Qeveria i kaloi Teatrin bashkisë, Meta çon vendimin në Kushtetuese: Tejkaluat kufirin! Mos provokoni, s'i harroj karagjozët që bëjnë prova force me mua

TIRANE-Presidenti Ilir Meta përmes këshilltarit të tij Bledar Dervishaj dorëzoi sot në Gjykatën Kushtetuese padinë e dytë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Kreu i shtetit kundërshton vendimin e qeverisë së pak ditëve më parë që i kaloi pronësinë e Teatrit Kombëtar bashkisë së Tiranës, e cila sot e futi në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ta shembur.

Argumenti i Presidentit nga konferenca për mediat ishte se Teatri Kombëtar është pronë e të gjithëve dhe pikërisht për këtë arsye gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta. Ai kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që ta pezullojë vendimin e qeverisë. "Vendimi përbën rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to të humbasë. Sovraniteti për çështjet të tilla duhet t`u takojë të gjithë qytetarëve dhe përderisa ky unitet mishërohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet themelore të parashikuara prej saj, atëherë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur përfundimisht mbi këtë çështje dhe asnjë institucioni tjetër" tha Meta.

Kjo është padia e dytë që Ilir Meta dorëzon në Kushtetuese kundër shembjes së teatrit, teksa e para ishte kundër ligjit special për ta ndërtuar me PPP-së, por që më pas qeveria u tërhoq duke deklaruar se do të ndërtohet nga buxheti i shtetit. Në datë 8 maj, qeveria me vendim të Këshillit të Ministrave ia kaloi bashkisë Tiranë truallin e Teatrit Kombëtar, për të ndërtuar një teatër të ri me standarde moderne dhe bashkëkohore. Presidenti Meta, opozita dhe Aleanca për Teatrin reaguan duke e kundërshtuar ashpër, por kryeministri Edi Rama tha dje se nuk bën asnjë hap pas, po ashtu edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.  

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:51
‘Graj gamorin tat’! Meta i përgjigjet Veliajt për shprehjen tironse: Europa nuk është Euro, por kulturë (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta u pyet sot nga gazetarët nëse ka një përgjigje për kryebashkiakun Erion Veliaj i cili pak ditë më parë, referuar debateve për Teatrin iu drejtua kreut të shtetit duke i thënë se “Kanë një shprehje epike tironcit për gjithë ata që sistematikisht fusin hundët në gjëra që as i kuptojnë, as u takojnë: Graj gamorin tat!” tha Veliaj. Presidenti iu përgjigj sot Veliajt duke i thënë se "Dua ta theksoj se për cilindo që nuk e ka kuptuar se Europa nuk është thjeshtë Euro, por kulturë, vizion dhe identitet" tha ai.  

Ora 13:41
Meta: Mos më provokoni! S'i harroj karagjozët që bëjnë prova force me mua për Teatrin (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta i revoltuar pas deklaratave të fundit nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj se nuk bëjnë asnjë hap pas dhe se Teatri Kombëtar do të shembet, u shpreh se nuk do të harrojë apo amnistojë askënd. Meta u shpreh se 'sa i takon ndonjë karagjozi që bën prova forca me presidentin', ta ketë të qartë se po mban shënim cdo gjë. I pyetur nëse do të jetë në mbrojtje të Teatrit si në rastin e Kushtetutës ku urganizoi tubimin e 2 marsit, Meta tha se do të jetë gjithmonë në krye të detyrës, ndërsa kërkoi që të mos e provokojnë.

"Çështja që kam dalë këtu është e një rëndësie të veçantë, është çështje e nivelit Kushtetueses dhe askush nuk mund të fshihet pas procedurave për shkelje të qëllimshme dhe të vetëdijshme që cenojnë një interes të përbashkët të të gjithë qytetarëve, që ka të bëjë me një interes kombëtar dhe kulturor. Sa i takon se ku do të jetë presidenti, presidenti është gjithmonë në krye të detyrës, mbrojtje të kushtetutës dhe do të jetë gjithmonë në krye të detyrës. Sa i takon ndonjë karagjozi që bën prova forca me presidentin, ta ketë të qartë se presidenti sillet me përgjegjësi maksimale mbanë shënim cdo gjë, i ka bërë paralajmërimet të përsëritura.

