Ka nisur në Tiranë sesioni i hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit, një ngjarje që do të mbledhë vitin e ardhshëm në Shqipëri personalitetet më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare.

Kryeministri Edi Rama tha se ‘Askush nuk do ta kishte imagjinuar disa vite më parë që Kongresi Botëror i Ligjit do të mbahej në Tiranë;, duke shtuar se përzgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës nuk lidhet me faktorë gjeografikë apo klimatikë, por me hapat që vendi ka bërë në dekadën e fundit në drejtim të reformës në drejtësi.

Ai kujtoi gjithashtu procesin e vettingut në drejtësi, duke thënë se në kohën kur u konceptua reforma, u zhvillua edhe një anketim publik ku, sipas tij, 90% e shqiptarëve e mbështetën fuqimisht procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët.

"Kongresi Botëror i Ligjit është një institucion i mirënjohur botëror, i cili, nën kujdesin e mbretit të Spanjës, Felipe VI, dhe me punën e palodhur të Shoqatës Botërore të Juristëve, përcjell në mbarë botën mesazhin e pikërisht atij motivi që lindi shoqëritë: mesazhin e një bote të qeverisur nga ligji dhe nga forca e tij.

Nuk besoj se do të kishte këtu, në këtë sallë apo jashtë saj, një shqiptar të vetëm që do të ngrinte dorën nëse unë do të pyesja nëse do ta kishte imagjinuar vetëm disa vite më parë që Kongresi Botëror i Ligjit do të mbahej në Tiranë në vitin 2027. Askush nuk do ta kishte imagjinuar që Tirana do të përzgjidhej nga kjo platformë prestigjioze si vend mikpritës i këtij kongresi, jo për pozicionin e saj gjeografik, klimën apo mikpritjen, por për atë që Shqipëria ka bërë në dekadën e fundit në raport me një sfidë historike.

Më kujtohet kur ne bëmë një anketim publik për vettingun, në kohën kur konceptonim dhe çonim përpara reformën në drejtësi. Dihet botërisht që vettingu ishte një pikë kyçe, tek e cila ishim ne që besonim të parët dhe pastaj bëmë të gjithë përpjekjet që edhe ata që sot e mbështesin, apo që në atë kohë nuk e mbështesnin vettingun si një moment kthese në historinë e drejtësisë shqiptare, ta besonin ashtu siç e besonim ne. Këtu e kam fjalën për të gjithë partnerët tanë të çmuar në këtë rrugë, ku mbështetja ishte thelbësore.

Në atë anketim publik, 90% e shqiptarëve mbështesnin fuqimisht vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe ju e dini shumë mirë që të bashkosh 90% të shqiptarëve për një çështje është diçka jashtëzakonisht e rrallë",- tha Ramandër të tjera.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se pas 10 vitesh nga themelimi i reformës në drejtësi, Shqipëria reflekton sot mbi rezultatet e arritura dhe sheh përpara për përmirësime.

“Sot kemi zgjedhur të reflektojmë mbi një dekadë transformimi debatesh, rezistence pro dhe përpjekjesh. Sot jemi mbledhur për të reflektuar për një pyetje që është globale: a kanë shoqëritë demokratike vullnetin për të formuar veten? Unë personalisht i përkas një brezi juristësh kur Shqipëria përpiqej të ndërtonte një sistem demokratik dhe institucione të besueshme. 10 vite më parë Shqipëria mori një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë. Ishte një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe në shumë momente e dhimbshme, nuk ishte një rregullim teknik, ishte një zgjedhje për të rregulluar një marrëdhënie mes pushtetit dhe ligjit. Ky transformim nuk erdhi rastësisht, u ndërtua përmes një procesi gjithëpërfshirës me ekspertizë ndërkombëtare.”

lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
'Sundimi i ligjit nuk ndërtohet njëherë e përgjithmonë', Gogu: Shqipëria zgjodhi reformën edhe kur dukej e pamundur

 

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu foli për reformën shqiptare në drejtësi si pjesë të debatit global mbi sundimin e ligjit gjatë sesionit hapës të aktiviteteve për Kongresin Botëror të Ligjit që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Tiranë.

Në një fjalim me tone reflektuese dhe jo triumfaliste, Gogu theksoi se “sundimi i ligjit nuk ndërtohet njëherë e përgjithmonë” dhe se sfida sot nuk është vetëm ndërtimi i institucioneve, por ruajtja e besimit tek ato.

Duke e vendosur zhvillimin shqiptar në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, ministri u ndal te prirjet globale, ku sipas tij, në vitet e fundit treguesit e sundimit të ligjit në më shumë se gjysmën e vendeve kanë pasur stanjacion ose përkeqësim, ndërsa demokracitë përballen me prova gjithnjë e më të forta.

