"Ngrirja" e Vettingu-t, skenari i
PD të shtyjë ligjin pas 2017-ës

PD të shtyjë ligjin pas 2017-ës">
Fronti kundër Reformës në Drejtësi në Shqipëri ka marrë dje një trajtë të plotë. Armatës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, Partisë Demokratike dhe Presidentit të Republikës, i është bashkuar dje edhe Gjykata Kushtetuese, në kundërvënie të hapur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, disa vendeve të tjera të BE dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët janë pro Reformës në Drejtësi, pro Vetingut dhe përmbysjes së sistemit aktual. Ky front, me anë të Gjykatës Kushtetueses, ka mundësuar dje pezullimin, për një kohë të pacaktuar, të ligjit të Vetingut, duke u dhënë një frymëmarrje, jo vetëm gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por edhe politikanëve, të përfshirë në praktika korruptive. Në të njëjtën kohë, linja anti-reformë po arrin të shtyjë Vetingun në kalendat greke, duke pamundësuar edhe zbatimin e ligjeve të tjera prioritare. Frika e gjyqtarëve nga kontrolli i trefishtë dhe risku i largimit nga sistemit ka fituar përkohësisht mbi presion e amerikanëve, të cilët mbajnë vulën dhe autorësinë e hetimit të ligjit të Vetingut. Aktualisht Reforma në Drejtësi ka ngrirë.

Meqenëse Komisioni i Venecias është shprehur një herë, madje në mënyrë shteruese, për çështjen e Vetingut, pas pezullimit të ligjit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, duket se fshihet skenari i Partisë Demokratike, për t’a shtyrë zbatimin e ligjit pas zgjedhjeve të 2017. Në kushtet kur, Komisioni i Venecias, ka konfirmuar kolonat bazë të procesit të Vetingut, lëvizja e fundit e Gjykatës Kushtetuese duket se është një lojë e opozitës, në koordinim me një pjesë të gjyqtarëve, prokurorëve dhe Presidentin, për të fituar kohë. Që Komisioni i Venecias të shprehet, qoftë edhe duke refuzuar shqyrtimin e ligjshmërisë së ligjit, duhen të paktën dy muaj. Disa muaj do t’i duhen për t’u shprehur edhe Gjykatës Kushtetuese. Në këto kushte, opozita dhe Presidenti mundësojnë zvarritjen e zbatimit të ligjit deri në prag të zgjedhjeve të 2017 apo edhe deri pas zgjedhjeve të 2017, me shpresën e ndryshimit të raporteve politike në parlamentin e ardhshëm. Siç dihet, opozita është shprehur hapur kundër rolit të Drejtorisë së Pastrimit të Parave, ILDKP dhe DSIK në kontrollin e pasurive dhe të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, me pretendimin se, këto organe varen nga qeveria dhe si të tilla mund të përgatisin raporte negative kundër gjyqtarëve, të konsideruar pranë PD.

Kryefjala e vendimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese është dërgimi për interpretim i ligjit të Vetingut në Komisionin e Venecias, për t’u shprehur në lidhje me papajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Por, në 14 Mars të vitit 2016, Komisioni i Venecias, në opinionin përfundimtar për projektin Kushtetues, është shprehur gjerësisht për çështjen e Vetingut. Në faqen 13 të opinionit, Komisioni i Venecia i konsideron të nevojshme masat e jashtëzakonshme për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni thotë se skema e vlerësimit jep garanci për gjyqtarët dhe prokurorët.“Në lidhje me masat e jashtëzakonshme për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët, Komisioni i Venecias është i mendimit që këto masa jo vetëm që janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor. Projekt ndryshimet e rishikuara marrin parasysh kritikat që ka bërë Komisioni në Opinionin e Ndërmjetëm. Varianti i ri i Aneksit është shkruar në mënyrë më të saktë dhe shumica e sugjerimeve të Komisionit të Venecias janë marrë parasysh. E gjithë skema është më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga vlerësimi”, thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias.

