/ATSH-AFP/ - Krerët e dilomacisë së fuqive të mëdha dhe Irani filluan sot në seancë plenare në përpjekje për të kapërcyer pengesat e fundit në rrugën për një marrëveshje për programin bërthamor iranian.
Ministrat amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë, rusë dhe kinezë nga njëri krah dhe iranian nga krahu tjetër, si dhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, u mblodhën për herë të parë që prej një seance të mëparshme negociatash në muajin nëntor në Vjenë.
Duke kryesuar një tryezë të madhe drejtkëndëshe të takimit, ministri iranian i Punëve të Jashtme, Mohammad Javad Zarif dhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, kishin një pamje të buzëqeshur duke bërë kontrast me pamjen e vendosur të sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.
Në të djathtë të tyre ndodheshin ministrat e grupit G5+1 (SHBA, Britani e Madhe, Francë, Rusi, Kinë, Gjermani). Në të majtë të tyre, ekipi i negociatorëve iranianë.
Negociatprët duhet të arrijnë para të martës në një marrëveshje themelore lidhur me këtë çështje që ka përkeqësuar marrëdhëniet ndërkombëtare që prej 12 vjetësh.
Pas një viti e gjysmë negociatash të vështira në Gjenevë, Vjenë, Nju Jork, Lozanë, negociatorët janë të vendosur të arrijnë kompromisin e parë, themelor për vazhdimin e negociatave deri në një marrëveshje finale më 30 qershor.