TIRANË- Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë mbledhur sot për herë të parë në vitin 2021 për të diskutuar mbi ecurinë e punës në vijim dhe zgjedhjen e kryetarit të ri.
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se 7 gjyqtarët e Kushtetueses janë mbledhur edhe për të diskutuar për zgjedhjen e drejtuesit të ri mes tyre. Kryetari zgjidhet me shumicë votash dhe ka një mandat 3- vjeçar. Në mbledhjen e sotme është rënë dakord që deri sa të zgjidhet kryetari i ri, Vitore Tusha në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, do të vazhdojë ushtrimin e kompetencave të Kryetarit.
Gjithashtu ai raporton se është marrë vendimi që javën tjetër të nisë shqyrtimi i çështjeve dhe parashikohet që deri në mesin e muajit shkurt do të shqyrtohen rreth 20 te tilla. Po ashtu, siç u paralajmërua në mbledhjen e 29 dhjetorit, nga sot u përcaktua edhe ecuria e punës me kërkesat dhe kalendarizimi i tyre.
Gjykatën Kushtetuese e presin një sërë çështjes të 'nxehta' që pritet të sjellin edhe reagime politike. Në Kushtetuese pritet të shqyrtohet kërkesa e kryeministrit Edi Rama për mosmarrëveshjet me Presidentin Ilir Meta për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.
Rama ka kërkuar interpretimin e pikës 1 të nenit 98 të Kushtetutës, e cila parashikon që ‘ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve’. Mosmarrëveshja u krijua pasi presidenti Ilir Meta nuk pranoi të dekretonte Gent Cakaj si ministër të Jashtëm, çka detyroi Ramën të emërohej vetë dhe t’i delegonte detyrën Cakajt.
Zgjedhjet e 30 qershorit 2019 është një çështje që pritet të marrë vëmendjen e anëtarëve të Kushtetueses pasi opozita i cilësoi si antikushtetuese. Ka qenë kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi e cila korrikun e kaluar ka paraqitur një kërkesë në Kushtetuese dhe kërkon verifikimin e regjistrimit në këto zgjedhje të partisë së re, Bindja Demokratike. Një çështje e nxehtë është edhe prishja e Teatrit Kombëtar. Në Maj të 2019-s, Presidenti Ilir Meta depozitoi një kërkesë duke ankimuar ligjin për “Shembjen e Teatrit”.
Vitore Tusha do të vijojë që të ketë kompetencat e kryetares e Gjykatës Kushtetuese deri në zgjedhjen e kryetares së re. Vendimi u mor ditën e sotme në mbledhjen e radhës.
"Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, në mbledhjen e sotme të datës 7 janar 2021 vendosën si më poshtë vijon: Të fillojnë procesin e hartimit të rregullave procedurale administrative në funksion të zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në nenin 7/d të ligjit nr.8557/2000 (i ndryshuar);
Të ngarkojnë znj. Vitore Tusha, në cilësinë e gjyqtares më të vjetër në detyrë, për të vazhduar ushtrimin e kompetencave të Kryetarit deri në përfundimin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit;
Të caktojnë përbërjen e 3 kolegjeve për vitin kalendarik 2021, në bazë të nenit 13, shkronja e) të ligjit nr. 8577/2000, i ndryshuar;
Të caktojnë kalendarin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në mbledhjen e gjyqtarëve, duke pasur parasysh jo vetëm rendin kronologjik të çështjeve të mbartura, por edhe natyrën dhe rëndësinë e tyre", thuhet në njoftim.
Pas më shumë se 5 orësh, mbledhja e Gjykatës Kushtetuese ka përfunduar pak më parë dhe janë marrë një sërë vendimesh të rëndësishme.
Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ka mësuar se në mbledhje është marrë vendimi që javën tjetër të nisë shqyrtimi i çështjeve dhe parashikohet që deri në mesin e muajit shkurt do të shqyrtohen rreth 20 te tilla.
7 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën gjithashtu për çështje të tilla si organizimi dhe funksionimi i Gjykatës, ndarja e kolegjeve në Penal, Civil dhe Administrativ si dhe kalendarizimi i çështjeve.