Komisioni i Venecias ka theksuar domosdoshmërinë e të drejtës së gjyqtarëve për të apeluar vendimet e institucioneve të vlerësimit. E drejta e apelimit përbën edhe thelbin opinionin të Venecias për çështjen e Vetingut. Dhe propozimi është reflektuar në Kushtetutën e Re. Pika 5 e nenit, 179/b të Kushtetutës parashikon që rivlerësimi kryhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa ankimet e subjekteve të rivlerësimit ose të Komisionerit Publik shqyrtohen nga Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese. Gjatë periudhës kalimtare 9-vjeçare Gjykata Kushtetuese do të funksionojë me dy kolegje.

Në opinion, Komisioni i Venecias jep sida sugjerime dhe vërejtje, të cilat në përgjithësi janë reflektuar në projektin Kushtetues dhe ligjin e Vetingut, ndërsa nuk përkojnë me pretendimet e Partisë Demokratike.

Në kushtet kur, Komisioni i Venecias, ka konfirmuar kolonat bazë të procesit të Vetingut, parashikuar në Kushtetutë, lëvizja e fundit e Gjykatës Kushtetuese duket se është një lojë e Partisë Demokratike, gjyqtarëve, prokurorëve dhe Presidentit, për të fituar kohë.
 

Disa nga konstatimet dhe vërejtjet e Komisionit të Venecias për Vetingun: 
1.Në lidhje me masat e jashtëzakonshme për të vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët, Komisioni i Venecias është i mendimit që këto masa jo vetëm që janë të justifikuara, por janë të nevojshme që Shqipëria të mbrohet nga korrupsioni, i cili, nëse nuk trajtohet, mund të shkatërrojë plotësisht sistemin gjyqësor. 

2.Projekt ndryshimet e rishikuara marrin parasysh kritikat që ka bërë Komisioni në Opinionin e Ndërmjetëm. Varianti i ri i Aneksit është shkruar në mënyrë më të saktë dhe shumica e sugjerimeve të Komisionit të Venecias janë marrë parasysh. E gjithë skema është më e qartë dhe jep garanci më të mira për individët që mund të preken nga vlerësimi.

3.Komisioni i Venecias rekomandon që të shkurtohet ndjeshëm kohëzgjatja e procesit të vlerësimit. Do të ishte e dëshirueshme të vendosej një afat i prerë prej rreth 3 – 5 vjetësh brenda të cilit do të ekzistonin KPK-ja dhe DHSK-ja.

4.Gjithashtu, për të vlerësuar dhe ri-vlerësuar gjyqtarët dhe prokurorët, zbatimi i disa neneve të kësaj Kushtetute, sidomos dispozitave në lidhje me privatësinë, është i kufizuar në përputhje me nenin 17 të kësaj Kushtetute. Këto masa mund të justifikohen me situatën aktuale të gjyqësorit shqiptar, i cili kërkon ndërhyrje të veçantë ligjore.

5.Në lidhje me përzgjedhjen paraprake të kandidatëve, pranohet që Avokati i Popullit i Shqipërisë të zhvillojë një proces aplikimi të hapur dhe transparent për anëtarët e KPK, gjyqtarët e DHSK dhe Komisionerët publik. Komisioni vëren me keqardhje që § 127 i Opinionit të ndërmjetëm është interpretuar si miratim i mendimeve të shkrehura nga disa anëtarë të opozitës në lidhje me afërsinë e dyshuar të Avokatit të Popullit me qeverisjen aktuale.

6.Komisioni i Venecias gjithashtu ka argumentuar vazhdimisht në favor të mundësisë së ankimimit në gjykatë të një vendimi të organeve disiplinore.

7.Mund të ishte parashikuar mundësia e DHSK për të rishikuar jo vetëm vendimet përfundimtare të KPK për themelin, por edhe vendimet procedurale të ndërmjetme (sidomos ato në lidhje me marrjen e provave).

8.Vëzhguesit ndërkombëtar duhet të kenë kompetencë për të ankimuar kundër këtyre vendimeve procedurale përpara DHSK.

9.DHSK mund të korrigjojë gabime procedurale të KPK por nuk ka kompetencë që ta kthejë çështjen për korrigjim të një vendimi. I është dhënë kompetencë e shprehur për të miratuar ose ndryshuar një vendim.

vettingu

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Elbasan/ Bleu karburant, me kartëmonedhë 100 euroshe false, arrestohet 35-vjeçari

Elbasan/ Bleu karburant, me kartëmonedhë 100 euroshe false, arrestohet 35-vjeçari