Në këtë panoramë, ai theksoi se Shqipëria përfaqëson një rast të veçantë: “Shqipëria përfaqëson diçka që sot nuk është e zakonshme: vendosmërinë për të reformuar veten”, edhe kur reforma ka kosto, kërkon kohë dhe përballet me skepticizëm.

Duke iu referuar reformës së vitit 2016, Gogu theksoi se ajo nuk ishte një ndërhyrje teknike, por një zgjedhje për të ndryshuar marrëdhënien mes pushtetit dhe ligjit, duke kaluar drejt një sistemi që vetëqeveriset përmes institucioneve të pavarura.

Ministri vuri në dukje se procesi i reformës ka qenë i shoqëruar me debat publik të fortë, të cilin e cilësoi si pjesë të domosdoshme të transformimit. “Drejtësia nuk ndërtohet fshehurazi. Ajo ndërtohet në sytë e publikut dhe përmes besimit të tij”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, Gogu theksoi se shteti i së drejtës mbetet një proces i vazhdueshëm, që kërkon institucione që korrigjojnë vetveten, shoqëri që nuk heqin dorë nga kërkesa për drejtësi dhe vullnet politik për të reformuar, edhe kur kjo duket e vështirë.

Sesioni hapës shënon nisjen e një serie aktivitetesh që do të kulmojnë me organizimin e Kongresit Botëror të Ligjit në Tiranë në vitin 2027, duke e vendosur Shqipërinë në qendër të një debati ndërkombëtar mbi drejtësinë dhe demokracinë.

Ora 11:16
Rama: Unë dhe PS jemi më të vendosur se kurrë për të mbështetur vazhdimësinë e drejtësisë së re

 

Kryeministri Edi Rama tha se ai dhe mazhoranca socialiste në Kuvend janë më të vendosur se kurrë për të mbëhseur vazhdimiësinë e drejtësisë së re. 

Në fjalën e tij në sesionin e hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit, një ngjarje që do të mbledhë vitin e ardhshëm në Shqipëri personalitetet më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare, Rama tha se vendi ynë duhet të përfitojë nga "oqeani" i eskpertizës juridike që do vijë në Tiranë vitin e ardhshëm, me qindra profesionistë të fushës nga e gjithë bota.

"Pra, unë jam besimplotë që ky proces do të shkojë përpara siç duhet, me të gjitha dhimbjet dhe me të gjitha kostot e veta. Së bashku jam i vendosur se asnjëherë, së bashku me shumicën qeverisëse, të mos lejojmë të cenohet ajo çka është projektuar dhe të mos lejojmë të rrënohet ajo çka është ndërtuar, në paketën e një sistemi të ri dhe të pavarur drejtësie.

Është vendi këtu për të përkthyer këtë reflektim, që Kongresi Botëror i Ligjit të ardhshëm është një stacion që duhet të shkojmë drejt një synimi dhe programi për gati gjithë harkun e këtij viti, për të siguruar që Shqipëria nuk merr vetëm një vlerësim të jashtëzakonshëm për atë çka ka bërë deri tani, por edhe shfrytëzon praninë e një numri të pazakontë njerëzish që përfaqësojnë botën e shtetit të së drejtës, për të dalë me një angazhim të ri për të ardhmen në raport me të ndërlidhshmen",- tha Rama.

Ora 11:09
Reforma në drejësi, Rama: Mbështetja e pushtetit politik, e rëndësishme për vazhdimin e procesit

 

Ka nisur në Tiranë sesioni i hapjes së Kongresit Botëror të Ligjit, një ngjarje që do të mbledhë vitin e ardhshëm në Shqipëri personalitetet më të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare.

Ndër të tjera, kryeministri Edi Rama tha se reforma në drëjtësi është histori suksesi, por në këtë pikë, pas 10 vitesh, është thelbësore vazhdimësia e mbështetjes.

"Në ndërkohë, ajo çka duhet të garantojmë në mënyrë të palëkundur është që procesi të mbështetet me çdo kusht nga forcat që kanë kapacitet ta transformojnë rrjedhën e tij, që do të thotë nga pushteti politik.

Natyrisht, nëse i afrohemi një afresku të madh, e kemi të pamundur të perceptojmë tërësinë e tij dhe, nëse shkojmë shumë afër, ka shumë gjëra të cilat duket sikur nuk shkojnë.

Arsyeja dhe sfida është kaq e jashtëzakonshme dhe kaq madhështore në historinë e vendit tonë, pikërisht sepse ndërtimi i institucioneve është diçka krejt tjetër nga përpjekjet e politikës dhe nga vendimmarrjet strategjike të interesave për të koncentruar dhe realizuar hartën e veprimeve.

Në fund të ditës ka një të vërtetë shumë të thjeshtë: njerëzit nuk e korruptojnë dot një sistem, ndërsa sistemet, nëse nuk janë ndërtuar mbi baza institucionesh që garantojnë sundimin e ligjit, korruptojnë këdo",- tha Rama.