Do të bëjë detyrën e tij, pa rënë në provokime banale. I ka ftuar të gjithë të menaxhojnë me përgjegjësi situatën shqetësuese të shëndetit publik dhe ekonomisë. U ka bërë thirrje që të përqendrohen te 15 kushtet e BE-së, nuk kemi nevojë të shtojmë të tjera dhe sjellja ndaj kësaj cështje nuk është në dimensione lokale, por monitorohet maksimalisht dhe do të kishte një ndikim përkeqësues për pozitën tonë që nuk është aspak për t'u krenuar për negociatat. Secili zgjedh rrugën e tij të zgjedh edhe përgjegjësinë dhe pasojat e tij, nuk do të harrohen apo amnistohen si cështje se janë të interesit kombëtar. Shpresoj që të heqin dorë nga provokimet, se nuk do të ishin ato që do të ndihmonin pozitën e kujtdo" tha ai.

Ora 13:27
Meta: Rama dhe Veliaj tejkaluan kufijtë! Kushtetuesja të shfuqizojë vendimin për Teatrin (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta pas depozitimit të padisë në Kushtetuese kundër vendimit për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar nga qeveria te bashkia e Tiranës me qëllim shembjen e tij, doli para medieve për të sqaruar arsyet. Kreu i shtetit u shpreh se shqiptarët kudo janë, sot po rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Argumenti i Presidentit ishte se kjo është pronë e të gjithëve dhe pikërisht për këto arsye gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta.

Sipas tij, ky vendim i Këshillit të Ministrave vazhdon të bartë qëllimin antikushtetues për cenimin e pasurive pronë publike që janë të lidhura ngushtësisht me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe identitetin kombëtar. "Përpjekjet për shkatërrimin e këtyre pasurive materiale apo jomateriale, konsiderohen si shprehje e vullnetit të një pakice që për çdo arsye nuk ka legjitimitet për të vendosur për çështje kaq madhore që paraqesin interes të lartë publik në nivel kombëtar. Kjo përbën një rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to të humbasë".

Meta theksoi se nëse Teatri Kombëtar do të cenohej si godinë para vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës, atëherë pasojat do të ishin të parikuperueshme. Prandaj Presidenti kërkon nga gjykata Kushtetuese që të vendosë pezullimin e çdo veprimtarie apo akti që cenon godinat e Teatrit Kombëtar, "pezullim ky që duhet zgjasë derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të marrë fuqi".

Ai kishte një përgjigje edhe për deklaratat e Erion Veliajt. "Këto deklarata, përveçse vijnë në kundërshtim me parimet kushtetuese mbi të cilat duhet të funksionojë një shtet i së drejtës, për Kryetarin e Bashkisë kapërcejnë edhe kufijtë e lejuar nga ligji “Për vetëqeverisjen vendore”, që përcakton se bashkitë janë përgjegjëse për zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore me interes vendor, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve. Sovraniteti për çështjet të tilla duhet t`u takojë të gjithë qytetarëve dhe përderisa ky unitet mishërohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet themelore të parashikuara prej saj, atëherë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur përfundimisht mbi këtë çështje dhe asnjë institucioni tjetër" tha Meta.

"Sot, kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për Shfuqizimin e Vendimit nr.377, datë 8.5.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Eshtë një detyrim kushtetues i Presidentit të Republikës që brenda kompetencave të tij, të garantojë mbrojtjen e parimeve themelore që populli shqiptar i ka vendosur me referendum që prej vitit 1998!

