Nikollë Lesi: Në 1993 Azemi
mbrojti “Koha Jonë” nga Berisha

Nikollë Lesi: Në 1993 Azemi <br />mbrojti “Koha Jonë” nga Berisha
TIRANE - Ish-botuesi i gazetës Koha Jonë, të parës media të pavarur në Shqipëri, aktualisht zv.ministër i Kulturës dhe kreu i LDK, Nikollë Lesi rrëfen njohjen me liderin e Dhjetorit Azem Hajdari dhe arësyen se përse kërkon me këmbëngulje që eshtrat e tij të rivarrosen dhe të prehen tek varrezat e dëshmorëve të Kombit.

Lesi tregon se si është njohur me të në vitin 1993 kur pushteti i atëhershëm rrezikonte ti mbyllte gazetën dhe si Azemi u zgjodh kryetar i Këshillit Botues të gazetës dhe si anëtarë ishin Armand Shkullaku e Martin Leka dhe ku mbërritën dhe u bënë anëtarë të Këshillit Botues të gazetës: Edi Rama, Fatos Lubonja, Ardian Klosi dhe Blendi Gonxhe.

Ndërkohë që kryeredaktor u bë Frrok Çupi ndërsa drejtor i gazetës avokat Spartak Ngjela duke garantuar një blindim të Koha Jonë në atë kohë të vështirë. Njëherësh përpos vlerësimeve për liderin e ndjerë të Dhjetorit, Lesi tregon dhe për faktin se ai e kishte lajmëruar përpara 2 marsit të vitit 1997, kur redaksia e Koha Jonë u dogj, se SHIK-u i Gazidedes e donte të pjekur. Lesi tregon dhe për foton me Berishën e Hajdarin të bërë pas prites ndaj Azemit në Milot.

Kërkuat që eshtrat e Azem Hajdarit të rivarrosen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Kujt ia keni drejtuar kërkesën?
Më 11 Mars ishte 50 vjetori i lindjes së Liderit të Demokracisë Azem Hajdari. U bënë ceremoni përkujtimore nga Kryeministri zoti Berisha si dhe u dekorua nga Presidenti i Republikes zoti Nishani me "Urdhërin e Flamurit". Nisur nga këto ngjarje përkujtimore e respekti mendoj se ishte rasti t'i kujtoja politikes dhe vendimarrjes ekzekutive se duhet që eshtrat e Azem Hajdarit të rivarrosen në Varrezat e Deshmorëve të Kombit.

Është një figurë e madhe kombëtare ndaj e ka vendin pikërisht aty. Azemi përveçse është Lideri i Demokracisë, Tribun i Lirisë dhe përveç këtyre unë e kam njohur personalisht Azemin. E kam patur mik të mirë dhe më ka ndihmuar aq shumë, sa asnjë politikan tjetër, madje shumë politikanë kanë përfituar prij mejë e medias time, të atyre viteve. Kurse Azem Hajdari na mbrojti me emrin e tij.

Si iu mbrojti Azemi?
Azem Hajdari në 26 mars 1993 në ditën kur futen në arrest shtëpiak Aleksandër Frangaj si kryeredaktor i gazetës “Koha Jonë” dhe unë isha i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme e rrezikohej botimi i gazetës më të madhe të pavarur shqiptare erdhi në ndihmë.

Pikërisht nata e 26 Marsit 1993 është dhe dhe nata e ardhjes së Azemit, Liderit të Dhjetorit ’90 si kryetar i Këshillit Botues të gazetës “Koha Jonë” për te na mbrojtur nga sulmet e pushtetit të asaj kohe të vështirë. Po atë natë vendosëm me Sandrin që kryeredaktor të bëhej Frrok Çupi kurse drejtor gazetës avokat Spartak Ngjela.

Azemi propozoi se duhej të kishim një këshill botues me emra intelektualësh të njohur. Po atë natë  mes dy emrave të medhenj të gazetarisë Armand Shkullaku e Martin Leka mberritën dhe u bënë anëtarë të Këshillit Botues të gazetës: Edi Rama, Fatos Lubonja, Ardian Klosi dhe Blendi Gonxhe. Ishte një prej netëve të mëdha të jetës së kësaj gazete, dikur  të madhe.

Pra ardhja e Azemit ato ditë në krye të gazetës na shtoi kurajon, besimin dhe gazeta u bë edhe më e madhe. Këtu filloi miqësia ime e madhe me Azem Hajdarin dhe vetëm u forcua në vitet në vazhdim. Azemi jo vetëm ishte trim, por i jashtëzakonshëm në vizion dhe dashamirësi. Më kujtohet një javë para se të na digjte redaksine e gazetës pushteti i asaj kohe natën e 2 marsit 1997 erdhi Azemi me Ben Blushin në zyrën time.

Azemi na tha, të dyve, mua dhe Blushit që ishte kryeredaktor në atë kohe, se ruani veten pasi ka segmente të SHIK-ut që ju duan të pjekur. Dhe për çdo gjë na tha t’i telefonojmë atij se vinte në çast. I tillë ishte Azemi, i madh, miqësor, i thjeshtë por kishte një dashuri të jashtëzakonshme për vendin. Kam shumë histori me Azemin dhe po i hedh edhe në një libër që po shkruaj në lidhje me historinë e gazetës “Koha Jone”, një libër që po e  them pa modesti, do të jetë brilant.

Po fotoja ku keni dalë me Berishën dhe Hajdarin?

Ka mundësi një ditë pas rrethimit të Azem Hajdarit nga policia e kohës në Milot. Ka qenë 14 shkurt 1998 dita kësaj ngjarjeje të rrezikshme kundër deputetit Hajdari. Kështu që në parlament jemi ulur tek kafja me zotin Berisha i cili donte të më afronte nga pak e përditë afër vetes.

Më donte për kurajon dhe për qëndrimin me të cilin po kritikoja edhe qeverinë e PS. Dikur i kisha rënë me kritika qeverisë së PD kur ishte në pushtet. Më kujtohet se Azemi erdhi tek tavolina jonë dhe bëri disa batuta për mua e zotin Berisha.

I tha zotit Berisha se na duhet Nikolla se nuk don t’ia dije për asnjë qeveritar. Berisha serioz, porse e kishte me qejf afrimin tim, ndonëse kishte hezitim. Pra kjo është fotoja që ju donit të dinit pak më tepër. Deri pardje e kishte familja Hajdari dhe ma sollën me shumë dashamiresi. Dhe i falenderoj.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.02.2013

Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore

Kosovë/ Stacioni policor në Zveçan sulmohet me dy granata dore