Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u mblodh sot për herë të parë pas marrjes së miratimit në Kuvend më 27 tetor, komision i cili do të zhvillohet në barazi të plotë mes mazhorancës dhe opozitës. 

Askush prej grupit parlamentar të Partisë Demokratike nuk u paraqit në mbledhje ndërsa Report Tv mësoi, thanë se mbledhja ishte thirrur në mënyrë të njëanshme dhe anëtarët e tyre ishin të angazhuar në komisione të tjera parlamentare ku diskutohej buxheti i viti 2026-të.  Nga anëtarët e opozitës, të pranishëm ishin vetëm Vangjel Dule i PBDNJ-së dhe Edmond Haxhinasto i Partisë së Lirisë.

Seanca e parë e Territoriales u drejtua nga bashkëkryetari i PS-së Arbjan Mazniku ndërsa bashkëkryetari i PD-së, Luçiano Boçi mungoi. Prezent në sallë ishin 2 përfaqësues të opozitës, Vangjel Dule dhe Edmond Haxhinasto.

“Jemi të hapur për të bashkëpunuar me opozitën siç u tregua me të gjitha kërkesat që opozita pati për krijimin e këtij komisioni dhe janë adresuar nga mazhoranca. Më vjen keq që sot anëtarët e PD nuk erdhën në këtë takim dhe shpresojmë që kjo të mos jetë një problem dhe në vazhdimësi të kemi bashkëpunim dhe ndërveprim”, tha Mazniku.

Për shkak të mungesës së bashkëkryetarit Luçiano Boçi, Arbjan Mazniku tha se plani apo axhenda e punës do të prezantohet në mbledhjen e radhës në prezencë të të gjithë anëtarëve të komisionit.