Për fat të keq, Këshilli i Ministrave në këtë vendim, që në pikën 1 të tij, shpreh vullnetin se, me kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të “Teatrit Kombëtar”, kjo bashki duhet të vijojë procedurat për shembjen e godinave të Teatrit dhe ndërtimin e godinave të reja.

Përmes këtij akti, shqiptarët kudo janë, sot po rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Me prishjen e tij, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar që mishërohet në këto godina, synohen të zhduken, dhe memorja jonë e përbashkët kolektive, të humbasë.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave vazhdon të bartë qëllimin antikushtetues për cenimin e pasurive pronë publike që janë të lidhura ngushtësisht me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe identitetin kombëtar. 

Pra është e qartë se, përmes togfjalëshit në pikën 1 të këtij vendimi ku citohet “me qëllim ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar”, shoqëruar dhe me togfjalëshin në pikën 2 se, “Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi”, qëllimi për shkatërrimin e godinave aktuale të kompleksit të Teatrit Kombëtar është vendosur dhe urdhëruar në mënyrë të detyruar nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që kryetari i Bashkisë Tiranë dhe Këshilli Bashkiak, mbetet vetëm që ta vendosin në ekzekutim këtë vullnet politik të Qeverisë dhe Kryeministrit.

Në thelb, edhe ky akt i Këshillit të Ministrave, edhe pse referuar formës dhe procedurës së përzgjedhur, mbulohet nën argumentin e një vendimi rutinë të kalimit të së drejtës së pronësisë të një pasurie publike nga pushteti qëndror tek pushteti vendor, në thelb, përmban të njëjtën problematikë kushtetuese dhe të njëjtin rrezik sikundër dhe ligji special nr. 37/2018, që aktualisht është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Të dy këto akte- ligji nr. 37/2018 dhe VKM nr. 377/2020, shprehin qartë të njëjtin qëllim politik: Prishjen e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, gjë e cila do të përbënte shkelje shumë të rëndë të parimeve kushtetuese që lidhen me identitetin dhe trashëgiminë tonë kombëtare, vlera këto të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë ka aderuar apo i ka ratifikuar. 

Prandaj këto akte duhen shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të vendosë sa më shpejt edhe për pezullimin e ekzekutimit të tyre.

Më datë 9 maj 2020, kam bërë publike dy deklarata për shtyp, duke kërkuar reflektim nga institucionet e Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, të cilat janë dhe palë në procesin e hapur tashmë në Gjykatën Kushtetuese. 

Qëndrova në pritje të reflektimit të institucioneve përkatëse dhe kam ndjekur reagimet publike qoftë të kryetarit të Këshillit të Ministrave, ashtu dhe të kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Këto dy autoritete përgjatë kësaj jave kanë reaguar publikisht duke shfaqur hapur se qëllimi i tyre politik dhe i unifikuar është i qartë, se nuk tërhiqen nga vullneti për shembjen e godinave të kompleksit ekzistues të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një godine të re në truallin e tij.

Këto deklarata, përveçse vijnë në kundërshtim me parimet kushtetuese mbi të cilat duhet të funksionojë një shtet i së drejtës, për Kryetarin e Bashkisë kapërcejnë edhe kufijtë e lejuar nga ligji “Për vetëqeverisjen vendore”, që përcakton se bashkitë janë përgjegjëse për zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore me interes vendor, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve. 

Duke qenë se, pasuria që kalon në pronësi të Bashkisë Tiranë ka emërtimin “Teatri Kombëtar”, dhe është në këtë mënyrë një objekt që lidhet me interesin e përgjithshëm kombëtar, dhe jo me vlera të trashëgimisë kulturore me interes vendor, Bashkia Tiranë nuk mundet të ketë në pronësi dhe aq më pak të shprehet për çështjet që kapërcejnë kufijtë e kompetencës dhe juridiksionit vendor që i përkasin sipas ligjit. 

