bllokun, ka zhgënjyer një brez të ri evropianësh për të ardhmen e tyre ekonomike dhe ka krijuar shumë euroskeptizëm në vendet ku më parë nuk kishte. Por, prapëseprapë, Eurozona ka mbetur e paprekur, asnjë anëtar nuk ka ikur./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sulmin ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzore, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat

Sulmin ditën e Krishtlindjes Zelensky e quajti çnjerëzore, reagon Moska: Ishte sukses! Ne i arritëm objektivat