Nën drejtimin e Damian Gjiknurit dhe Oerd Bylykbashit, në Kuvend nisi përsëri një tryezë për reformën zgjedhore, e cila synon tu japë zgjidhje problemeve elektorale, duke ndërhyrë jo vetëm në Kodin Zgjedhor, por edhe kuadrin ligjor që rregullon financimin e partive politike.

Në mbledhjen e parë munguan deputetët e 3 partive të vogla, Mundësia, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë, ndërsa përkrah PS-së ishte ulur deputeti i PSD-së. Në komisionin ku shumica e pakica kanë numër të njëjtë votash, bashkëkryetari socialist bëri thirrje për gjithëpërfshirje.

Bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e arritjes së një reforme reale, të plotë dhe konsensuale, duke adresuar të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ ODIHR, edhe në raportin për zgjedhjet e 11 majit. Gjiknuri tha se duhet që deri në mesin e vitit që vjen të kenë dalë me një produkt zgjedhor të reformuar. 

"Të kemi një ligj zgjedhor të reformuar deri në mesin e vitit tjetër që t’i jepet kohë institucioneve qoftë për zgjedhjet vendore, apo të përgjithshme që të kemi bazë të mirë solide ligjore më të përmirësuar dhe me standarte më të mira dhe me rregulla të pranuar nga të gjithë. Iu bëj thirrje atyrë që janë pjesë e komisionit, edhe pa të drejtë vote, që të kontribuojnë dhe ta zhvillojnë debatin brenda kësaj salle”, tha Gjiknuri.

Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi tha se në vitin 2024  nuk pati reformë, ndërsa kërkoi që komisioni i ri duhet që t'i trajtojë problematikat në 360 gradë. 

"Duhet një qasje 360 gradë e pakufizuar dhe duke hyrë thellë në të gjitha tematikat. Nëse do të shfrytëzojmë mandatin tonë dhe kohën prej 9 muajsh, ka mundësi që të kemi një rezultat produktiv.", tha Bykykbashi.

Opozita, që kërkon të shkatërrojë urat se si partia në pushtet përdor shtetin në fushatë, kërkoi besnikëri nga mazhoranca.

“Edi Rama të mos bëjë atë që bëri në vitin 2020, që përdori fuqinë e kartonëve për të rrëzuar konsensusin që ishte arritur edhe me angazhimin e ndërkombëtarëve", tha Bylykbashi. 

Komisioni ra dakord që të kërkojnë ndihmën e ekspertëve të Komisionit të Venecias dhe OSBE-ODIHR, si një garanci ndër të tjera, edhe për opozitën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:15
Manja te ‘Zgjedhorja’: Të adresojmë së pari rekomandimet e OSBE/ ODIHR, të kalojmë te numërimi në qendrat e votimit

 

Ulsi Manja tha se mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore theksoi se është e rëndësishme që së pari të nisë puna për të adresuar rekomandimet e bëra nga OSBE/ ODIHR, edhe në raportin e fundit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ai tha se duhet që të kalojmë te numërimi në qendrat e votimit.

“Dua t’i ndajmë sipas një rendi të caktuar, duke adresuar fillimisht rekonandimet e OSBE/ODIHR, dhe sugjerimet tona, që janë të karakterit teknik dhe garantojnë pjesëmarrjen dhe fshehtësinë e votës dhe më pas mund të diskutohen çështje që kanë nevojë për konsensus më të gjerë politik. Disa rekomandime të ODIHR do duhet t’i adresojmë dhe nuk ka nevojë për 9 muaj. Përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, qoftë identifikimi biometrik i zgjedhësve apo votimi e numërimi elektronik në disa zona, por edhe mbikëqyrja e procesit të numërimit të përqendruar me kamera kemi kohë që po i zbatojmë. Edhe ashpërtimi i masave penale për krimet zgjedhore. E treta, ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Pse duhet të themi ne që duhet të kthehemi te numërimi i në qendrat e votimit dhe të heqim dorë nga numërimi i përqendrimi i votave. Kishte një arsye që u shkua drejt numërimit të përqendruar që kishte të bënte me sigurinë, ndërsa sot teknologjia...në Koosvë për dy orë del rezultati në Kosovë. Të heqim dorë nga numërimi i përqendruar dhe të shkojmë te qendrat e votimit. Nuk ka më komisioner në qendra votimi apo numërues që merr përsipër riskun dënimin me burg jo më pak se 5 vjet që të falsifikojë rezultatin në një qendër se do të bëhet deputet x apo y. Ikën këto kohë. “, tha Manja.