Juridiksioni i Bashkisë Tiranë për të vendosur për “Teatrin Kombëtar”, është i kufizuar. Për një pasuri të tillë publike, pronësia duhet të qëndrojë në emër të Republikës së Shqipërisë.

Kjo kërkesë e re me objekt shfuqizimin si antikushtetues të VKM-së nr. 377/2020 që u depozitua sot për shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, shpreh dhe një herë vullnetin e palëkundur e Kreut të Shtetit si përfaqësues i unitetit të popullit se, edhe kërkesa/çështja e ngritur nga Presidenti i Republikës në kërkesën e datës 24 korrik 2019 për shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr. 37/2018, në mbështetje të nenit 51 të ligjit nr. 8577/2000, do të duhet të vijojë të shqyrtohet, pasi të dy këto akte të kundërshtuara pavarësisht nga organi që i ka nxjerrë, apo vijueshmëria e zbatimit të qëllimit të tyre, janë akte që ndikojnë në ekzistencën e kompleksit të godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, që paraqet një interes të lartë publik dhe shtetëror të lidhur drejtpëdrejtë me respektimin veç të tjerave, të parimeve themelore kushtetuese.

E drejta për të vendosur mbi ekzistencën e objekteve dhe pasurisë sonë materiale dhe jomateriale që lidhen drejtëpërdrejtë në trashëgiminë dhe identitetin tonë kulturor kombëtar nuk i takon vetëm një qeverie apo një bashkie. 

Sovraniteti për çështjet të tilla duhet t`u takojë të gjithë qytetarëve dhe përderisa ky unitet mishërohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet themelore të parashikuara prej saj, atëherë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur përfundimisht mbi këtë çështje dhe asnjë institucioni tjetër. 

Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që ka për detyrë të shprehet mbi pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare (sipas nenit 131 të Kushtetutës).

Kompleksi i godinave të Teatrit Kombëtar ka një status të veçantë sipas nenit 3 të ligjit nr. 8743/2001, për shkak se është një kompleks godinash i përdorur historikisht që prej ndërtimit me qëllime kulturore dhe sociale. 

Ai kompleks godinash për shkak të interesit dhe trashëgimisë që përmban, nuk është çështje vlerësimi më vetëm e një Qeverie apo e një Bashkie, por çështje e ndjesisë publike të gjithëpranuar për vlerat artistike dhe kulturore që bart.

Ky kompleks godinash është një pasuri e paluajtshme publike, që ka status dhe regjim juridik të ndryshëm nga pasuritë e paluajtshme shtetërore. 

Vendimi i Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë me emërtimin “Teatri Kombëtar”, përveçse është bërë në kundërshtim me kërkesat dhe procedurën ligjore, qëllimin në thelb të tij, e ka të njëjtë me atë të deklaruar dhe në ligjin nr. 37/2018, për vijimin e projektit të shembjes së teatrit, duke e bërë të ketë drejtpërdrejtë implikime papajtueshmërie me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Kjo papajtueshmëri evidentohet lidhur me faktin se, qëllimi i këtij akti bie ndesh me parimet kushtetuese të mbrojtjes së trashëgimisë dhe identitetit kulturor kombëtar, të parashikuar në  nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Këto vlera dhe parime kushtetuese kërkojnë që në një rend demokratik, shteti të ketë përgjegjësinë fillestare që të ruajë të gjitha ato asete të pasurisë së paluajtshme ose jo, të cilat lidhen, shfaqin, apo mishërojnë trashëgiminë kulturore dhe historike të së shkuarës që bashkarisht formojnë atë që quhet identitet kulturor dhe shoqëror. 

Prandaj në praktikat e një qeverisje demokratike dhe të përgjegjshme, përpjekjet për shkatërrimin e këtyre pasurive materiale apo jomateriale, konsiderohen si shprehje e vullnetit të një pakice që për çdo arsye nuk ka legjitimitet për të vendosur për çështje kaq madhore që paraqesin interes të lartë publik në nivel kombëtar.

Referuar këtij arsyetimi, kalimi në pronësi të Bashkisë Tiranë, një organ ky i pushtetit vendor, të godinave të Teatrit Kombëtar, me qëllim të paracaktuar se këto godina do të prishen, përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimeve kushtetuese të mbrojtura nga neni 3 i Kushtetutës me pasojë dëmtimin e parikuperueshëm të identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Kompleksi i godinave të Teatrit Kombëtar, për 80 vite të funksionimit në dimensione të ndryshme, ka krijuar kujtesën e tij dhe e bën atë padyshim përfaqësues të denjë të historisë kulturore, artistike, arsimore, sociale, albanologjike dhe politike të shtetit shqiptar; pra, të trashëgimisë kombëtare, e cila në këtë këndvështrim është pronë e të gjithëve dhe pikërisht për këto arsye gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta.

Për këtë çështje qeveria shqiptare dhe Bashkia Tiranë duhet të tregojnë përkushtimin e tyre për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, patjetër edhe duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht, pa dëmtuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen.

Ekzistenca e këtyre godinave të kompleksit të Teatrit Kombëtar, është pjesë e pandashme edhe e trashëgimisë kulturore jomateriale, pasi në këtë hapësirë është prodhuar ndër vite art skenik, duke kultivuar me dekada vlerat më sublime të kulturës shqiptare në mbarë hapësirën shqiptare, që përbëjnë trashëgimi kulturore.

Mbrojtja e kësaj trashëgimie kërkon që mjediset, në të cilat ajo është krijuar, të forcohen, jetësohen edhe më shumë, pasi janë të lidhura me kujtesën që lidhet me vendin ku ato janë krijuar, pra me godinat, të cilat nëse prishen dhe nuk ekzistojnë më, përbëjnë një rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to të humbasë.

Ky është një argument tjetër i fortë që gjen mbështetje jo vetëm në parashikimet e neneve të Konventës mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore jo Materiale, por në pjesën hyrëse (preambulën) të kësaj konvente ku citohet se, trashëgimia kulturore jomateriale dhe trashëgimia materiale kulturore dhe natyrore janë të ndërvarura nga njëra-tjetra.

Organizata “Europa Nostra” e mbështetur nga Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian e ka vlerësuar këtë godinë, duke kërkuar ndërprerjen e çdo veprimi mbi të nga institucionet shqiptare. T’i kundërvihesh një mbështetjeje të Bashkimit Evropian që synon vetëm ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, është sinjali më i keq i bashkëpunimit dhe sjelljes ndaj vlerave për të cilat kemi 30 vite që përpiqemi të përqafojmë.

Shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata Kushtetuese mbi antikushtetutshmërinë e ligjit nr. 37/2018, edhe pse mundet që palët e interesuara në këtë gjykim të pretendojnë pushimin e efekteve juridike të tij, sërish duhet të vijojë bashkarisht me shqyrtimin e kësaj kërkese për antikushtetutshmërinë e Vendimit nr. 377, datë 8.5.2020 i Këshillit të Ministrave. 

Theksoj edhe një herë se, nëse Teatri Kombëtar do të cenohej si godinë para vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës, atëherë pasojat do të ishin të parikuperueshme. 

Kjo bën të domosdoshme që të vendoset pezullimi i çdo veprimtarie apo akti që cenon godinat e Teatrit Kombëtar pezullim ky që duhet zgjasë derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të marrë fuqi. 

Ndërkohë Institucionet shtetërore duhet t’u përmbahen detyrimeve të sanksionuara në Kushtetutë dhe në të drejtën ndërkombëtare, zyrtarët e të gjitha niveleve duhet të ushtrojnë në mirëbesim, në mënyrë të arsyeshme pushtetin që iu është dhënë, brenda qëllimit për të cilin ky pushtet u është akorduar, pa kaluar kufijtë e kompetencave të tilla, duke garantuar në çdo vendimmarrje mbrojtje të mjaftueshme të parimeve, të drejtave dhe lirive të mbrojtura nga Kushtetuta.

Vetëm kështu mund të garantohet një shtet i së drejtës, që i jep përparësi ligjshmërisë së praktikave qeveritare apo vendore, praktika këto që nuk lejojnë veprime autoritare të njëanshme, në dëm të interesave publike dhe kombëtare" tha Meta. 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Bilderberg: 14/05/2020 17:57

    Argumente qesharake, nuk paska force ne bote te ndaloj ty, OK.

    Përgjigju
  • Qytetari: 14/05/2020 14:34

    Mor rrugac me bllok ne dore.. keni bere ca keni dash me kete popull dhe perseri mbani konen perpjete.. Ti duhet te zhdukesh po te kesh pak karakter.. keni gjet ramen e boni si ju don trapi se te ishit ne kohe te xhaxhit sdo kishit shance as rremave me i dhene ne drilon..

    Përgjigju
  • YYY: 14/05/2020 14:25

    Duam s'duam, IM po ben si i do b*** e interesi i tij. Ne perballjen me IM, Rama po zhvleresohet edhe ne syte e mbeshtetesve te vet. Dhe vetem per faktin qe duket i dorezuar para tij, Rama duhet te largohet nje ore e me pare nga pushteti. Reforma ne drejtesi po vdese, Likja po nuk ndalet ne paligjshmeri, atehere cfare duhet tjeter qe Rama te dorezoj karriken?! Ishte zhgenjim!

    Përgjigju
  • Sidrit Golemi: 14/05/2020 14:23

    Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke vendosur përfundimisht pushimin e çështjes ndaj Lulzim Bashë dhe dy zyrtarë të tjerë të PD-së, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi për çështjen e falsifikimit të formularëve. ... TEATER ..... Më herët avokati i Bashës, ish-deputeti Eduard Halimi u shpreh se palët edhe pse apeluan vendimin e shkallës së parë, nuk paraqitën asnjë provë

    Përgjigju
  • Eris: 14/05/2020 14:22

    Meqë osht përdor 1 shprehje Tironase, të paktën të citohet tamom: “Graj gamorin tat”...

    Përgjigju
  • Skrapari: 14/05/2020 14:09

    Shiko kush flet

    Përgjigju
  • Rahman Gashi: 14/05/2020 14:07

    Na flet ky per everopen

    Përgjigju
  • Rech _ Shkodra: 14/05/2020 14:04

    Reci i Shkodres prete mysafire.. TI z.Meta je ne rradhe....

    Përgjigju
  • Tan Lepri: 14/05/2020 14:00

    O hajdut qesharak.. pse nuk i tregon njerezise kur te rrihte burri yt Mona me zorre uji dikur se nuk i fryhej dot zorra me leke e plaçke.. he more fshatar mortje qe na trash zerin, tregoi shqiptareve per pasurine e grabitur, 1 miliard euro qe ke fshehur lart e poshte neper bote, he o kopuk i piset skrapari

    Përgjigju
  • Rahman Gashi: 14/05/2020 13:56

    I behet qejfi kur thot 15 kushtet .se 3 I ka shtuar greku per gjera qe nuk ekzistojn be bashkepunim me Bashen dhe meten .Keta jan brek e byth me agjenturen greke dhe na I japin dhe Pashaporte Janulles

    Përgjigju
  • Uku Momlit: 14/05/2020 13:08

    Pazaret vazhdojne vine gjithnje e duke u ngritur per pasurine e grabitur dhe karrigen pusht-shteterore

    Përgjigju
  • Ben Tironci: 14/05/2020 12:50

    Ky Meta mire ben qe dorezoi ne Kushtetuese dosjen por kishte harruar pa mare dhe kete temin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic